Të panjohurat e “Dimrit të vetmisë së madhe”
Minella Aleksi
Studimi i paradokohëve i autorit Met Dervishi “Intertekstualja dhe Disidenca te Dimri i Vetmisë së madhe” më shërbeu si nxitje që të shpreh opinionin e mëposhtëm. Fjala është pёr pёrshkrimin e personazhit tё diktatorit në roman, gjë për të cilën shkrimtarin Kadare e keqkuptojnë dhe e keqinterpretojnë dashakeqësisht. Do argumentoj përse them e keqkuptojnë dhe keqinterpretojnë dashakeqësisht. Ky roman përmban një veçori themelore. Romani u krijua si vepër artistike duke u bazuar tërësisht mbi një ngjarje të madhe historike, shkёputjen e shtetit shqiptar nga kampi sllavo-komunist. Temë sa e vështirë aq edhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme për fatin e autorit. Kjo ndodhte në 1973. Për herë të parë lexuesi shqiptar e ai botëror i gjente të mbledhur në një sallë ata që ende e bënin të dridhej botën Perëndimore.
Në këtë roman të gjithë personazhet si, shtresa e intelektualëve dhe artistëve, shtresa e të rinjve shqiptarë, shtresa e klasës punëtore, udhëheqja e partisë dhe komunistët, nëpunësit e Sigurimit famëkeq dhe drejtuesi i tyre K. Xoxe, shtresa e të deklasuarve politikë, shtresa e familjeve të dëshmorëve, fshesaxhinjtë e rrugëve, etj, janë trajtuar artistikisht në mënyrën më realiste. D.m.th. tema e shkëputjes është bërthama e romanit dhe sjella, reagimi i shtresave shoqërore në raport me këtë bërthamë janë zhgualli që e bëjnё romanin një vepёr të tërë. Kaq vërtetësisht është pasqyruar ajo periudhë në roman, kaq reale janë dialogjet e personazheve, sa lexuesi e gjen veten brenda personazheve. Nuk ka asnjë dyshim se kjo shkёputje historike nga Moska shkakun nuk e kishte te ndonjë prirje pro perëndimore e udhëheqjes së shtetit shqiptar të asaj kohe.
“Çështje doktrine, mbrojmë doktrinën komuniste”, gjëmonte propaganda e partisë. Arsyeja ishte tjetër, lufta e E. Hoxhës për të ruajtur mbijetesën e vet në pushtet. Enver Hoxha ishte njё njeri shumё diabolik dhe njё politikan i klasit tё parё. Ishte gjithashtu njё njohёs i mirё i letёrsisё por edhe njё shkrimtar mediokёr. Pa dyshim edhe një vlerësues i pamohueshëm i talentit të madh të shkrimtarit Kadare. E. Hoxha ishte njё djall i vёrtetё nё eleminimin e rivalёve e kundёrshtarve politikё, nё zbatimin e luftёs sё klasave, nё luftёn kundёr fesё, nё manipulimin e masave, nё izolimin e vendit. Për të keqen e popullit të vet ishte më i zi sesa vet e zeza. Njerёz tё ditur qё pёr vite tё tёra kanё qёnё afёr tij pohojnё se E. Hoxha ishte frikacak. Në kohën e dënimit të kultit të individit në gjithë Bllokun Lindor komunist E. Hoxha arriti tё kapte pёrmasёn historike tё situatёs kur historia e vendosi para provës, të mbijetonte në pushtet apo të eleminohej fizikisht si disa udhëheqës të tjerë nga vendet e Lindjes komuniste.
E. Hoxhën në vitet ‘60-70 njerëz të kulturuar të fushave të ndryshme në Tiranë e quanin “artisti ose aktori” mbasi gjithmonë ai dukej që luante një pjesë, një rol. Luante lojën e udhëheqësit të dashur dhe shumë të drejtë me popullin. Ai jo pak herë përpara njerëzve arrinte të autosugjestionohej deri në shprehjen e fytrës të përlotur, që mallëngjehej thellësisht nga entusiazmi dhe kontaktet me njerëzit e thjeshtë. Ai “përbënte burimin e ujit të kristaltë” që vadiste partinë dhe jetën e popullit të tij të dashur. E. Hoxha kishte një etje të madhe për lavdi, e cila te ai me kalimin viteve mori përmasa groteske. Ishte qartësisht me mendësi narcizisti. Shkëlqimi dhe fama e Titos në vendin fqinj e bënte që psikologjikisht të vuante shumë. Rivalizonte me Titon dhe reagonte shpejt duke bërë të kundërtën e tij. Një aspekt – Titua bënte vetadministrimin, Enveri zbatonte kolektivizimin. Nuk mund të harrohet shprehja e asaj kohe të përpiluar në zyrat e dizinformimit të KQ të partisë se, “fatkeqësia e shokut E. Hoxha është që atij i ka rënë fati që të udhëheqë një popull fare të vogël. Si udhëheqës largpamës kapaciteti i tij është për një popull bie fjala 20 milion e sipër”. Në vazhdim të këtij mentaliteti narcizist, për të krijuar aureolë herë pas here nga të njëjtat zyra dilnin pëshpëritje, alibira, se këtë udhëheqës të madh donin ta vrisnin shërbimet e huaja inteligjente. Në popull thuhej se më në fund shqiptarët fatlum kishin gjetur udhëheqësin legjendar. Në këto rrethana E. Hoxhës si sekretar i parë i partisë iu imponua alternativa më e rrezikshme kur Hrushovi i kërkoi rregullimin e marrëdhënieve me Titon. D.m.th që më pas detyrimisht nën parullën e luftës kundër kultit të individit, të lëshonte pushtetin.
Lind pyetja: Si ka mundësi qё ky njeri tepër i mprehtё, diabolik dhe frikacak njёkohёsisht, vendosi qё në mes të rrezikut maksimal tё shkonte nё Moskё dhe tё bёnte atё ndeshje historike qё tashmё njihet. Kur frika e eleminimit ishte e madhe. Me sa duket mendjet me intelekt tё zhvilluar kanё aftёsinё qё nё njё moment tё caktuar tё akumulojnё energji analizuese tё asaj shkalle sa qё arrijnë të reagojnë shumë fuqishëm psikologjikisht nё tё njёjtёn masё shpёrthyese me vlerёn historike tё ngjarjes ku janë përfshirë.
E. Hoxha zgjodhi të bënte të vetmen zgjidhje mbijetese, heroin, jo frikacakun e strukur brenda zyrёs sё tij nё Tiranё. Ai e sfidoi kupolën e mafies komuniste në shtëpinë e vet, brenda në Kremlin. Nuk mund të mohohet se ky qëndrim e rriti figurën e tij në sytë e popullit të thjeshtë për një farë kohe. E. Hoxha mund edhe ta shmangte vajtjen në Moskë në krye të delegacionit. Mund të dërgonte atje M. Shehun, apo si në Bukuresht H. Kapon. Kalkulimet që E. Hoxha ka bërë me këtë rast, ky njeri që nuk mbahej për trim i çartur e që në luftë nuk kish marrë pjesë në asnjë betejë, duhet që të kenë mbartur brenda tyre edhe një argument që mendoj se është kryesor. E. Hoxha rrethohej nga bashkëpunëtorë luftëtarë që kishin qënë me vite në frontin e parë të zjarrit partizan. Ata psikologjikisht e moralisht kishin epërsinë e të qënurit në front dhe jo si ai në prapavijë. Kjo gjë i ishte thënë në sy në disa raste. E. Hoxha e kish kuptuar mirë se këtë diferencë në kredite trimërie në raport me ata që e rrethonin, i duhej që domosdoshmёrisht ta plotësonte në një apo në një tjetër mënyrë. Në rast se E. Hoxha nuk do tё shkonte në Moskë, lavdia e tij te bashkëpunëtorët e afërt do zvogëlohej, para tyre ai do dukej akoma më frikacak. Kjo gjë do e bënte më të lehtë për t’a rrëzuar nga pushteti. Mbrojtja e doktrinës ishte një alibi.
