E premte 13! Pse ky numër sjell ters?
Barbara Maranzani
Për supersticiozët numri 13 sjell ters, po ashtu edhe dita e premte, por edhe kur bëhen bashkë këto dyja, si dita e sotme, mundohen të shmangin lëvizjet, të shtyjnë për një ditë tjetër punën dhe planet e tyre, shkruan tabloidi britanik ”The Sun”.
Ekzistojnë disa teori mbi origjinën e kombinimit të kësaj date dhe dite. Rrënjët e këtij supersticioni shkojnë deri në shekullin XIX. Sipas studiuesve ky kombinim lidhet me vdekjen e kompozitorit të njohur italian, Gioachino Rossini, i cili vdiq një të premte më datë 13.
Numri 13 është numër ters që thyen numrin e plotë 12.
Dymbëdhjeta shihet si numër i plotë, si reflektim i 12 muajve të vitit, 12 numrave të orës, 12 perëndive të Olimpit, 12 fiseve të Izraelit, 12 apostujve të Jezusit, 12 ndjekësve të Muhamedit në besimin islam shiit, 12 shenjave të zodiakut e të tjera.
Sa i përket së premtes, ajo konsiderohet një ditë ters të paktën që prej shekullit XIV.
Gjithashtu e premte ishte edhe dita e kryqëzimit të Jezu Krishtit.
Megjithatë, ka autorë që thonë se të gjitha referencat për ”tersin” e së premtes nuk ekzistonin para vitit 1907.
Ata argumentojnë se popullariteti i së premtes 13 mori përmasa pas publikimit të novelës së Thomas W. Lawson “E premte, 13-të” të cilën një punonjës i paskrupullt i “Wall Street” e shfrytëzoi për të përhapur panik, po në atë vit.
Ky kombinim shihet ters në shumë kultura, por ka të tjera që e vlerësojnë krejt ndryshe.
Në Itali numri 13 konsiderohet si fatsjellës, ndërsa kombinimi ters është dita e premte në datën 17.
Pse numri 13 konsiderohet kaq i pafat sipas historianëve
Studiuesit tregojnë se të paktën 10% e popullsisë amerikane është e frikësuar nga numri 13, dhe aq më tepër kur data 13 përkon me ditën e premte.
Njerëzit shmangin martesën në këtë datë, udhëtimet janë më pakta, madje dhe ditët e punës. Por çfarë ka kaq të pafat numri 13 dhe si ka filluar ky supersticion numerik?
Miti i hershëm përreth origjinës së frikës është përfshirë në një nga dokumentet më të vjetra ligjore në botë, Kodi i Hamurabit, në të cilin thuhet se mungon ligji i 13 nga lista e rregullave ligjore. Por në fakt, lënia jashtë e këtij ligji nuk ishte gjë tjetër veç se një gabim klerik i bërë nga një prej përkthyesve më të hershëm të dokumentit i cili nuk përfshiu një linjë të tekstit.
Matematicienët dhe shkencëtarët, ndërkohë, vënë theksin te numri 12, shpesh i konsideruar si numri i përsosmërisë në botën e lashtë. Sumerët e lashtë zhvilluan sistemin numëror të bazuar në përdorimin e 12-s, që ende përdorët për të matur dhe kohën e sotme: Kalendarët me 12 muaj, gjysma e ditës me 12 orë etj.
Frika për numrin 13 duket edhe në disa teori popullore, të cilat kanë të bëjnë të dyja me të ftuarin e 13-të në evente në antikitet. Në Bibël, Juda Iskarioti, i ftuari i 13 që arriti në Darkën e Fundit, është personi që tradhëtoi Jezusin.
Gjithashtu duket sikur frika e pashpjegueshme që rrethon numrin 13 është një konstrukt kryesisht perëndimor.
Disa kultura, duke përfshirë egjiptianët e lashtë, e konsiderojnë si numër me fat, ndërsa disa kultura të tjera shmangin numra të tjera si për shembull në Azi, numri 4 shmanget.
Sipas Qendrës së Menaxhimit të Stresit në Karolinën e Veriut, më shumë se 80% e ndërtesave të larta në SHBA nuk e kanë katin e 13, dhe po ashtu hotelet, spitalet dhe aeroportet shmangin përdorimin e dhomës me numër 13.