Ekspozohet Rembrandti i humbur
Për shumë kohë ishte dergjur në një bodrum të Nju Xhersit dhe u zbulua rastësisht nga fëmijët e çiftit që kishte jetuar në atë shtëpi.
Vepra tashmë e rehabilituar e Rembrandt van Rijn, një ndër të parat e mjeshtrit të madh holandez, është kthyer në element kyç të ekspozitës së artistit të shekullit të XVII në muzeun “J. Paul Getty” të Kalifornisë.
Pacienti i pavetëdijshëm, një alegori e ndjesisë së aromës, paraqet dy burra duke i vendosur një copë lecke nën hundë një personi të tretë. Vepra e përmasave 22 me 18 centimetra daton në 1624-tën. Besohet se ajo është krijuar nga Rembrandti në moshë tepër të re.
Në Kaliforni, piktura do të ekspozohet deri më 28 gusht, e pas kësaj, bashkë me krijimet e tjera do të dërgohet edhe në vende të tjera të botës.
Pa e ditur që bëhej fjalë për një vepër të gjigantit të historisë së artit, shtëpia e ankandeve “Nye and Co”, në Bloomfield të Nju Xhersit e vlerësoi fillimisht vetëm për 800 dollarë. Sot vlera e saj llogaritet në gati një milion dollarë.