Albspirit

Media/News/Publishing

Afërdita Krasniqi, këshilltarja e ambasadë së SHBA

Afërdita Krasniqi, është këshilltare për çështje kulturore në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Ajo ka lindur dhe është rritur në Prishtinë saktësisht në lagjen Ulpiana dhe ka pasur fëmijëri shumë të lumtur.  Shkollën fillore e mbaroi në “Hasan Prishtina,” shkollën e mesme në “Sami Frashër” ndërsa studimet në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Ajo  përfundoi studimet në vitin 1997 – gjatë kohës së okupimit, nëpër depo dhe salla të improvizuara.

“Prindërit na kanë mësuar të jemi të përgjegjshëm dhe ne katër fëmijët jemi kujdesur shumë për njëri tjetrin – gjithmonë me qelës në qafë – por kjo na ka mundësuar që të rritemi si fëmijë të pavarur. Unë kam një vëlla dhe dy motra, të gjithë jetojnë jashtë tani dhe më mungojnë shumë”.

Gjatë studimeve Afërdita  ka punuar si profesoreshë e gjuhës angleze në Shkollën e Mesme “Eqrem Çabej” në Prishtinë, nxënësit e saj ishin 18 vjeçar e ajo 21 vjeçe.

“Ka qenë përvojë fenomenale për mua dhe unë mundohesha t’ua mësoj gjuhën të rinjve përmes muzikës, natyrisht muzikës rok dhe alternative, mundohesha të ndikoj edhe në zhvillimin e shijes së muzikës. Sa herë më ka ndodhë profesorët që nuk më njihnin, ma bënin ‘e ti nxënëse çka po lyp në sallën e arsimtarëve”.

Në të njëjtën kohë ajo ka punuar edhe si gazetare në një revistë për kulturë “Okarina” ku shkruante për ngjarjet kulturore në vend dhe në botë, intervistonte këngëtarë dhe artistë.

Ndërkohë Afërdita ndërroi punën dhe filloi të japë mësim në shkollën private të gjuhëve “Cambridge School” për disa muaj, gjatë vitit 1998. Pas fillimit të luftës në Kosovë u rrit kërkesa për njohës të gjuhës angleze në organizatat ndërkombëtare në Kosovë.

“E dua punën si profesoreshë, por e pashë që duhet të kontribuoja me aftësitë e mia diku tjetër”.

Në tetor të vitit 1998, Afërdita fillo punën  në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar ku ishte përgjegjëse për furnizimin e UÇK-së dhe civilëve me ilaçe dhe ushqim dhe të mbrojë viktimat e luftës aty ku kishte nevojë – titulli i saj i punës ishte Protection Officer. “Rajoni im ka qenë Podujeva, Kaçaniku, Shtimja dhe Ferizaj. Isha 23 vjeçe dhe nuk frikësohesha fare. Shpesh kam qenë dëshmitare e luftimeve, granatimeve dhe  masakrave…Rasti më i rëndë ka qenë Masakra e Reçakut me 15 janar 1999.  Atë ditë u bëra hallë për herë të parë në jetë lindi nipi im, por unë isha në punë dhe atë ditë ndodhi masakra e Reçakut. Ky ka qenë rajoni të cilin e mbuloja, ishim gati çdo ditë në Petrovë të takohemi me UÇK-në dhe popullatën. Kurrë nuk i harroj ato pamje përjetë…”.

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s,  Afërdita dhe familja e saj shkuan në Shkup, ku ajo filloi punën me Associated Press dhe punonte me një gazetare nga Amerika e cila po ashtu raportonte për NPR.

“Aty dëgjova vuajtjet dhe dhimbjet e popullit tonë dhe raportoja e përktheja për AP”.

Pas një muaji u ofrua  puna si zyrtare për të Drejtat e Njeriut për  Kombet e Bashkuara, ku pati rastin të takohej me shumë mbrojtës të drejtave të njeriut njëri ndër ta ishte aktori Richard Gere.

“Me të patëm biseduar afro tri orë se si duhet të përgatitemi ne dhe të përgatitim popullatën kur të kthehemi në Kosovë që të mos hakmerremi ndaj serbëve. Ai thoshte “Forgive, but never forget.” (Fal, por kurrë mos harro) nuk i harroj ato fjalë kurrë”.

Me t’u kthyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, në gusht të vitit 1999, Afërdita filloi punën në të ashtuquajturën atë kohë Zyra Amerikane në Prishtinë, tani Ambasada Amerikane.

