Belgjika do të rinisë sulmet ajrore kundër ISIS në Siri
Zëdhënësi i Kryeminsitrit të Belgjikës, Charles Michel, ka konfirmuar për mediat vendase se qeveria ka miratuar vendimin për të rinisur sulmet ajrore mbi Shtetin Islamik në Siri.
Ai u shpreh se avionët luftarakë F-16 do të nisen shumë shpejt në Lindjen e Mesme për t’iu bashkuar koalicionit ndërkombëtar për luftën kundër-terrorizmit, i cili drejtohet nga Shtetet e Bashkuara.
Belgjika i është bashkuar fillimisht kësaj aleance në verën e vitit 2014, por u tërhoq vetëm një vit më pas me arsyetimin se bombardimet sillnin humbje të konsiderueshme në buxhetin e vendit. Ky vendim i qeverisë vjen vetëm disa javë pas sulmeve terroriste që tronditën Brukselin më datë 22 mars.
Ekstremistët e ISIS të cilët morën përsipër sulmet u shprehën se shpërthimet ishin një kundërpërgjigje për pjesëmarrjen e Belgjikës në koalicionin anti-terrorist. Mediat vendase duke cituar burime konfidenciale raportojnë se vendimi i qeverisë për t’iu ribashkuar aleancës ka ardhur pas një kërkese formale të bërë nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara.
Që prej sulmeve, ekspërtët vendas kanë patur edhe mbështetjen e autoriteteve ameriakne, të cilat kanë ndihmuar me informacione të grumbulluara nga inteligjenca. Ende nuk ka një lajmërim se kur do të rinisin sulmet, por zëdhënësi i KM Michel u shpreh se qeveria do të dalë me një komunikatë zyrtare.