Maqedoni – 3 parti kryesore bojkotojnë zgjedhjet
Kriza e gjatë politike në Maqedoni duket se do të thellohet edhe më shumë pas vendimit të 3 prej 4 partive kryesore politike të vendit për të paraqitur kandidatë në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.
Vendimi i tre prej katër partive kryesore për të mos paraqitur kandidatë në legjislativet e parakohshme të parashikuara më 5 qershor për të nxjerrë Maqedoninë nga një krizë e gjatë politike, e bëri të enjten të pasigurt mbajtjen e votimeve.
Partia kryesore e opozitës maqedonase, SDSM (qendër majtë) kishte hequr dorë që në prill, duke vlerësuar se kushtet për një votim të ndershëm nuk përmbusheshin. Dy partitë kryesore shqiptare, BDI, aleate e partisë maqedonase në pushtet (VMRO-DPMNE, e djathtë konservatore), dhe PDSH-ja (opozitë) shpallën të enjten të njëjtin qëndrim.
Vetëm VMRO-DPMNE ka paraqitur një listë brenda afatit, të mërkurën ë mesnatë.
“Ne nuk do të paraqesim listë me kandidatë”, deklaroi Bujar Osmani i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) pak çaste pasi kaloi afati përfundimtar.
Luan Tresi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) njoftoi gjithashtu se formacioni i tij “heq dorë sepse nuk përmbushen minimumi i kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të besueshme”.
Shqiptarët përfaqësojnë rreth një të katërtën e 2,1 milionë banorëve të Maqedonisë.
Vendimi i partive shqiptare për të bojkotuar votimet vjen pas një muaj manifestim kundër qeverisë, të organizuar nga opozita maqedonase duke e quajtur “Revolucioni i Ngjyrave”, për të kërkuar kryesisht shtyrjen e legjislativeve të parakohshme.
Manifestuesit opozitarë goditën me ngjyra të ndryshme monumentet dhe godinat zyrtare të vendit.
Zgjedhjet e 5 qershorit do të zhvilloheshin në kuadër të një marrëveshjeje të arritur në verën e 2015 mes forcave politike maqedonase nën mbikëqyrjen e BE-së për të nxjerrë ish-republikën jugosllave nga një krizë politike e gjatë.