Albspirit

Media/News/Publishing

Shalsi letër Metës: Kuvendi po degradon, neveri nga debati banal

Deputeti socialist Eduart Shalsi  i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare, të PD, PS, LSI dhe PDIU, në të cilën kërkon respektimin e procedurës parlamentare për të zbatuar rigorozirisht rendin e ditës.

Shalsi në letrën e tij kritikon zhvillimin e seancave parlamentare të cilat sipas tij po degradojnë duke dëmtuar rolin e institucionit që përfaqëson shqiptarët.

Sipas tij në kuvend flitet për gjithcka, por jo për projektligjet në rend të ditës, ku pjesën më të madhe të kohës e marrin debatet.

“Duke vërejtur me shumë keqardhje që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë fakti që ndërsa në rendin e ditës kemi projektligje të caktuara ,në Seanca Parlamentare flitet për gjithshka tjetër përveçse projektligjeve në fjalë,çka përveçse në shkelje të Rregullores nuk përputhet aspak, as me funksionin e Kuvendit dhe as lejon publikun të kuptojë opinionet, qëndrimet, si dhe arsyet se përse këto ligje diskutohen dhe, për pasojë, miratohen ose jo. Por, e konsideroj si të papranueshme atë që po ndodh në seancat parlamentare, të pashëndetshme për demokracinë parlamentare, krejtësisht të dëmshëm për imazhin dhe reputacionin e Parlamentit dhe aspak të dobishme qytetarët shqiptarë,” shkruan Shalsi në letrën e tij.

Ja letra e plotë e deputetit socialist Eduart Shalsi
Thellësisht i shqetësuar dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie, po Ju drejtohem në lidhje me zhvillimin e seancave parlamentare, të cilat në opinionin tim po degradojnë gjithnjë e më shumë duke dëmtuar rëndë rolin dhe funksionimin e institucionit demokratik suprem që përfaqëson shqiptarët.

Po më bëhet gjithnjë e vështirë pjesëmarrja me kohë të plotë në seancat parlamentare, e lëre më pastaj të marr fjalën për të diskutuar, për shkak të mungesës së dukshme të etikës, të rregullit dhe disiplinës minimale parlamentare, ndërkohe që vijoj intensivisht dhe me përkushtim maksimal punën në Komisionin e përhershëm parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit,si dhe në të gjitha aktivitetet e tjera parlamentare brenda dhe jashtë vendit, në përmbushje të përgjegjësive që burojnë nga të qenit i zgjedhur i popullit.

Më duhet të sqaroj se nuk kam kurrfarë droje nga debati parlamentar, paçka se më bezdis deri në neveri debati banal dhe gjuha vulgare që rëndom ndeshet në seancat parlamentare.

Nuk kam asnjë problem me pikëpamjet e kundërta dhe nuk më shqetësojnë aspak përplasjet e ashpra të mendimeve të ndryshme, por ndjej përbuzje meabuzimin dhe të folurit vend e pa vend të individëve të veçantë në foltoren e Parlamentit.

Duke vërejtur me shumë keqardhje që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë fakti që ndërsa në rendin e ditës kemi projektligje të caktuara ,në Seanca Parlamentare flitet për gjithshka tjetër përveçse projektligjeve në fjalë,çka përveçse në shkelje të Rregullores nuk përputhet aspak, as me funksionin e Kuvendit dhe as lejon publikun të kuptojë opinionet, qëndrimet, si dhe arsyet se përse këto ligje diskutohen dhe, për pasojë, miratohen ose jo.

Por, e konsideroj si të papranueshme atë që po ndodh në seancat parlamentare, të pashëndetshme për demokracinë parlamentare, krejtësisht të dëmshëm për imazhin dhe reputacionin e Parlamentit dhe aspak të dobishme qytetarët shqiptarë.

Janë të shumtë shqiptarët që do të donin të dëgjonin prej nesh se çfarë mendojmë, si i gjykojmë dhe analizojmë ligjet, kë dëgjojmë, me cilët konsultohemi, sa hapësirë i japim specialistëve kur vendosim për ligjet, si i llogarisim përfitimet që ligjet e reja sjellim apo pasojat e atyre të vjetra etj., etj.Por e kanë të pamundur përsa kohë ne në vend të flasim për rendin e ditës flasim për gjithshka qënuk ka lidhje me të.

Ka një parashikim të veçantë tek rendi i ditës së punimeve të Kuvendit në Seance Parlamentare, të sanksionuar në një pikë të veçantë, që quhet diskutim i lirë dhe çdo deputet mund të flasë për çdo lloj çështje jashtë rendit të ditës që e konsideron si të rëndësishme. Gjithkush nga ne mund dhe duhet ta përdorë këtë hapësirëpër të folur për tema që e shqetësojnë. Nëse është vetëm 60 minuta ejani të ndryshojmë Rregulloren dhe ta bëjmë 120 min, 240 min, apo edhe më shumë nëse do të duhet.

Më lejonit’Ju drejtohem me kërkesën e rivendosjes së rregullit të proçedurës parlamentare për të zbatuar rigorozisht rendin e ditës që nuk privon aspak asnjërin prej nesh të flasë për gjithshka do jashtë rendit, por që këtë ta bëjë në hapësirën e rezervuar si diskutim i lirë.

Jam i bindur që në këtë mënyrë nuk do të vazhdojë rënia përditë e më shumë e interesit të shqiptarëve për të ndjekur seancat parlamentare, dhe për pasojë për t’u përfshirë në jetën parlamentare, si dhe do të hedhim një hap të rëndesishëm në rritjen e besimit të qytetarëve te Parlamenti si dhe në rritjen e cilësisë së debatit parlamentar.

Please follow and like us: