KADAREJA I RREZIKUAR
Refleksione mbi ditarin sekret të E.Hoxhes për poezinë “Pashallarët e kuq”/
NGA URAN BUTKA/
Kur lexova shënimet e E. Hoxhës për poezinë “Pashallarët e kuq” në ditarin e tij të fshehtë, u befasova dhe u trondita njëherësh, gjë që s’duhet të më kishte ndodhur.
Unë si studiues e njoh mirë figurën e Enver Hoxhës, zbuluar nëpërmes dokumenteve arkivore, e kam të qartë thelbin e mendimit dhe të veprimit kriminal e terrorist të E.Hoxhës, por edhe dyfytyrësinë e tij, hipokrizinë dhe shtirjen për t’u rrëfyer ndryshe nga ç’ishte në të vërtetë, djalli me fytyrë engjëlli, që të vriste natën dhe të qante ditën; megjithatë u befasova, sepse nuk e kisha besuar plotësisht që ai e kishte futur Ismail Kadarenë në rrethin e kuq të armiqve të partisë e të shtetit komunist dhe që kishte për shkrimtarin Kadare një urrejtje aq të madhe, qe cila shkonte deri në tmerr. Nuk e besoja edhe për faktin që Kadareja e kishte paraqitur artistikisht figurën e Enver Hoxhës në romanin “Dimri i Madh”, si asnjë shkrimtar tjetër, sipas meje jo si një udhëheqës komunist, por në planin kombëtar të mosnënshtrimit të një vendi të vogël ndaj diktatit komunist rusomadh dhe të shkëputjes së guximshme nga traktati ushtarak i Varshavës.
Mund të them me saktësi arkivore se E.Hoxha në kohën e Luftës por edhe të pasluftës, i ka urdhëruar, miratuar dhe firmosur si komandant i Përgjithshëm të gjitha ekzekutimet me vdekje të personaliteteve të shquara, pa iu dridhur qerpiku, duke vrarë kështu trurin e kombit. Mes tyre edhe shkrimtarë e poetë të njohur, si bie fjala: heshtja vrastare ndaj Lasgush Poradecit, ndalimi i veprës të Gjergj Fishtës dhe të Mid’hat Frashërit, burgosja e Musine Kokalarit, Mirtrush Kutelit, Visar Zhitit, Pano Taçit, Trifon Xhagjikës, Mirush Jeros (që Mehmet Shehu i dorëzoi flamurin e festivalit teatror për dramën “Hijet e murrme”, ndërsa E.Hoxha të nesësmen e quajti dramë reaksionare dhe e futi në burg autorin) etj. dhe deri tek pushkatimi i paimagjinushëm i Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës për disa vargje lirikë.
Diktatori E.Hoxha e kishte përqëndruar në duart e tij gjithçka, edhe fatet njerëzore e kombëtare, i ngërthyer në delirin e tij të madhështisë e të pushtetit totalitar. Ai qëndroi i tillë për gjysmë shekulli i lidhur ngushtë dhe i shërbyer herë tek jugosllavët, herë tek sovjetikët e herë tek kinezët, mandej i mbetur vetëm, pezull dhe i bunkerizuar në mes të luftës së Ftohtë midis Perëndimit e Lindjes, duke u ushqyer me gjakun e paktë të popullit të vet.
Ky njeri i gjithëpushtetshëm, që ia siguronte këtë gjë diktatura, ishte njëherësh antenangritur edhe frikacak, si çdo diktator, që trembej edhe nga lëvizja e perdes. Më shumë prej gjithçkaje ai druhej nga inteligjencia, që e quante rrezikun më të madh, veçanërisht i druhej fjalës së lirë, por të ndaluar, që herë pas here, edhe nën terror, shpërthente, siç ishte revolta e Spaçit dhe fjala e lirë e tyre në vitin 1973, që e tronditi pa masë pushtetin e tij, pikerisht dy vite përpara nisjes për botim së poemës së Ismali Kadaresë “Pashallarëet e kuq”(1975). Mendoj që Kadareja është ndikuar edhe nga kjo revoltë e përgjakur, tek shkruan për pushtetarët se i kanë të lyera duart me gjak deri në bërryl. Më shumë sesa nga revolta e të burgosurve politike, që gjithsesi i kishte nën kontroll ushtarak, Enveri kishte frikë nga personalitete të fuqishme të letrave, si Kadareja, të cilin mundohej ta kishte nën kontroll si shërbëtor të regjimit.
Ai përpiqej të kishte gjithçka nën kontroll të rreptë, por, çdo dalje nga ky kontroll që këqyrej rreptësisht nga partia dhe organet e Sigurimit të shtetit, i sillte atij turbullime frike dhe reagim represiv, terrorizëm dhe viktima të pafajshme të herëpasherëshme.
Unë isha i bindur se Hoxha nuk e ka dashur kurrë dhe e ka luftuar tinëzisht shkrimtarin Ismail Kadare, por edhe e ka mbrojtur nga vetë Enveri, siç thotë shkrimtari, natyrisht për interesat e tij e të sistemit komunist. Nuk do mohuar edhe fakti i vetëmbrojtjes, kujdesit dhe vetëkritikës së shkrimtarit në momentet kur sulmohej për t’u shqyer nga knerët e kuq. Kjo është universalisht njerëzore, pavarësisht sesi është përfolur nga liliputët e letrave. Ata e akuzonin Kadarenë se kishte ndërtuar figurën e Enver Hoxhës, qëllimisht të shkëputur nga Partia, për të mbrojtur veten dhe veprën e tij. Mbrojtja e jetës është një nga instiktet më të forta njerëzore, madje edhe qeveritë kudo në botë këtë duhet të kenë qëllim kryesor të tyre, ndonëse ndodhte ndryshe në regjimin e E.Hoxhës. Nëse Kadareja donte të mbronte thjesht jetën e tij dhe të familjes, do të ulte kokën, do të dëgjonte porositë e partisë, do të ishte i “qetë”, por askushi, ndërsa ai vendosi të rrezikonte edhe jetën, për të shkruar një letërsi të madhe dhe për të mbrojtur veprën e tij tashmë të mirënjohur e të vlerësuar botërisht.
Më kujtohen vargjet e Dantes, kur ishte i sulmuar politikisht dhe i internuar, kushtuar vetvetes dhe përpjekjes për të mbrojtur natyrshëm jetën dhe veprën e tij:
Ashtu si gjethi që përkul majën,
në kalimin e erës,
për virtutin e vet, që e lartëson.
Kjo e lartëson edhe Kadarenë. Edhe qëndresën e tij.
Isha plotësisht i vetëdishëm, madje disponoj edhe dokumente, se sistemi socialist, veçanërisht Sigurimi i Shtetit e kishim luftuar dhe e luftonin Kadarenë, sepse ai nuk u thye, sepse ai kishte dalë nga vatha, kishte shkelur rregullat e realizmit socialist dhe, në mjaft vepra realiste, përfshirë edhe romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, aludonte kundër qeverisjes dhe mënyrës së jetesës së vetmuar, të mbyllur dhe njëngjyrëshe socialiste (kujto shprehjen e një personzhi: “Socializmi është si Saturni që ha këlyshët e vet”). Kush mund ta shkruante këtë veç Ismail Kadaresë.? Apo te romani “Kronikë në gur”, pjesa e fundit e librit përshkruan luftën civile në Gjirokastrër, terrorin e kuq të komunistëve dhëmbë për dhëmbë më terrorin e bardhë të kundërshtarëve të tyre. Skena të luftës civile në qytetin e gurtë, ishte si në gjithë Shqipërinë, një mynxyrë. Dhe shkrimtari shkon edhe më tutje, përtej çdo kufiri e rreziku. Në bisedën e plakave gjirokastrite, flitet për atë që po ndodhte në Gjirokastër, për luftën vëllavrasëse mes shqiptarëve. Xhezoja i thotë Kako Pinos: “Tani ka dalë një luftë e re, sesi e quajnë s’e them dot, luftë me kllasa apo luftë e kllasës( me shkronjën “ll” siç e shqiptonte Enver Hoxha). Kjo është ndryshe nga të tjerat. Në këtë luftë vëllai vret vëllanë dhe i biri babanë.. Thonë se djali i Hoxhatëve, Enveri, e ka shpikur atë luftën e re, që të thashë…”
Letërsia e vërtetë shpesh dhe jep kohën më mirë se historia.
Kur hynë partizanët në qytetin e Gjirokastrës, një partizan vret përpara portës babanë bashkë më të birin, sipas listës së pushkatimeve të dhëna nga Partia, por vret nëkohësisht edhe vajzën, që nuk ishte në listë e vdekjes, por që u përpoq t’i mbronte babanë dhe vëllanë.
E kush kishte kurajën t’i shkruante këto pasazhe terroriste të luftës civile, përveçse Ismail Kadaresë? Unë kam shkruar një libër për Luftën civile ne Shqipëri 1943-1945, të cilën Ismail Kadareja e ka quajtur një vepër monumentale, por ama e kam shkruar në liri, në këto vitet e demokracisë, ndërsa Kadareja i përshkruan këto skena të luftës civile dhe të terrorizmit komunist në kulmin e regjimit Hoxhist, kur të ikte koka për një shënjë, për një gjest, për një fjalë e jo më për imazhe të tilla tejet të guximshme, por të vërteta, e të gdhëndura në gur.
Ismail Kadareja bënte letërsi të madhe, të shkruar brenda lirisë së brendshme të tij dhe në sajë të talentit letrar të vetvetishëm, të lindur, të madhërishëm.
Mirëpo kjo letërsi është, sipas meje, edhe edhe akt qytetar, që kundërshton mungesën e lirisë të njerëzve, të lirisë së munguar të popullit të vet, pra një art disident në kuptimin e drejtpërdrejt të fjalës.
Ky ka qenë përceptimi im për veprën e Ismalil Kadaresë, mendim i cili u përforcua dhe u plotësua nga botimet e tjera si “Ura me tri harqe”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Prilli i thyer” etj dhe sidomos kryevepra “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, një nga veprat letrare më disidente të kohës sonë.
Mirëpo, kur lexova botimin e nxjerrë nga arkivi i shtetit prej studiuesit Shaban Sinani “Pashallarët e kuq” dhe sidomos, kur lexova edhe ditarin e fshehtë të Enver Hoxhës, të botuar nga D.Kaloçi për këtë poemë, kuptova që Ismail Kadareja dhe vepra e tij ishin më shumë të arrezikuara se ç’kisha menduar, në atë sistem çnjerëzor. Unë i kam provuar vetë vuajtjet mizore të atij sistemi, por nuk mendoja se edhe Kadareja ka qenë njëlloj i rrezikuar, ndoshta edhe më shumë se unë, që e quaj vuajtjen fatkeqësi, apo se mjaft të tjerë që rrahin mburrshëm gjoksin.
Personi që e ka rrezikuar më tepër, por edhe e ka mbrojtur Kadarenë, është vetë Enver Hoxha. Në analizën prej 11 faqesh, që Enver Hoxha i bën poezisë “Pashallarët e kuq”, ai shfaqet i pamëshirshëm ndaj shkrimtarit Ismail Kadare dhe poezisë së tij. U befasova për analizën e thellë e të hollësishme, që bën ai poezisë në fjalë, me depërtimin e tij perfid në të fshehtat e artit dhe të mendimit, në këtë rast të “Pashallarëve të kuq”, ku ai zhbiron me një gjakftohtësi rrëqethëse të vërtetat e kobshme të thëna në atë poezi, si edhe rreziqet që mund t’i sillnin ato regjimit, ndërkohë që as Ramiz Alia, nuk i kapte dot. Dua të them, që E.Hoxha na del në këtë analizë idesh sa pervers, perfid dhe vulgar, kur i quan vargjet e poezisë mutra, aq edhe një gjeni i së keqes në zbulimin e të vërtetave të hidhura, të kobshme dhe disidente të artit kadarejan. Enveri e sheh poezinë në fjalë si një herezi “në kundërshtim me veprën e Partisë dhe që shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia”. Sipas tij, Ismaili është një poet borgjez, reaksionar, kundërrevolucionar, antisocialist.
A ka ku të shkojë më keq dhe më mirë se kaq për Kadarenë? Rreziku është i lishur ngushtësisht me lavdinë.
E.Hoxha zhbiron dhe zbulon ato dukuri të vërteta që i bëjnë nder veprës së Kadaresë, në thelb kundërshtare e regjimit komunist dhe e çdo sistemi antinjerëzor.
“Për këtë poet reaksionar vendi ynë socialist është një vend burokratësh dhe burokratët i kanë duart të lyera deri në bërryl me gjak” -shkruante në ditarin e tij të fshehtë E.Hoxha. – “Kadareja është kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, kundër socializmit në përgjithësi, dhe në vendin tonë në veçanti”
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm , ho,ho,ho,
Por të kobshëm, me duar të përgjakura
Gjer në bërryle unë ata i shoh.
Enveri po përgatitej për një ndëshkim të madh, por të përmbajtur, jo vetëm ndaj jetës, por kryesisht ndaj veprës së Kadaresë, si në kohën e Inkuizicionit, nëse shkrimtari nuk do të bëhej shkrimtar i oborrit dhe shërbëtor i sistemit, siç i quante ai intelektualët dhe shkrimtarët. Nuk e kishte për gjë ta bënte këtë apo të kundërtën e saj, nuk druhej nga asnjë gjë, as nga bota e brendshme dhe as nga bota e jashtme, veçse druhej nga vetja e tij, sepse e ndiente veten , sa të fuqishëm, aq edhe të dobët, frikës, dyshues. Tek çdo të dyshuar, ai shikonte një kundërshtar, një armik, që duhej ta shkelte me këmbë ose ta asgjësonte.
Fakti që Kadarenë egoditën egërsisht me forcën e luftës së klasave në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, drejtuar nga Ramiz Alia, pas të cilit qëndronte vetë Enver Hoxha dhe porositë e tij, dhe që, sipas Ditarit, e kishte kritikuar Ramizin si miop e naiv, që nuk e kishte kuptuar thelbin armiqësor të poezisë së Kadaresë, fakti tjetër që Kadarenë e larguan nga Tirana në rrethin e Fierit, që të punonte si punëtor dhe të “riedukohej”, etj, ishin masa paraprake për ta nënshtruar, frikësuar, përkulur dhe dorëzuar. Fakti që poema nuk u botua, u zhduk apo u fsheh, bashkë me autokritikën e Kadaresë, rrëfen për shpresën e E. Hoxhës se mund ta bënte për vete Kadarenë, pa e bërë publike botërisht ndëshkimin e tij të bërë gati.
Mirëpo në atë çast kritik psikologjik dhe krijues, Kadareja qendroi fort dhe siç e pohon edhe vetë në një intervistë, krijimtaria e tij nuk pësoi ndonjë ndryshim, përkundrazi u zymtua dhe u ashpërsua edhe më tepër, po të marrësh parasysh romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, që u shkrua pikërisht pas kësaj ngjarjeje tronditëse.