“Këtu fillon pjesa më e bukur e jetës sime, fillova punën e ëndrrave. Fillova punën si përgjegjëse për programet kulturore dhe arsimore. Fillova një ‘dream job’ – ku kombinohej krejt përvoja ime e deri atëhershme në gazetari, kulturë, arsim dhe mbrojtje e të drejtave të njeriut”.

Afërdita menjëherë u kyç në projekte madhore si themelimin e programet prestigjioze për Kosovë: Fulbright Visiting Scholar, Ron Brown Fellowship Program, International Visitor Leadership Program e shumë të tjera ku filluan të dërgojnë ekspertë nga Kosova e posa dalë nga lufta në SHBA për avancime profesionale.

“Ishte hera e parë që Kosova filloi me këto programe në 1999 dhe deri tani më shumë se 1.000 vetë kanë marrë pjesë në programet që Afërdita i ka menaxhuar. Ajo ndihet e nderuar që punon për Qeverinë Amerikane. Aty ka pasur vizita nga Presidenti Amerikan, Sekretarja e Shtetit e shumë diplomat amerikan në aranzhimin e të cilave ajo ishte e kyçur. Përveç vizitave të nivelit të lartë qeveritar, ajo ka  qenë e angazhuar në vizitat e profesorëve amerikan të fushave të ndryshme që vinin në Kosovë për të trajnuar ose takuar ekspert lokal. Po ashtu punon në programet e promovimit të muzikës amerikane – çdo vit punoi në sjelljen e muzikantëve të ndryshëm Amerikan në Kosovë”.

Kjo është njëra pjesë e preferuar e Afërditës nga puna e saj dhe pjesa tjetër janë projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Deri tani Qeveria amerikane ka investuar më shumë se 3 milionë dollarë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, restaurimi i Kalasë së Prizrenit, Kalasë së Vushtrrisë, shkollës së Muzikës në Prizren, Muzeu i Kosovës, Muzeu i Gjakovës, Kulla e Haxhi Zekës në Leshan, e shumë të tjera dhe një shumë edhe më e madhe në avancimin e stafit nëpër programe të ndryshme në Amerikë.

“Fondi i Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore është një program i veçantë.  Unë jam përgjegjëse që të propozoj ekspertë të ndryshëm të kulturës dhe artit që të shkojnë në programe të ndryshme në Amerikë. Po ashtu jam përgjegjëse që kur të kthehen në Kosovë, të kyçen ne shoqatën KUSA (Kosovo United States Alumni) të cilën e kemi themeluar në vitin 2007 dhe financohet nga Ambasada Amerikane. Gjithashtu një nga sukseset e mia është themelimi i KUSA-s.”

Për këtë angazhim të saj në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Afërdita ka marrë shpërblyer me shumë shpërblime, por ajo veçon shpërblimin Superior Honor Award (2000).

Ndër  shpërblimet më të larta që i ipen stafit të Ambasadës me këtë arsyetim: In recognitions of her superlative efforts to build U.S. Office Pristina first International Visitor Leadership Programs and her outstanding political instincts, organizational abilities, and profesionalism in advancing the U.S. Government’s public diplomacy agenda in Kosovo.

Shpërblimet e tjera janë:

Franklin Award 2015, 2013, 2008, 2006,

Costumer Service Award 2012,

Meritorious Honor Award 2011,

Meritorious Honor Award 2004

E sukses tjetër, jo  profesional por njerëzor, është krijimi i një familjeje të bukur dhe të lumtur

“Unë fillova punën në Ambasadë në 1999, ndërkohë kisha angazhime shumë të mëdha, por jeta ime private ndryshoi në atë kohë dhe ishte koha më e lumtur për mua. U martova dhe pastaj u bëra nënë me 25 korrik 2000.  Linda vajzën Anikën dhe isha personi më i lumtur në botë. Unë kam punuar me orar të plotë në Ambasadë deri një ditë para se ta lindja vajzën.  Ishte gëzim i madh por pas 3 muajsh pushim lehonie, fillova punën prapë dhe vazhdova me të njëtin intensitet. Ishte sfidë e madhe që të menaxhoj edhe fëmijën edhe punën. Kam pasur edhe shumë udhëtime jashtë shtetit dhe ka qenë privilegj por edhe pak vështirësi – më është dashtë t’i lija fëmijët e vegjël dhe të udhëtoja. Më vonë në 2002 linda djalin Artinin dhe lumturia ime u dyfishua, tani i kisha dy engjëj në jetën time – për të cilët duhej kohë, përkushtim dhe shumë dashuri. Unë jam munduar dhe ende mundohem të balancoj punën time dhe kujdesin ndaj fëmijëve. Këtu i kemi ndarë përgjegjësitë me burrin, Ymerin i cili është arkitekt dhe po ashtu shumë i përkushtuar ndaj fëmijëve. Po të mos ishte ai, unë nuk kisha mundur t’ia dalë në krye. Fëmijët e mi po ashtu u rritën duke u siguruar që mos ta harrojnë çelësin. Anika tani është 15 vjeç edhe Artini 13.  Janë frymëzimi dhe motivi i jetës sime“.

Afërdita momentalisht është duke punuar në shumë projekte: planifikimin e pjesëmarrësve për vitin 2017 në programin International Visitor Leadership Program; Open World Leadership, Programi i financuar nga Kongresi Amerikan; planifikimin e projekteve, festivaleve  e ngjarjeve kulturore që do t’i financojnë këtë vit; është duke punuar në agjendën e një bendi nga Amerika që pritet të vijë në Kosovë në maj; gjithashtu është e angazhuar në zgjedhjen e granteve të vogla për ish-pjesëmarrësit e programeve të Ambasadës në SHBA. Ndërsa një projekt tjetër madhor tani është restaurimi i Kalasë së Prizrenit.

“Unë i dua njerëzit dhe kam dëshirë që gjithmonë të takoj njerëz të ri.  Puna ime përfiton nga kjo veçori e imja – se këtu duhet të njohësh shumë njerëz dhe ata shumë njereëz që njoh përfitojnë (me merita natyrisht) nga mundësitë e panumërta që ofron Ambasada Amerikane. E dua artin e kulturën – kjo është pjesë e punës sime – nganjëhere tallem e them se më paguajnë të shkoj në ekspozita, të shoh filma e të dëgjoj koncerte. Por seriozisht, kjo është pjesë e punës sime – unë duhet të përcjell jetën kulturore në Kosovë dhe të shoh se si mund të ndihmojmë të përmirësojmë atë. Kam bashkëpunim të shkëlqyer me njerëzit e artit dhe kulturës”.

E pyetur se cili është ndryshimi që ju do të doni ta arrini përmes angazhimit tuaj Afërdita u përgjigj: “Përmes punës sime në Ambasadë, unë shpresoj se shumë njerëz dhe institucione kanë përfituar dhe kanë ndryshuar për të mirë – disa ndryshime shihen vizualisht tani sidomos në trashëgiminë kulturore – ku është përmirësuar gjendja e shumë monumenteve, e disa ndryshime janë më afatgjata ku rezultati shihet më vonë”.

Ajo punon një punë shumë të rëndësishme për Kosovën, për avancimin kulturor dhe arsimor të insitucioneve dhe stafit dhe shpreson se përmes punës së saj do të ndihmojë që të përmirësohet gjendja në Kosovë. “Për këtë kam motiv, se dua që jeta e fëmijëve të mi të jetë më e mirë.  Kjo është ëndrra ime – do të bëhet mirë – por unë jam duke punuar që të bëhet mirë”. Ndërsa frymëzimi i saj për punë është familja e saj, fëmijët e saj sepse Afërdita punon për një të ardhme më të mirë për ta. Afërdita është feministe dhe beson në të drejtat e barabarta mes femrës dhe mashkullit në shoqëri. Ato të drejta sipas saj duhet filluar të praktikohen së pari në familje e pastaj ngadalë në shoqëri. Ajo thotë që ne si femra duhet t’i shohim femrat si të afta dhe t’i përkrahim ato më shumë – në çdo aspekt të jetës. “Mendoj qe avancimi dhe fuqizimi intelektual i gruas ndihmon në forcimin e pozitës së saj në shoqëri. Unë punoj direkt në projekte të ndryshme ku e përkrahim këtë fuqizim të femrës.  Gjithmonë përmes programeve tona mundohemi që të promovojmë gratë lidere”.

Mesazhi përmbyllës i Afërditës është: “Të punohet sa më shumë në shkollimin e te rinjëve dhe sidomos në shkollimin dhe avancimin e vajzave në shoqërinë tonë. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe ata duhet të kenë sa më shume mundësi. Po ashtu mundohuni që të keni pasuri shpirtërore, jo vetëm materiale. Për këtë ju rekomandoj që të përcillni ngjarjet kulturore se ka shumë te ne”.

Please follow and like us: