Endrra e Rozafa Kelmendit
Rozafa Kelmendi ka lindur në Pejë ku është rritur pa i ndjerë dallimet gjinore që u imponohen shumë vajzave qysh në fëmijëri, duke qenë e barabartë me vëllezërit, që vazhdojnë të jenë përkrahësit e saj më të mëdhenj, krahas prindërve.
Arsimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Pejë, ndërsa studimet Bachelor për Administrim biznesi dhe masterin për Menaxhment dhe informatikë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht Rozafa po vazhdon studimet master për Integrime evropiane dhe administratë publike në Fakultetin filozofik në UP.
Krahas studimeve ajo ka vijuar edukimin joformal në disa institucione në Kosovë dhe jashtë saj. Vitin e kaluar, si bursiste e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, ka ndjekur programin për ligj dhe lidership në Uashington.
Pas disa angazhimeve afatshkurtra, puna e saj e parë ishte në Radion Dukagjini, punë që ajo e kujton si një nga përvojat më të bukura deri më tani. Pas kësaj, për tri vite Rozafa ka punuar me korporatën franceze Lactalis – grupacioni më i madh i produkteve të qumështit në botë dhe katër vite të tjera me programin e Fondit Global në Kosovë.
E pyetur për peripecitë që ajo i ka hasur gjatë rrugës së karrierës, Rozafa tha:
“Sikurse për shumë prej nesh, përvoja më e keqe jetësore ka qenë ajo e para 17 viteve, kur kemi përjetuar luftën nga e cila kemi humbur shumë, materialisht e më së shumti shpirtërisht. Kjo ka ndikuar që unë, duke u rritur, t’i jap tjetër formë ëndrrës sime të parë, për tu bërë poete dhe ta drejtojë nga gazetaria. Kështu kisha mundësi që në një mënyrë t’u jap zë atyre që nuk dëgjohen dhe njëkohësisht të rrëfejë histori suksesi e frymëzimi”.
Në vitin 2013 ajo është vlerësuar me Çmimin gazetaresk për shkrimin më të mirë mbi varfërinë në Kosovë (media online), organizuar nga Ekipi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK).
Po atë vit, Rozafa ka themeluar ndërmarrjen “Lulëkuqe”, pasi ka fituar një grant nga Programi për ndërmarrës të rijnë YEP – USAID.
Në nëntor të vitit 2015 ka organizuar edicionin e parë në Prishtinë, të Festivalit ndërkombëtar të poezisë “50 Poems for snow” (50 poezi për borën), që organizohet në natën e borës së parë në shumë qytete, si Zagreb, Toulouse, Londër e Çikago.
Janë bërë pothuajse nëntë vite prej kur, krahas angazhimeve tjera, Rozafa është aktive në gazetari dhe aktualisht është pjesë e redaksisë së “Youth time magazine”, revistë që botohet në Çeki e Rusi dhe njëkohësisht shkruan për rrjetin “Al Jazeera”.
“Nëpërmjet ndërmarrjes ‘Lulëkuqe” synoj të përcjellë vlerat e bukura të trashëguara ndër shekuj, të ridizajnuara, për tu përshtatur me trendet aktuale të veshjes. Nga artizanët kam mësuar se kemi pafundësisht mënyra për të zbukuruar jetën, nëpërmjet punës, nëse asaj i japim diçka nga shpirti ynë”, thotë Rozafa.
Ajo i konsideron të gjitha punët në të cilat është angazhuar, si kontribut të vogël në realizimin e ëndrrës sonë për shtet, ku të gjithë mund të jetojnë të lirë, pavarësisht dallimeve.
“Unë besoj te ajo se ‘ne duhet të jemi ndryshimi që duam të shohim në botë’ dhe të tentojmë të bëhemi versioni më i mirë i vehtes, duke u angazhuar për të mirën e përgjithshme, qoftë edhe me gjëra shumë të vogla”, shton Rozafa.
E pyetur se si mendon që profesioni i saj e ndihmon pozitën e gruas në shoqërinë tonë, Rozafa u shpreh:
“Jam mirënjohëse ndaj Zotit për të gjitha mundësitë e dhëna dhe fatin e mirë të takoj njerëz frymëzues në jetë, e gra të zonjat, të cilat e kanë trasuar rrugën për mua. Shpresoj që me punën time do të vazhdojë të jem një hallkë në zinxhirin e ndryshimeve në shoqëri”.