GENC POLLO/ Një shembull i evitueshëm amoraliteti
Morali është në bazë të një shoqërie të shëndoshë. Pendesa e atij që kapet duke bërë keq është një tipar bazë i moralit ashtu si dhe përunjësia në përgjithësi. Dje pamë e dëgjuam shembullin e antimoralit: (ish) deputeti socialist Kokëdhima pasi u gjet nga Gjykata Kushtetuese në shkelje të Kushtetutës (kishte përfituar fonde publike) nuk reagoi me ndonjë shenjë pendese; madje të paktën as me heshtje.
Jo!
Reagoi me sfidë e arrogancë duke pohuar se ai tani ishte vetëm në start të karrierës politike.
Në vitin 2011 Edi Rama u soll ngjashëm me Kokëdhimën kur Ilir Beqja u gjet saktësisht në po atë shkelje të Kushtetutës e humbi mandatin e deputetit. Rama nuk shpenzoi asnjë fjalë për të kritikuar transgresionin kushtetues e moral të deputetit të tij (që mbetet transgresion edhe sikur të ishte bërë me padije; kjo e fundit pa gjasa pasi ky rregull kushtetues që ndalon deputetet të përfitojnë resurse publike daton nga viti 1998). E vetmja fjalë e Edi Ramës ishte se I. Beqja do të ishte sërish deputet i PS pas zgjedhjeve parlamentare të ardhshme. Premtim që e mbajti dhe e tejkaloi (për të zezën e shëndetësisë).
Lexuesit e këtyre radhëve mund të më kujtojnë se kur shtijnë topat nuk dëgjohen pisqollat; kur kemi tufa ish burgaxhinjsh të djeshëm e banditë të sotëm në Kuvend mbase nuk lipset të shpenzojmë kohën duke vërejtur deklarime joetike. Por ndoshta e keqja u ngjit kaq lart pasi nuk patëm kujdes për themeloren, baziken.