Albspirit

Media/News/Publishing

Tiranë – 250 euro për certifikata pa ditur anglisht, pranga sekretares së Shkencave Sociale në Rinas

Sekretarja e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë ka përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim dhe “korrupsion pasiv në sektorin privat”.

Majlinda Tafaj, 40-vjeçe, banuese në Tiranë, u arrestua teksa tentoi të largohej nga aeroporti i Rinasit pasi ishte shpallur në kërkim.

“Më datë 12.05.2016  shtetasja Majlinda Tafaj është kapur në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas në përpjekje për tu larguar jashtë vendit dhe ka vetdeklaruar se ka bashkëpunuar me shtetasi L.M. dhe ka marrë prej tij vlera monetare (Euro) si shpërblim, përfitim personal për studentë që i ka rekomanduar dhe janë pajisur me certifikatë të “Esol Examinations BULATS”, thekson njoftimi.

Ajo u denoncua dy ditë më parë në emisionin investigativ “Stop”, duke marrë para në këmbim të dhënies së certifikatës së gjuhës angleze për studentë që nuk dinin fare anglisht.

“Ndalimi i kësaj shtetaseje është bërë pasi në datë 10.05.2016 në emisionin investigativ ‘Stop’ janë transmetuar pamje filmike (audio-video) të regjistruar në ambientet e qendrës ‘International Studies Insitute’ në Tiranë ku një shtetase që nuk ka fare njohuri në gjuhën angleze, nëpërmjet ndihmës së asistenteve dhe pedagogëve kundrejt pagesës, realizon testin dhe në fund siguron certifikatën e njohjes së gjuhës që përdoret si kriter pranimi në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet për arsimin e lartë”, sqaron policia.

Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe administratori i qendrës “Esol Examinations BULATS”, me iniciale L.M, i shpallur në kërkim.

Policia thotë se punon për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Please follow and like us: