Franca hap hetime të reja për Olimpiadën në Tokio
Prokurorët francezë janë duke hetuar një pagesë prej 2 milionë dollarësh që dyshohet se i është bërë djalit të ish-shefit të Asociacionit Botëror të Atletikës, për të parë nëse ajo ka lidhje me ofertën e Tokios për Lojërat Olimpike më 2020.
Dyshimet për shumën e paguar një firme që ka lidhje me djalin e Lamine Diack janë shfaqur në gazetën Guardian.
Qeveria e Japonisë ka thënë se oferta e Tokios, në vitin 2013, ka qenë e pastër.
Në muajin mars, prokurorët francezë kanë thënë se hetimet për korrupsion të dyshuar në atletikë përfshijnë edhe procesin e ofertimit dhe votimit për Lojërat Olimpike më 2016 dhe 2020.
Edhe Lamine, edhe djali i tij, Papa Massata Diack, tashmë përballen me një hetim për korrupsion në Francë.
I pari është arrestuar vitin e kaluar nën akuzat për korrupsion dhe shpëlarje parash. Ai dyshohet se ka marrë para për të shtyrë sanksionet kundër Rusisë për mashtrim me teste të drogës.
Djali i tij, Papa Massata, i cili është punësuar nga i ati si konsulent marketingu për Asociacionin Botëror të Atletikës, është po ashtu nën hetime dhe një urdhër për arrestimin e tij është lëshuar nga Interpoli.