Mbas parashtrimit të këtyre argumentave le të vazhdojmë arsyetimin me mëndje të ftohtë.
Shtrohet pyetja: a mundet që në roman tё pasqyrohej ndryshe e vërteta e aktit historik të shkёputjes së Shqipërisë së vogël nga kampi sllavo-komunist pa rolin e E. Hoxhës? Tё atij njeriu qё luajti në mënyrën më diabolike rolin kryesor nё konfliktin historik të kampit komunist? Duke qënë fakt historik i pamohueshëm që E. Hoxha në Moskë u qёndroi rusёve dhe satelitёve tё tyre i vetëm, duke qënë se në biografinë e tij prej udhëheqësi e arkivoi realisht si shumë pozitiv këtë moment heroik, akt të cilin ia vlerësuan edhe politikanë të tjerë të njohur, atëhere bëj pyetjen: Po si mund ta devijonte e ta përshkruante shkrimtari nё roman ndryshe nga e vërteta reale e ngjarjes? Pёr njerёz me arsyetim normal kёto pyetje mendoj se kanё vetёm njё pёrgjigje, e cila nё kёtё rast shkon nё favor tё shkrimtarit Kadare. Nga një lexim i vëmendshëm i tekstit, portreti i E. Hoxhës del i favorshëm vetvetiu, për faktin që E.Hoxha në atë ngjarje historike është i vetmuar përballë 80 liderëve të tjerë komunistë, shumica e të cilëve janë vrasës gjithashtu. Pra, momenti historik i zgjedhur është në favor absolut të tij. Aq sa është në favor tërësisht e vërteta. Në qoftë se shkrimtari do ta përshkruante ndryshe, atëhere do të kritikohej me të drejtë si lajkatar. Por ngjarja ka qenë e vërtetë. Dhe fjalimi i tij ka qenë po ashtu. Ndaj autori s’mund të akuzohet për deformim të historisë.
Nuk kemi lexuar në roman në ato 30-40 faqe përshkrim ndonjë gjë që s’na u duk e vërtetë, as atëhere kur u botua romani, dhe aq më pak tani kur kanë kaluar 40 vjet. Romani u shkrua dhe u botua në fillim të viteve ‘70, në kohën kur pas prishjes me B.Sovjetik dhe Kampin, Shqipëria po prishej me Kinën. Pra, procesi i ndarjes së Shqipërisë nga kampi komunist vazhdonte. Mendoj se kjo përbën arsyen që studiuesi Eric Faye përdori në një studim këtë karakterizim për romanin: “Si një këngë lamtumire me kampin komunist”. Në Shqipëri gjithashtu, nga klasa e përmbysur, kështu u konceptua libri. Ideja e Europës e përshkon librin nga kreu në fund.
Romani përshkohet nga pyetja: Do të shkojë Shqipëria drejt Europës tani që mbeti e vetmuar? Kjo dilemë i mundon shqiptarët. Një nga personazhet me të cilën hapet romani është plaka Nurihan, e cila përgjon ditë e natë tek radioja lajmin për përçarjen e komunizmit. Ajo e quan “lajm i bekuar që na ngjalli të gjithëve”.
Nuk mund të mos bëhet një pyetje: Përse kritikuesit dhe dashakeqët e Kadaresë shkojnë nga shkojnë dhe kapen djallëzisht te gjoja “mitizimi” i E. Hoxhës në roman? Nuk dyshoj se këtu ka diçka shumë më esenciale, shumë më gërryese për kritikuesit e shkrimtarit sesa portreti i E. Hoxhës në Moskë.
Me pak vëmendje konstatohet se në roman një nga linjat më me përgjegjësi rreziku, me shijen e saj të plumbtë është ajo e përshkrimit të armës famëkeqe të Sigurimit të shtetit. Institucion që ishte kopje e origjinalit në BS dhe në vendet e tjera komuniste, si në funksionim ashtu edhe në fatin e atyre që e drejtonin.
Stalini ia veshi krimet e 10 milionë viktimave ish ministrit të Brendshëm të asaj kohe Genrikh Yagoda, të cilin e pushkatoi. Edhe Yezhovi që e pasoi mbasi e kreu misionin e tij të krimeve gjakatare u pushkatua nga Stalini. Vdekja e mori Stalinin përpara sesa të vazhdonte me eleminimin e Berias, i cili u akuzua dhe u pushkatua nga Hrushovi. Me të njëjtin stil hipokrizie kriminale, Titua ia veshi të gjitha krimet në ish Jugosllavi numrit dy të pushtetit të vet Aleksandër Rankoviçit. Titua vetë doli i larë, gjoja nuk ka ditur gjë për krimet dhe raprezaljet e Rankoviçit. Po me Enverin si u zhvillua kjo dramë? Krimet dhe tmerrin e viteve të mbasluftës E. Hoxha ia ngarkoi në kurriz të gjitha K. Xoxes. Inatin dhe xhelozinë që mbante përbrenda kundra intelektualëve E. Hoxha ia veshi natyrës kriminale dhe injorante të K. Xoxes. Ai vetë djallëzisht luajti rolin e atij që nuk e pyesnin për ato që bënte sigurimi i K. Xoxes. Ish numri dy K. Xoxe u pushkatua simbas të njëjtave akuza si të ngjashmit e vet në BS dhe Jugosllavi. Ndërsa Titua e mbylli periudhën e krimeve me eleminimin e Rankoviçit, të kundërtën bëri Enveri. Koha tregoi se në vitet e mëvonshme E. Hoxha krimet kundra intelektualëve i vazhdoi dhe i intensifikoi, po aq dhe akoma më mizorisht sesa K. Xoxe.
Shkrimtari i përshkruan njerëzit e policisë sekrete në mënyrën më të neveritshme, i tall, i ironizon, i jep me pelerina dhe duar të përgjakura. Personazhi i ish punonjësit të Min. së Brendshme Aranit Çorraj, gjaksor, i larguar dhe i punësuar si magazinier në një ndërmarrje tregtare si edhe bashkëpunëtorët e tij, janë në libër simboli makabër i Policisë sekrete të E. Hoxhës. Me nivel mediokër K. Xoxe përshkruhet si ato hienat që gjahun e lakmuar kishte intelektualët. “Ah këta shkrimtarët” psherëtinte. Të gjithë intelektualët e shkolluar në Perëndim i syrgjynosi nëpër burgje ku i pushkatoi. Temat më të preferuara të K. Xoxes ishin bisedat për Titon dhe intelektualët. Autori mban qëndrimin më ndëshkues, më demaskues ndaj K. Xoxes e policisë sekrete, por të mos harrojmë asnjë çast se indirekt gishtin e kishte drejtuar te E. Hoxha. K. Xoxe ishte numri dy në pushtet, bashkëpunëtori më i afërt i E. Hoxhës. Aq afër sa në ato vite edhe familjet e tyre jetonin në të njëjtën banesë me dy kate…
Të mbajmë mirë parasysh se çdo listë me emra për pushkatim merrte urdhër ekzekutimi vetëm mbasi firmosej nga Sekretari i Parë E. Hoxha. Krimi natyrisht ka qenë i përbashkët. E.Hoxha kryesori. K.Xoxe, njeriu i dytë i regjimit. Të tjerët me radhë sipas hierarkisë. Këtu ka shumë rëndësi një konstatim që ka shënuar fatin e romanit. Ajo që mungon në roman është mungesa e tablosë së plotë të krimit. Kjo përligjet plotësisht në kushtet e një diktature shumë të egër. Jepen tmerret që kryen njeriu i dytë i regjimit, por nuk thuhet askund se krimet i kanë bërë të dy bashkë. Le të arsyetojmë brenda realitetit të kohës. S’mund t’i kërkohet autorit më tepër. Edhe kaq është shumë. Merret me mend që lexuesi vetë, me njëfarë kulture qoftë dhe të paktë, e kupton se krimet me përmasa të tilla s’bëhen kurrë vetëm, pa dijeninë e liderit kryesor.
Kryesorja është se autori shkruan fare hapur për krimet. Dhe i quan ashtu siç janë: krime politike, terror politik në një rend komunist, në vendin e quajtur Shqipëri.
Do të mjaftonte si shembull skena e pritjes qeveritare në Tiranë, menjëherë pas kthimit nga Moska të delegacionit shqiptar me në krye E.Hoxhën. Pra, një kthim pas “triumfit” të tij në Moskë.
Në këtë pritje, ashtu si në tragjeditë e Shekspirit, shfaqet një fantazmë e përgjakur. S’është fantazma e një njeriu dosido, por e numrit dy të regjimit, Koçi Xoxes, pushkatuar disa vite më parë prej numrit një, Enver Hoxhës.
Ai shfaqet në pritje duke kërkuar ku e ka vendin e tij në sallën e gostisë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, ai thotë fjalët: “Erdhi prapë koha ime”, “Tani do të keni nevojë për mua”.
Plotësim më të përsosur për personazhin kryesor, E.Hoxhën, nuk mund të ketë. K. Xoxe i thotë: Ti ishe në pritje në Moskë, unë këtu në Tiranë. Ne plotësojmë së bashku një dyshe të pandarë…
Kërkesa për ndalimin e romanit në Shqipëri ishte e logjikshme. I palogjikshëm do të ishte lejimi i tij.
Këtu është momenti që duhet të pohojmë se më në fund, me gjenialitet, shkrimtari ka gjetur daljen nga porta e ferrit. Ky është çasti i hedhjes në tavolinë të gurëve të fatit të tij mbasi është momenti kur ka luajtur “bixhoz” me vdekjen.
Këto janë dy shtyllat që kanë shënuar suksesin e romanit dhe shpëtimin, mbijetesën e shkrimtarit Kadare. Njëra shtyllë është portreti letrar i E. Hoxhës që sfidon Moskën dhe e dyta, krimet politike të K. Xoxes. Në këtë mënyrë E. Hoxhës i vuri maskën e “artistit të pafajshëm”, e cila duket që i pëlqeu shumë edhe atij vetë. Maska si ai lëngu dehës ia përkëdhëli vetëdijen. Mendja e tij diabolike u mashtrua nga mendimi se njerëzit këtej e tutje do adhurojnë, do duartrokasin dhe brohorasin për “maskën e artistit”. Vetvetiu do harrojnë, do fshijnë nga kujtesa atë E. Hoxhë që mishërohet te K. Xoxe me maskën e krimit. Askush nuk thotë dot se cila nga maskat i ka pëlqyer më shumë. I pëlqente më shumë maska e krimit të K. Xoxes me makabritetin e saj apo ajo e artistit të dashur me popullin që mbante vetë. Ky është momenti më kulmor i disidencës së qartë të shkrimtarit Ismail Kadare. Ky trajtim ishte melhemi që i qetësoi shpirtin dhe i mashtroi arsyetimin diktatorit. Duket që me librin në duar, mbrapa maskës E. Hoxha emocionalisht e ka rijetuar edhe një herë të gjallë dramën e papërsëritshme të Moskës. Dhe sigurisht që kjo e ka bërë të ndihet shumë krenar. Ky është çasti vendimtar i lojës me vdekjen që shënoi mbijetesën e shkrimtarit Kadare. Nga ky moment e më pas po të binte, po të syrgjynosej apo të pushkatohej shkrimtari automatikisht do të binte edhe romani bashkë me maskën e “artistit” të E. Hoxhës. Këtu e gjen logjikën shpjeguese pohimi i shkrimtarit Kadare se E. Hoxha vetë më ka shpëtuar nga E. Hoxha. (Me siguri këtë moment në roman duhet të ketë kapur Princi Leka I kur iu përgjigj një gazetari francez para rënies së bustit të E. Hoxhës: “Po Kadare është një disident i fshehtë”. Kështu shpjegohet sesi më pas në vend që shkrimtari Kadare të bëhej më i butë, ai u egërsua akoma më shumë me diktaturën. Siç e thotё studiuesi australian Peter Morgan, midis shkrimtarit dhe diktatorit filloi të zhvillohet ndeshja historike. Si dy mjeshtra shahistë ku në një moment kishte avantazh njëri dhe në një moment tjetër kundërshtari. Jam plotësisht i bindur se nuk do tё kishte poemë “Pashallarët e kuq” dhe roman “Pallati i Ëndrrave” nё qoftёse nuk do ishte botuar dhe lejuar tё qarkullonte romani “Dimri i Vetmisё sё Madhe”, romani i denoncimit me shkrim të krimeve të diktaturës. Prandaj kritika botërore e ka quajtur “Dimrin e vetmisë së madhe” romanin unikal-total të universit komunist.
“Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të dimrit”, sipas kritikës botërore përbëjnë diptikun që ka ndoshta aq krime sa gjithë letërsia e botës komuniste së bashku. Peter Morgan thotë: “Asnjë vepër tjetër në universin komunist nuk e ka përshkruar përçarjen e kampit komunist kaq të plotë”. Në romanin “Dimri” kupola e kampit komunist përshkruhet si një “Consil i zymtë”, si një “Sekt vrasësish”. Një pjesë e tyre, ikona të gjalla si Dolores Ibaruri, Moris Thorez, Luigji Longo, Ulbriht, Gomulka, Dezh, etj. Një pjesë ende në pushtet, ose që prisnin të merrnin pushtetin. Studiuesi dhe shkrimtari francez Eric Faye, njohës ekspert i botës komuniste shkruan: “Dimri” plus “Koncerti” janë së bashku Iliada dhe Odisea e komunizmit.
Kur njihesh me opinionet e kritikëve të huaj, dy qëndrime të ndryshme reflektohen te ata mbi “Dimrin”. Kritikët e majtë e kanë konsideruar një tronditje e madhe për të majtën botërore. Prej majtistëve europianë vepra konsiderohej si reaksionare, ishte vepër antikomuniste, sepse gjithë liderët politikë jepeshin me ngjyra negative.E kundërta konstatohet te kritikët me frymë të djathtë europiane dhe botërore. Vlerësim i tyre është maksimal. Në opinionet anglisht që kritikë të ndryshëm kanë shprehur për romanin kudo ku u botua, nuk i kanë dhënë ndonjë rëndësi frymës së E.Hoxhës. Gjithë vëmendjen e tërhiqte tabloja pesimiste, e zymtë e botës komuniste. Për mbledhjen e Moskës u përdor disa herë shprehja “Olimpi në zi”.
Shumë me interes është botimi i romanit në Rusi më 1991, një vit pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Në një parathënie të gjerë të akademikes Smirnova, jepet interpretimi rus i veprës: Vepra nuk quhej as antisovjetike, as antishqiptare. Quhej si “drama e përbashkët e dy vendeve në komunizëm: njeri vend i madh, tjetri i vogël”.
Akoma më interesant ështe gjykimi për dy personazhet antagonistë: Enver Hoxhën dhe Nikita Hrushovin. Ata portretizohen të dy njëlloj negativë, “njëlloj si dy vëllezër binjakë”! Historia e dënon Hrushovin krahas të tjerave edhe si mbështetës dhe zbatues me dorë të hekurt të spastrimeve masive dhe vrasjeve të bëra në Ukrainë gjatë viteve 1939-1940. Spastrime kriminale të nxitura nga Stalini dhe të zbatuara në Ukrainë nga Hrushovi si Sekretar i parë në ato vite.
Mbas gjithë sa analizuam më lart vijmë tani te përgjigjja e pyetjes: Përse kritikuesit e Kadaresë shkojnë nga shkojnë dhe kapen te “miti” i E. Hoxhës në roman. Këta ish punonjës të Sigurimit të Shtetit të simbolizuar në roman në mënyrën më diskredituese janë baballarët, janë familjarët e studiuesve dhe analistëve të sotëm që gjëllojnë në Tiranë. Të tërheq vëmendjen fakti se në këtë fushatë denigruese ndaj shkrimtarit u dalluan sidomos njerëz që janë pasardhës nga nomenklatura komuniste e lidhur me Sigurimin e Shtetit. Logjika e pranon se sado të qytetëruar e perëndimorë që të përpiqen të tregohen, në subkoshiencën e tyre ata e vuajnë ngjyrën e zezë të krimit me të cilën u lyen shpirtërisht etërit e tyre në vitet e diktaturës. Sharjen dhe përçmimin e tyre në roman nuk e durojnë dot. Nuk ia pranojnë dot shkrimtarit këtë trajtim mizor që u bën etërve. Nuk janë pak. Janë infiltruar me djallëzi nëpër institucionet dhe median shqiptare nga ku me pezm të madh i sulen shkrimtarit Kadare sa herë rishfaqet sëmundja gangrenoze e hapjes së dosjeve të Sigurimit. Janë ushqyer që në fëmini me psikologjinë e etërve dhe nuk u shqitet nga kujtesa. Kujtimet dhe shijet e fëmijërisë janë shtrati ku formohet personaliteti i njeriut të rritur na thotë Frojdi. Prandaj ata në mënyrën më të papërmbajtur shpërthejnë duke u munduar pa pushim që me pa të drejtë të hedhin mbi shkrimtarin pak baltë nga ajo e etërve të tyre.
Në ditët më të mira për Sigurimin e Shtetit, në kulmin e forcës së tij, shkrimtari Kadare ia arrin të bëjë pa mëshirë gjyqin moral të kësaj arme gjakatare për popullin shqiptar. Për fatin e tyre të keq dhe të mirën e popullit, kjo është e vërteta historike e materializuar në mënyrë të shkëlqyer artistikisht në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Me mprehtësinë e tij karakteristike ish ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu këtë gjyq e vuajti thellë, e kuptoi shumë qartësisht në faqet e romanit prandaj mbetet e paharruar shprehja e tij: “Tridhjetë faqe lexova nga libri (faqet e Sigurimit të tij famëkeq) dhe tridhjetë herë pështyva”. Ai e ka ndjerë deri në palcë dhimbjen e këtij përshkrimi makabër në roman. Për fat të mirë të lexuesve shkrimtari me talentin e tij të madh dhe me guxim e zgjuarsi na e dha këtë periudhë të historisë sonë në mënyrën më besnike. Logjikën e këtij arsyetimi mbi etërit e fuqizon më tej edhe një shpjegim krahasues. Asaj periudhe të diktaturës i përket edhe S.Ngjela. Në veprën e tij ai arrin të bëjë autopsinë politiko-filozofike më të plotë deri tani të regjimit të E. Hoxhës. Pa asnjë mëdyshje në mënyrë të veçantë demaskon qartësisht rolin famëkeq të policisë sekrete të E. Hoxhës. Jo vetëm kaq. Me prindërit të pa implikuar në krimet e policisë secrete, Spartak Ngjela që nuk ndjen në subkoshiencën e tij ngacmimet e hijeve të K. Xoxes, mban një qëndrim krejtësisht të kundërt, vlerësues në maksimum të shkrimtarit Kadare.
Sikur shkrimtari të kish bërë këtë kompromis me veten, pra të kishte reaguar me autoçensurë, atëhere romani do ishte pa asnjë vlerë. Sipas këtyre kritikuesve, përderisa personazhin e E. Hoxhës e përshkruan me realizëm, të papërkulur e të vendosur në aktin e demaskimit në Kremlin, atëhere romani duhet hedhur në plehra, thonë ata. Këta lloj opinionistësh më duken si ata lexues që në një libër bëjnë një sondazh të ngjashëm me tyrjelën që futet në një shalqi, po qe se është i kuq thonë pa e shijuar se është shumë i mirë. Sipas tyre, ka lavdëruar E. Hoxhën e kuq; romani nuk bën. Romani duhet hedhur në plehra thonё kritikuesit, sipas socrealizmit diktatori duhej të ishte përshkruar frikacak. Merita e shkrimtarit pikërisht këtu qëndron që, nuk e autoçensuroi nivelin letrar të romanit për ta bërë art të masave popullore. “Arti nuk duhet asnjëherë të tentojë të jetë popullor. Populli duhet të kërkojë të bëhet sa më artistik”, përsëriste Oskar Uajlld.
Me “Dimri i vetmisë së madhe” Kadare arriti qё të na japë një kryevepër ku demaskimi i jetës nën diktaturë kap përmasa historike, krahasimisht i pashoq në gjithë letërsitë e vendeve ish komuniste. Kadare e ka shprehur më shumë se një herë se vazhdon t’i qëndrojë mendimit që akti i shkëputjes së Shqipërisë nga BS përbën të vetmen gjë që E. Hoxhës ai ia konsideron pozitive në jetën e tij prej diktatori. Në 45 vjet diktaturë ngjarja e Moskës është i vetmi moment pozitiv kur u krijua shkëputja fizike me sllavo-komunizmin rus, përkohësisht sepse komunizmi në Shqipëri ngeli. Janë ngjarje epokale këto raste si ai i shkëputjes së Shqipërisë nga Blloku komunist i Lindjes dhe rasti i Kosovës nga Serbia. E kemi të freskët para syve dramën historike tё kёsaj shkëputjeje nga Serbia. Sa gjak, sa akte çnjerëzore pësoi populli kosovar derisa ia arriti të shpëtonte nga kthetrat e Serbisë.
Mendoj se me ilustrimin e mёposhtёm ky opinion mbi “Dimrin” bёhet mё i plotё.
Ka qёnё njё kohё kur studentёt shqiptarё nё BS dhe nё vendet e tjera tё Lindjes komuniste u ndjenё shumё dinjitozë dhe krenarë. Krejt ndryshe pёr sa ishin mbajtur deri nё atё kohё nga qytetarët e vendeve të Lindjes komuniste. Nё valёn e ndeshjes nё Moskё, studentët e vendeve të tjera satelite komuniste, polakё, gjermanolindorё, çekosllovakё, hungarezё, ukrainas, etj, me ndjenjë adhurimi u thoshin studentёve shqiptarё: “Duhet të jeni shumë krenarё sepse udhёheqёsi juaj ia pёrplasi nё fytyrё Hrushovit. Ju, një popull i vogël, nuk pranuat tё jeni vasalё tё Moskёs. Ju po shkёputeni nga rusёt kurse ne do vazhdojmё tё jemi nёn çizmen e rusёve. Ju shpëtuat, tani do lidheni me perëndimin”.
Tё mos harrojmё se edhe nё ditёt e sotme çekёt e vlerёsojnё tej mase aktin e largimit botёrisht tё Shqipёrisё nga Traktati i Varshavёs nё kohёn e pushtimit tё Çekosllovakisё. Tё mos harrojmё gjithashtu se kjo ndodhte nё kohёn kur BS ishte njё tmerr pёr Perёndimin. Ilustrimi mё domethёnёs ёshtё Ukraina sot.
Përfundimisht mendoj se ne shqiptarëve vepra e këtij gjeniu na emancipoi. Në këtë emancipim një rol të dorës së parë ka luajtur dhe luan romani “Dimri i vetmisë së madhe”. I shpreh mirënjohje autorit Met Dervishi që me studimin e tij u bë shkas që të kem mundësi për të paraqitur këtë opinion në vazhdim plotësues të punës së tij studimore.