Albspirit

Media/News/Publishing

Kinezët, “pasardhës të dragoit”

Pse kinezët e quajnë veten “pasardhës të dragoit”

Kinezët e quajnë veten si “pasardhës të dragoit”, duke u nisur nga disa toteme dhe legjenda antike.

Sipas gojëdhënave, para se të bashkonte fushat qendrore, paraardhësi i përbashkët i popujve në fushat qendrore Huangdi e konsideronte “ariun” si totem. Kurse pasi mposhti Çiyou dhe bashkoi fushat qendrore, Huangdi hoqi dorë nga ariu si totem dhe e caktoi “draguan” si totem të ri, me qëllim që, me këtë totem të ri, t’i qetësonte fiset që kapitulluan para tij.

Dragoi, ky totem i ri, ishte përfytyruar si një lloj kafshe me kokën e ariut, që kishte qenë totemi i tij, dhe me trupin e gjarprit, që kishte qenë totem i familjes së nënës së tij. Pasi vdiq, Huangdi u varros në malin Qiao me amanetin e tij. Kjo tregon se ai respektonte kultin e familjes së nënës së tij, sepse fjala “qiao” në gjuhën antike kineze ishte homonim me fjalën “gjarpër”. Në fakt, totemi me “dragoi” ka qenë bashkimi i figurave të të dy totemeve, totemeve të familjeve të babait dhe të nënës së tij. Dalja e fenomenit të “dragoit” pasqyroi procesin e zhvillimit të historisë së kombit kinez dhe të asimilimit reciprok të kombësive të ndryshme.

Në periudhat e pastajme, figura e “dragoit”, që simbolizon kombin kinez, filloi të dalë në vizatime të ndryshme dhe më në fund u shndërrua në një shkronjë kineze. Ne mund ta gjejmë shkronjën “dragua” nga materialet e lashta të shkruara në guacka të breshkës, të zbuluara në kryeqytetin e dinastisë Shang(1652-1027 para erës së re) dhe mund të gjejmë edhe vizatime të “dragoit” nga copët e vogla të qeramikës të kohëve të lashta, të zbuluara nga dheu. Pak kohë më parë, arkeologët zbuluan dy copë qeramikë me vizatime të “dragoit” në një gërmadhë të lashtë në Çahai të qytetit Fuxin të provincës Liaoning. Njëra copë është me vizatime të një “dragoi ” në të ecur, kurse tjetra është me vizatime të një “dragoi” të strukur. Këto vizatime duken shumë të gjalla dhe luspat e të dy “dragonjve” duken të qarta.

Meqenëse “dragoi” ka qenë totemi i paraardhësve të hershëm, edhe kombi kinez është lidhur me “dragoin”. Në lidhje me “dragin”, doli edhe legjenda mbi “lindjen e fëmijës për shkak se kishte prekur qiellin”. Sipas legjendave, Yandi lindi sepse nëna e tij Deng preku dragoin qiellor; Huangdi lindi sepse nëna e tij Fubao preku yllësinë e Arushës së Madhe; Yao lindi sepse nëna e tij preku “draguan e kuq”. Meqenëse paraardhësit e hershëm konsideroheshin si fëmijë të “dragoit”, është e natyrshme që të gjithë pasardhësit e tyre ta quajnë vetën si “pasardhës të dragoit”.

Please follow and like us: