Inva Mula do të këndojë “La Boheme” në Beograd
71 vjet pas Tefta Tashko Koços, një tjetër artiste shqiptare ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës në Serbi
Më shumë se 70 vjet nga koha kur një soprano shqiptare interpretoi në skenën e Teatrit të Operës së Beogradit, një tjetër artiste shqiptare do të ngjitet në skenën e këtij teatri të muzikës, pas dy javësh.
Është Inva Mula, e cila do të interpretojë rolin e Mimit, në operën “La Boheme” të Giaçomo Puçinit, si e ftuar speciale. Në nëntor të vitit 1945 ishte sopranoja Tefta Tashko Koço e para artiste shqiptare që ngjitej në skenën serbe. Ajo interpretoi rolin e Mimisë tek opera e Puçinit “La Boheme”. Është interesante nëse sheh mënyrën sesi shtypi serb e ka përshkruar vizitën e artistes shqiptare.
Gazeta “Gllas” shkruante më 14 nëntor të vitit 1945 në artikullin me titullin “Vizita e artistes shqiptare Tefta Tashko Koço në Operën e Beogradit” se “Tefta Tashko Koço, antifashiste e shquar shqiptare që ka kryer edukimin muzikor në Francë (diplomuar në Konservatorin e Parisit) këndoi në Operën e Beogradit rolin e Mimit nga ‘Bohème’ e Puçinit, ku paraqitet parisiania e varfër, e qetë dhe e sëmurë”.
“Audienca operistike e kryeqytetit të Jugosllavisë së lirë e demokratike, pikërisht të nesërmen e zgjedhjeve për kuvendin kushtetues, ende në gjendje solemne e shpirtërisht krenare, priti me dashamirësi e ngrohtësi artisten e një populli të dashur e të afërt, që sot është gjithashtu një vend i lirë ballkanik, artisten e Shqipërisë”, shkruan gazeta serbe.
Gazetari përshkruan me tone të ngrohta raportet mes dy vendeve, si dhe interpretimin e artistes shqiptare, duke veçuar timbrin e saj.
“Kështu, në sajë të cilësive të dallueshme artistike të vizitores, ajo mbrëmje operistike mori vetvetiu një shkëlqim fisnik, simbol ky i afrimit kulturor dhe lidhjeve gjithnjë e më të afërta shpirtërore midis dy popujve ballkanikë. Tefta Koço është soprano lirike me shkollë të përsosur, timbër të qartë e të shëndoshë, intonacion të pastër si kristali. Vibracionet natyrore të këtij zëri të natyrshëm, me intensitet të lartë e tingëllim të ngjeshur, e bëjnë atë të përshtatshëm për këtë vepër lirike me karakter të thellë e serioz (pa atë lloj elaborimi të vetive të saj natyrore, ajo nuk do të mund t’i afrohej rolit të Mimit). Me një teknikë të përsosur vokale, veprime të matura e frazim plot shije, Tefta Koço arrin një shkallë bindëse në shtjellimin e saj vokal e artistik, duke transmetuar me finesë rolin shprehës të Mimit”, thuhet në shkrim.
Në analizë vijohet të nxirret në pah korrektësia artistike me të cilën Tefta Tashko Koço e interpretoi rolin, duke pasur parasysh që një rol i tillë nuk ishte i lehtë.
“Me gjeste shumë të përmbajtura, të qeta e delikate, duke ruajtur gjithnjë me kujdes karakterin liriko-tragjik të rolit, Tefta Koço, me mjetet e saja artistike, shpalosi një krijim operistik të përpunuar me shumë kujdes në përputhje të plotë stilistike me karakterin kryesor të partiturës puçiniane”, përfundon shkrimi.