Albspirit

Media/News/Publishing

Heminguej, nobelisti i dy luftërave botërore

Ernest HeminguejErnest Heminguej, i cili vrau tragjikisht veten me 2 korrik 1961, kujtohet nga të gjitha qarqet artistike si një ndër shkrimtarët më në zë amerikanë të shekullit XX dhe si përfaqësuesi kryesor i Brezit të Humbur. Ai përjetoi thellë tragjedinë e dy luftërave botërore, u gjend disa herë ballë për ballë me vdekjen dhe shkroi një letërsi ku dhunës njerëzore i kundërvihet dashuria, ndërsa kotësisë dhe zhgënjimit të jetës, përpjekja për të qëndruar me çdo çmim dhe me çdo kusht.

Heminguej, i lindur në Oak Park Ilinois më 21 korrik të vitit 1899, u rrit në një mjedis mbytës provincial, nën autoritetin e një nëne të rreptë, ndërsa vetëvrasja e të atit la gjurmë të pashlyera në zemrën e tij. Universiteti i parë për Heminguejin u bë Lufta e Parë Botërore. Ai shkoi vullnetar si sanitar në Itali, ku u njoh me tmerret e luftës, por edhe me burrërinë dhe vetëmohimin, që do të mbushin faqet e tregimeve dhe romaneve të tij të mëvonshme. Atë që mundi të shkruante, duke bashkuar llojin e gazetarisë me atë të letërsisë artistike, e mblodhi në vëllimin e parë “Në kohën tonë” dhe në vëllimin e dytë “Burra pa gra”. Por në mbarë botën Heminguej u bë i njohur me romanin “Lamtumirë armë”, ku trajton një histori dashurie, që përfundon tragjikisht në një botë ku sundon ligji i luftës dhe ku njeriu vret njeriun.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Heminguej udhëtoi dhe mori pjesë në veprime luftarake si korrespondent. Në tregimet e kësaj kohe tingëllon e fuqishme ideja antifashiste kundër luftës. Heminguej u bë i famshëm me botimin e novelës “Plaku dhe deti” për të cilën u nderua me çmimin Nobel. Si për të vazhduar traditën familjare, Ernest Heminguej, vrau veten duke pasur frikë nga sëmundja, e cila e mundonte prej kohësh.

https://www.facebook.com/Cerciz-Loloci-444479355625593/

Please follow and like us: