SHBA, gati të aktivizojnë mburojën anti-raketë në Rumani
Shtetet e Bashkuara përgatiten të aktivizojnë stacionin tokësor të mbrojtjes anti-raketë në Rumani, i cili është pjesë e mburojës më të madhe dhe gjerësisht kontroverse europiane.
Në ceremoninë e organizuar në Deveselu pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë amerikanë dhe të NATO-s. Në argumentet e Uashingtonit, sistemi “Aegis” është një mburojë që shërben për të mbrojtur Aleancën e Atlantikut të Veriut nga raketat me rreze të mesme e të shkurtër veprimi. Rusia megjithatë, marrëdhëniet e të cilës me Perëndimin janë përkeqësuar ndjeshëm pas aneksimit të gadishullit jugor ukrainas të Krimesë në 2014-n, e shikon si kërcënim për sigurinë e saj. “Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe NATO-ja e kanë bërë të qartë se sistemi nuk është konceptuar të minojë aftësinë strategjike të Rusisë. Rusia ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësime se mbrojtja raketore drejtohet kundër saj, por nuk mund të ketë gjë më të pavërtetë se kjo”, deklaroi Frank Rose, ndihmës sekretar i Shtetit. Që prej vitit 2013, Amerika besohet të ketë shpenzuar 800 milionë dollarë për radarë dhe interceptorë të raketave “SM-2”. Një bateri të tyre do ta ketë edhe stacioni rumun. Për vite të tëra, Shtetet e Bashkuara e kanë tesuar sistemin “Aegis” edhe nëpër luftanije. Të premten, një tjetër fazë e projektit do të vihet në jetë në Poloni, përmes një ceremonie në Redzikovo, pranë detit Baltik, ku raketat “Aegis” do të jenë funksionale në 2018-n.