Albspirit

Media/News/Publishing

Nga Stalini tek Kenedi, fundi plot mistere i njerëzve të mëdhenj

Janë të shumtë në histori personazhet që kanë gjetur vdekjen në rrethana jo të qarta. Gjashtë rastet më të famshëm dhe mospërputhjet e versioneve zyrtarë

4_1145am_assassination_jfk_timeline_03_thg_631122_16x9_992

Alexander Frank McLynn
Zakonisht historianët nuk e mbështesin shumë idenë për të investiguar rrethanat misterioze që kanë të bëjnë me fundin e shumë personazheve të famshëm, nga frika se mos largohet vëmendja prej aspekteve më thelbësorë social-ekonomikë të kërkimeve të tyre prej fakteve më pak të rëndësishëm që lidhen me jetën private të të mëdhenjve të historisë. Përkundrazi, kush shkruan është absolutisht i bindur në detyrën që ka për të investiguar çdo aspekt, edhe atë më personalin, sidomos nëse rrethanat e vdekjes nuk janë të qarta dhe të dokumentuara. Pra, duhet të sillemi sikur të ishim Sherlock Holmes të historisë. Në këtë artikull do të ekzaminohen disa vdekje të njerëzve të famshëm, të lashtë dhe modernë, që lënë edhe sot e kësaj dite shumë pikëpyetje të hapura. Këtyre rasteve mund t’u shtohen shumë të tjerë – si për shembull vdekja e Hunit Atila apo ajo e mbretit John i Anglisë – por problemi është gjithmonë i njëjti: prapa vdekjes së njerëzve më të pasur dhe të pushtetshëm ka shpesh fakte dhe rrethana më të diskutueshme nga sa mund të imagjinohet.

Aleksandri i Madh
Malarje apo helmim?

Data e vdekjes: 13 qershor 323 para Krishtit
Mosha: 32 vjeç (vdiq pak ditë para ditëlindjes)
Vendi i vdekjes: Babilonia, Mesopotami
Në Babiloni, në vitin 323 para Krishtit, pasi mori pjesë në një festë të madhe, Aleksandri i Madh u ndie keq. Sapo ishte kthyer nga fushata triumfuese në zonën e Pakistanit të sotëm (ku megjithatë trupat e tij kishin refuzuar të shkonin më tutje në lindje). Në atë moment Aleksandri udhëhiqte një perandori shumë të madhe, që përfshinte Greqinë, Maqedoninë, Turqinë, Iranian dhe të gjithë Lindjen e Mesme.
Simptomat e para që u shfaqën ishin një gjendje konfuzioni të madh, të dridhura, ngurtësim i fytyrës dhe dhimbje shumë të mëdha në stomak. Pak më pas u shfaqën një etje e madhe, të ethe, delir, dhe gjatë natës konvulsione dhe haluçinacione që ndërpriteshin prej momenteve shumë të shkurtër të qetësisë. Në fund nuk arriti më të marrë frymë dhe hyri në gjendje kome, për të gjetur vdekjen pas dhjetë ditë vuajtjesh. Malaria, tifo, një lloj virusi i Nilit perëndimor ishin disa prej hipotezave që u hodhën për shkaqet e mundshme të vdekjes. Megjithatë, problemi është që asnjëra prej këtyre sëmundjeve nuk lidhet me simptomat që shfaqi sovrani. Mushkonja që shkakton malarien nuk jeton në zonat qendrore të Irakut e megjithatë inkubacioni do të kish qenë shumë i gjatë. Tifoja do të kishte shkaktuar një epidemi dhe nuk do të kish prekur një person të vetëm, ndërkohë që sëmundja nuk paraqiste simptomat tipike të komës etilike. Virusi i Nilit duket se as nuk ekzistonte 2000 vjet më parë. Trupi i Aleksandrit, edhe pas gjashtë ditësh nga vdekja nuk paraqiste shenja dekompozimi. Kjo gjë mund të sugjerojë praninë e substancave toksike në organizmin e tij, gjë që nxjerr në sipërfaqe tezën e helmimit. Por kush kishte motivin, aftësinë dhe rastin për të kryer vrasje?
Fatkeqësisht, fajtorët e mundshëm ishin një dyzinë, shumë prej të cilëve u bënë më vonë pasardhës të mbretit në qeverisjen e perandorisë. Antipatri, mëkëmbës i Aleksandrit në Maqedoni duket se është i dyshuari numër një, dhe që në lashtësi dyshohej se mund të kishte qenë Iolla, biri i tij, që kishte hedhur helmin me ndihmën e komandantëve të Aleksandrit. Në kohët e fundit, gishti është drejtuar nga Ptolemeu, paraardhës i Kleopatrës, i cili u bë sovran i Egjiptit duke krijuar dinastinë Ptolemaike. Ai ishte komandant i gardës së rojeve të mbretit, kështu që ishte ndër të paktët që mundej të kishte akses të kollajtë në dhomat e mbretit.

Jul Cezari (100-44 para Krishtit)
A e organizoi ai vetë vrasjen e tij?

Data e vdekjes: 15 mars 44 para Krishtit
Mosha: 55 vjeç
Vendi i vdekjes: Romë
Askush nuk vë në diskutim faktin që Cezari u vra nga një numër prej pesë deri dhjetë komplotuesish në Senatin e Romës. U godit me 23 thika, nga të cilat megjithatë vetëm njëra rezultoi vdekjeprurëse, supozohet ajo e Brutit. Po përse një njeri si Cezari, inteligjent dhe mendjemprehtë, do të shkonte në Senat i paarmatosur dhe pa truproja, pavarësisht se ishin të shumtë ata që e këshilluan dhe e paralajmëruan se vrasësit po e prisnin?
Kur, gjatë autopsisë së parë në histori, mjeku Antisti ekzaminoi trupin, ai gjeti në duart e Cezarit një letër kërcënuese. Historiani romak Svetoni shkruan: “Cezari u largua duke lënë dyshimin se ai vetë kishte zgjedhur të vdiste dhe për këtë arsye nuk i kishte marrë ato masa që do ta kishin shpëtuar”. Një teori moderne, e parashtruar nga profesor Harold Bursztajn i Harvardit dhe nga Gjenerali Luciano Garofano thotë që Cezari shkoi drejt vdekjes me vullnetin e tij. Epilepsia e lobit ballor (që e kishte çuar drejt humbjes së aftësive fizike dhe mendore) e shtyu të zgjedhë vdekjen në mënyrë të tillë që të ruante trashëgiminë e tij në histori. Ai vetë zgjodhi se kur dhe ku do të ndodhte vdekja e tij: kishte detyruar Brutin, Kasion dhe të tjerët që të shpejtonin komplotin duke shpallur një udhëtim në Persi. Duke vrarë Cezarin, komplotuesit i siguruan atij pavdekshmërinë dhe vazhdimësinë e linjës së pasardhësve: ai kishte shpallur tashmë Oktavianin si pasardhës në një testament që kishte shkruar gjashtë muaj para vdekjes.

Napoleon Bonaparti (1769-1821)
I helmuar ngadalë prej një agjenti francez?

Data e vdekjes: 5 maj 1821
Mosha: 51 vjeç
Vendi i vdekjes: Ishulli Shën Helenë, Atlantiku jugor
Napoleoni, i degdisur në Shën Helenë, u sëmur rëndë dhe në mënyrë të përsëritur gjatë pothuajse 6 viteve që jetoi në ishull. Pas vdekjes, zyrtari që merrej me të shpalli kancerin si arsye të vdekjes. Dukej një hipotezë e besueshme, duke ditur që babai i Napoleonit kishte vdekur nga e njëjta sëmundje. Në të vërtetë, duke analizuar më thellë rrethanat, ka arsye të ndryshme që të bëjnë të dyshosh: kanceri nuk mund të shpjegojë zgjatjen e dhimbjeve të barkut për një kohë kaq të gjatë; veç kësaj, shumë prej simptomave nuk duken të lidhura me tumorin; së fundi, Napoleoni ndërroi jetë obez dhe jo i dobësuar siç ndodh zakonisht me ata që vdesin prej kësaj sëmundjeje. Francesco Antommarchi, një prej mjekëve të Napoleonit dhe ekspert i autonomisë, që kreu autopsinë, refuzoi të firmosë relacionin që fliste për kancer. Disa studiues modernë janë bindur që perandori ishte helmuar dalëngadalë nga një agjent francez që e ndëshkonte për krimet. Nëse motivi ka qenë vërtetë hakmarrja, atëherë vrasjen mund ta ketë kryer Konti Charles de Montholon, një aventurier misterioz, që u bë një njeri i besuar i Napoleonit në Shën Helenë. Mendohet që misioni i tij për të helmuar Napoleonin duke i hedhur doza të vogla helmi është kryer me një dozë vdekjeprurëse kloruri mërkuri. Kjo teori justifikohet nga prania e arsenikut të gjetur në flokët e Napoleonit. Dikush ka sugjeruar që Napoleoni ka vdekur pasi ka thithur arsenik prej letrës së mureve. Po të ketë ndodhur kështu, do të shpjegoheshin gjurmët e arsenikut, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dhimbjet e forta që pati për pothuajse gjashtë vite.

Abraham Lincoln (1809-1865)
A u vra nga shërbimet e fshehtë jugorë?

Data e vdekjes: 15 prill 1865
Mosha: 56 vjeç
Vendi i vdekjes: Uashington
Në ditët e fundit të luftës civile në Amerikë, të premten e shenjtë të 1865, një shkrimtar me emrin John Wilkes Booth mbërriti në zonën presidenciale të Teatrit Ford në Uashington, ku Abraham Lincoln ishte duke parë komedinë muzikore Our American Cousin, dhe me një goditje pistolete e la të vdekur në vend. Booth kishte bashkëpunëtorë që u rrethuan menjëherë. Ndërsa ai, që ishte larguar, u zbulua tek përpiqej të fshihej në një hangar dhe u vra. Ajo që u quajt “teoria e komplotit të thjeshtë” vërtitet përreth tezës që Booth dhe të tijtë ishin përpjekur më parë të rrëmbenin Lincolnin dhe në një moment të dytë vendosën për vrasjen. Thuhet se Booth ndihej pasardhësi i Brutit, duke e imagjinuar vetveten si heroin që do të çlironte botën nga një tiran modern. Por shumë mendojnë që në të vërtetë ai ishte vetëm ushtari, ekzekutuesi i një plani shumë më të madh.
Ata që flasin për një “komplot të madh” mbështesin hipotezat më të përhapura, mes të cilave ajo sipas të cilës Lincolni ka vdekur me urdhër të Papa Piut IX. Nga këto hipoteza vetëm disa janë të qëndrueshme. E para thotë që Lincoln ka qenë viktimë e një komploti të urdhëruar nga shërbimet e fshehtë të jugorëve; hipoteza e dytë thotë që presidenti është vrarë në vijim të disa mosmarrëveshjeve brenda vetë partisë së tij, të ushqyera nga ministri i Luftës, Eduard Stanton, i cili kundërshtonte Lincolnin në lidhje me vendimin për të mos marrë vendim për ndëshkime ndaj jugut. Teoria për një fajësi të mundshme të Stanton gjen konfirmim në rrethana të tilla si paaftësia e truprojës presidenciale, John Parker, si dhe parlajmërimin për gjeneralin Grant që të mos shkonte në Teatrin Ford mbrëmjen e vrasjes. Ideja e një komploti të jugorëve konsiderohet nga historianët si shpjegimi më i besueshëm.

Josif Stalin (1878-1953)
Helmuar për të shmangur një Luftë të Tretë Botërore?

Data e vdekjes: 5 mars 1953
Mosha: 74 vjeç
Vendi i vdekjes: Moskë
Zyrtarisht Stalini vdiq nga një hemorragji cerebrale, edhe pse të paktë janë ata që besojnë këtë version. Mbrëmjen e 28 shkurtit 1953, udhëheqësi sovjetik mblodhi ata më besnikët e tij, Beria, Malenkov, Bulganin dhe Hrushov. Më parë panë një film në Kremlin, pastaj shkuan në banesën e Stalinit në fshat dhe nisën të pinë përgjatë gjithë natës. Kur mysafirët u larguan, Stalini lajmëroi truprojat e tij se të nesërmen do të flinte deri vonë. Për të mos e shqetësuar, askush nuk hyri në dhomën e tij të gjumit deri në orën 22.00 të mbrëmjes së ditës tjetër, kur u gjet pothuajse i pajetë. Kur mbërriti mjeku, Stalini kishte vdekur tashmë. Një tryezë e rrumbullakët e përbërë nga historianë dhe “dëshmitarë”, që u mblodh në Kongresin amerikan në vitin 2003 konkludoi se tirani kishte vdekur nga shkaqe natyrore. Vetëm djali i Hrushovit, Sergei, kundërshtoi dhe u duk se mbërriti deri në pikën ku akuzoi të atin për vrasjen. Edhe Klaus Larres, moderatori i tryezës së rrumbullakët, si dhe Raymond Garthoff i CIA u shfaqën skeptikë për “vdekjen natyrore”. Shumë shkrimtarë deklaruan se ishin dakord me teorinë e vrasjes, duke thënë se kreu i truprojave të Stalinit e kishte helmuar atë me një injeksion, me urdhër të Berias. Kjo tezë bazohet në lajmin, e dhënë nga vetë Stalini, për qëllimin e një mjeku hebre për të kryer atentat ndaj jetës së tij si dhe vendimin e mëpasshëm për të prishur çdo lloj marrëdhënieje me Izraelin. Besnikët e tij druheshin se mos diktatori kishte për qëllim që të persekutonte hebrejtë, një fakt që do të shkaktonte më pas një luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qendra e lëvizjes sioniste. Pra mendohet që kanë qenë njerëzit më të afërt të Stalinit që e kanë helmuar, për të shmangur një luftë të tretë botërore por edhe për të shpëtuar lëkurën: thuhet që Stalini kishte ndërmend të spastronte të gjithë Byronë Politike.

John F. Kennedy (1917-1963)
A u vra nga mafia?

Data e vdekjes: 22 nëntor 1963
Mosha: 46 vjeç
Vendi i vdekjes: Dallas, Teksas
E kemi ende para syve atë pamje të tmerrshme: John F. Kennedy që u vra hipur mbi një makinë e cila po përshkonte rrugët e Dallasit. Lee Harvey Oswald u arrestua për vrasjen, por më pas u vra edhe ai vetë, përpara se të merrej në pyetje, nga dora e Jack Ruby. Komisioni Warren, që kreu investigimin në vitin 1964 konkludoi se Oswald kishte vepruar i vetëm dhe që ishin tre të shtëna, ku plumbi i parë nuk e kish goditur shënjestrën, ndërsa i dyti kishte goditur presidentin në kokë. Duket se plumbi i tretë i kishte hyrë në shpinë, kish kaluar në qafë dhe kish dalë nga fyti, përpara se të përfundonte në shpinën e Guvernatorit të Teksasit, e përpara se të gjendej në një barrelë në spital. Eshtë i ashtuquajturi “plumbi magjik” që ka bërë aq shumë të debatojnë ata që nuk besojnë në teorinë e vrasësit të vetmuar. Në vitin 1979 një komision i krijuar posaçërisht për të hetuar për rastin konkludoi se mund të thuhet që Kennedy ka qenë ndoshta viktimë e një komploti. Mafia ishte mes të dyshuarve kryesorë, duke qenë se mendohet që Kennedy e kish përdorur për të fituar zgjedhjet presidenciale në 1960, për t’i kthyer pastaj shpinën sapo kish arritur objektivin. U përmend edhe një emër: kryemafiozi i njohur Johnny Roselli mendohej se ishte truri i atentatit. Ky version ka gjetur konsensus edhe mes më skeptikëve.
Në fakt, dëshira për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për këtë çështje shtyu një numër gjithnjë e më të madh historianësh që të mbështesin teorinë e komplotit mafioz. Skeptikët më të mëdhenj janë vetëm ata që thonë se duan të bazohen vetëm në prova të sigurta, por e dimë që është shumë e vështirë që një mafioz të lërë rrëfime me shkrim.
Pavarësisht dyshimeve të shumtë, ata që besojnë në këtë teori komploti bazohen në katër pika kyçe: prova e filmimit të xhiruar nga Abraham Zapruder, ku shihet koka e Kennedy që shkon pas, sikur goditja të jetë ballore; pamundësia e teorisë së “plumbit magjik”; vrasja e një personazhi tashmë telashendjellës si Oswald nga dora e një pjesëtari të malavitës i lidhur me mafian si dhe rrethanat e çuditshme të vdekjes së 21 dëshmitarëve të vrasjes në tre vitet pas atentatit.

https://www.facebook.com/Cerciz-Loloci-444479355625593/

Please follow and like us: