Albspirit

Media/News/Publishing

Denoncimi në “STOP”/Peshëngritja shqiptare “në pikë të hallit”

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=Qz-fQk0LbmQ?feature=oembed]

Në emisionin investigativ “STOP” ka ardhur një denoncim nga trajneri i Kombëtares Shqiptare të Peshëngritjes, Leonard Toska. Për mikrofonin e “STOP”, ai ka vënë në pah krizën me të cilën po përballet sporti shqiptar, veçanërisht Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Sipas tij, pavarësisht medaljeve dhe arritjeve që sportistët i kanë sjellë shtetit shqiptar, ata nuk marrin minimumin që ju takon, pagën, duke mos përmendur dietat. Për kushtet në të cilat ndodhet Federata Shqiptare e Peshëngritjes kanë folur edhe vetë sportistët, ku përveç të tjerave ata shprehen se pavarësisht se kanë shumë vite pjesë e saj nuk kanë marrë asnjë ditë siguracion.

stop 1

Gazetari: Pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”?

Leonard Toska, Trajner i Kombëtares së Peshëngritjes: “Porsa erdhëm nga kampionati europian i Norvegjisë që u zhvillua në Forde u mblodhëm në Federatën e Peshëngritjes shqiptare, ku u analizua ekipi jonë. Ekipi jonë arriti suksese të mira duke shmangur dopping-un. Presidenti i Federatës Shqiptare bashkë me ato oborrtarët e vet nxorën që sportistët kanë bërë thyerje disiplinore. Në fund vendosa të flas. Iu drejtova presidentit duke i thënë se askush nuk ka bërë thyerje disiplinore, përkundrazi  ekipi ka dalë shumë mirë, me një medalje bronzi. Por problemi i vetëm që kanë sportistët është se duan lekët. Kanë 4 vite që sportistët nuk marrin pagat.

Gazetari: Sa është numri i sportistëve që nuk paguhen?

Leonard Toska: “Janë 3 femra dhe 8 meshkuj. Jepu paratë sportistëve thashë se ka vajtur aty ku nuk mban më. Sportisti nuk punon në 2016 për bukë se është turp. Jepu pagat që ta mbajmë ekipin solid thashë, ta kemi të përgatitur për lojrat mesdhetare që do vijnë. Kam bërë një palestër komode me djersën time, me punën time, kam djem shumë të sjellshëm.E keqja është se ata nuk marrin para. Më vjen turp para atyre që kërkojnë pagat e tyre.”

Për mikrofonin e “STOP” ka folur edhe kampioni i europës në peshngritje që i ka sjellë 40 medalje shtetit shqiptar, Erkand Qerimaj, i cili ka theksuar problematikat e peshëngritjes dhe problemet me të cilat po përballen sportistët.

stop 2

Erkand Qerimaj, Peshëngritës: “Sot është një situatë në Federatën shqiptare të Peshëngritjes që momentalisht kanë mbaruar të gjitha fondet dhe nuk ka trajtime për sportistët.”

Gazetari: Si paguheni ju si sportistë?

Erkand Qerimaj: “Ato janë trajtima, nuk janë pagesa. Nuk ka siguracione për sportistët, nuk ka mjekë në stërvitje ose kur shkojmë në gara.”

Gazetari: Prej sa kohësh merresh me sport?

Erkand Qerimaj: “Kam 19 vite që merrem me sport. Nuk kemi asnjë ditë siguracion. Të gjithë sportistët shqiptarë janë pa siguracion. Kjo që ndodhi tani nuk ka ndodhur më përpara që të mbarojë fondi që në Prill.”

Gazetari: Sot si sportist për çfarë po përgatitet Erkandi nesër?

Erkand Qerimaj: “Momentalisht po përgatitem për olimpiadën.”

Gazetari: Në të tilla kushte, si përballohet?

Erkand Qerimaj: “Ja në këto kushte siç t’i tregova. Këto janë kushtet e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.”

Gazetari: Si një peshëngritës profesionist, cilat janë arritjet dhe medaljet që ju i keni sjellë shtetit shqiptar?

Erkand Qerimaj: “Kam sjellë medalje europiane, botërore, mbi 40 medalje në total. Rekorde europiane, botërore, kampion europe për të rriturit. Këto janë titujt më kryesor.”

Gazetari: Kanë kaluar afro dy javë që ka mbaruar kampionati europian i peshëngritjes, çfarë sollët ju për shtetin shqiptar çfarë rezultati?

Të njëjtat problematika ka theksuar edhe peshëngritësi, Brikel Calaj, i cili rrëfen për mikrofonin e “STOP” sfidat me të cilat po përballet ai dhe kolegët e tij.

brikel

Brikel Calaj, Peshëngritës: “Rezultati im ishte një medalje bronzi, një arritje e madhe për Shqipërinë. Para këtij kampionati dola i gjashti në kampionatin botëror.”

Gazetari: Sa i përket pagesës, si është situata?

Brikel Calaj: “Pjesa e pagesës në shqipëri është katastrofë. Unë absolutisht për momentin nuk paguhem fare. Janë numrat e llogarisë që mund ta vërtetojnë. E kemi shkatërruar ekonominë e familjes.”

Gazetari: Pra arritjet tuaja në sport janë falë ndihmës ekonomike të familjes?

Brikel Calaj: “Familjes dhe njerëzve të mi. I quajnë dhe tradhtar pastaj sportistët kur largohen. Plus këtyre nuk kemi asnjë ditë siguracion. Kam 11 vite pjesë e ekipit kombëtar dhe nuk kam qoftë një ditë siguracion. Kemi përpara lojërat olimpike që janë të arritshme, thjeshtë kërkojmë ndihmë nga shteti dhe institucionet.”/tvklan.al

Please follow and like us: