Albspirit

Media/News/Publishing

Promemoria që Zef Mala i dërgoi nga internimi Mehmet Shehut

Zef Mala ne Shkoder 1937

Më 15 korrik 1978, nga Labova e Zhapës ku ishte i internuar, Zel Mala i shkruan një promemorie emblematike kryeministrit Mehmet Shehu, pasi ai vite më parë kishte ndërprerë çdo komunikim me Enver Hoxhën.

 

TESTAMENT POLITIK

Promemorie drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehut

Labovë, Gjirokastër 15 korrik 1978

Nga Zef Mala

Në bazë të një vendimi të Komisionit të internimeve ndodhem në Labovë familjarisht i dënuar me 5 vjet banim të detyrueshëm këtu, për qëndrim të keq politik.

Kundër këtij vendimi të pajustifikueshëm në planin juridik e legal, dhe të pa drejtë në atë etik e politik, paraqes protestën time. Sepse qysh nga vjeti ‘41 nuk kam zhvillue ma, asnjë aktivitet politik e shoqëror, bile sistematikisht i jam shmangë edhe çdo veprimtarie kulturore publike, duke dashtë me evitue çdo fërkim me autoritetet në fuqi.

Rritë e edukue në një rreth familjar i cili dikur pat dhanë kontributin e vet, si në beteja për pavarësi ashtu dhe ma vonë, për liri e demokraci.

Kam nisë veprën time politike e kulturore qysh në moshë shumë të re në mbrojtje të këtyne idealeve dhe në favor të nji rendi shtetëror të themeluem mbi drejtësinë dhe në të cilin burgjet dhe kampet e internimit do të ishin vende koreksioni e riedukimi të vrasësit, grabitësit dhe shkelësit ordiner të ligjit.

Megjithëse përmes pasigurish e lajthitjesh të kuptueshme për moshën djaloshare, jam gjende në mes, dhe në krye të lëvizjes përparimtare që proçeduan krijimin e Partisë Komuniste dhe ardhjen e saj në fuqi.

Pothuaj për 10 vjet me radhë shkrimet e mija, artikujt e mi të shumtë, broshurat, përkthimet e te tjera legale e ilegale kanë qenë baza e vetme teorike dhe materiali kryesor propagandistik i të ashtuquajturve “Grupe Komuniste”.

Nën ndikimin tim grupet e masipërme muarën atë orjentim antimonarkist dhe antikonformist, për të cilën krenohen sot, edhe ata që atëherë i qenë nënshtrue sistemit duke përfitue nga benificet që mbreti u blatonte me bujari gjithë atyne që i shërbenin në mënyrë të hapët ose të mshehtë*.

Gjithashtu nën drejtimin tim qysh më 1939 nisi lufta e organizueme e popullit Shqiptar kundër okupacionit italian, ndërsa të tjerët prisnin sulmin Gjerman, në bindje për të kuptuar se edhe atdheu ynë ishte viktimë e agresionit Fashist. Demostratat e 39-ës janë kryesisht vepra ime.

Për afro 10 vjet me radhë mendimet e mia dhe puna ime i dhanë tonin lëvizjes revolucionare të grupeve progresiste, pa më guxue askush të m’i kundërshtojë gjatë të gjithë kësaj kohe, me dy rrjeshta të shkrueme ose me dy thanie verbale të vërtetueshme. Për këtë aktivitet të vjetër pata marrë nga regjimi i kohës, dënime të shumta me burgime e internime duke pësue edhe gjymtime fizike të randa.

Mbas vitit ‘41 e mbas kthimit tim në Shqipëri i kam ndejë larg çdo veprimtarie politike e shoqërore dukë u tërheqë në një kohë studimesh e meditacioni, megjithë ftesat që më qenë ba nga Partia Komuniste për t’u integrue në të dhe për të marrë funksione përgjegjësie në organet e pushtetit të ri.

Për këtë qëndrim qeshë edhe akuzue e goditë për obstrusjonizëm ndaj sistemit në fuqi, bile edhe në vitin 1953 para ultimatumit me zgjedhë midis përgjegjësive dhe luftës së pareshtur që do të më bahej nga ana e partisë, i preferova t’i përballoj pasojat e kësaj lufte të pabarabartë si dhe rrjedhimet e një persekucjoni të vazhdueshëm me dënime të përsëritura që po vuaj deri më sot. Kështu vargu i dënimeve të vjetra iu shtuen persekutimet, torturat, burgjet, internimet dhe gjymtimet fizike të reja.

Për aktivitetin e kryem nga unë deri në periudhën para vitit 1941 si dhe për mendimet e opsionet e mia pas kësaj periudhe regjimet e ndryshme që u përshkuan në vendin tonë, Monarkia, Komunizmi, më kanë ngarkue deri tani me 10 dënime për një shumë komplesive prej 60 vjetësh, burgime e internime nga të cilat 23 vjet po i kryej tani duke më detyruar të kaloj pjesën ma të madhe të jetës time aktive në kushtet që nënkupton privimin e lirisë nën pushtetin diktatorial, fajtor vetëm se desha lirinë e demokracinë për vendin e popullin tim e për vendet e popujt e gjithë botës.

Kuptohet lehtazi se unë nuk mund të aderoj në partinë Komuniste për shkak të rezervave që pata lidhur me linjën e saj me kompozicionin sodal me metodat dhe objektivat që ajo synonte, duke i gjykuar qëndrimet e qëllimet e saj politike, si të papajtueshme me idealin e asaj lirie që pat inspirue veprën time e mendimin tim të dikurshëm dhe të papërshtatshëm me interesat e kombit dhe të atdheut tim.

Ngjarjet e ndodhura në Shqipëni dhe nën kampin Socialist, mjafton të përmend ftesat për divizjone të huaja me posedue territorin Shqiptar. Kërcënimet Hrushoviane nga toka Shqiptare kundër fqinjit jugor, edicjoni Shqiptar i revolucjonit kulturor Maoist si dhe kthesat e pendimet e vazhdueshme të Partisë, janë prova ma evidente e afermadonit të masipërm se ndikimeve të huaja nuk i kanë shërbye kauzës së pavarësisë të vendit. Për ma tepër në qoftë se në rininë time të parë, sentimentalizmi e fanatizmi djaloshar më patën shtyrë me përqafue idetë luftarake të lëvizjes Komuniste ndërkombëtare, si udhën e vetme për të përmbushë aspiratat e popujve për liri, barazi, drejtësi sociale e progres të përgjithshëm, pjekunia e mendimit në një moshë ma të shtyme me studimet e mia në këtë ndërkohë më patën prirë tashma drejt një socializmi demokratik e liberal, humanist e kritik, si udhë e domosdoshme për të siguruar atë liri e drejtësi sociale pa të cilën asnjë shoqni njerëzore nuk mundet të ndërtohet e të përparojë, sepse në qoftë se liria nuk mund të ekzistojë efektivisht dhe të realizohet veçse mbi bazën e drejtësisë shoqnore, shprehja ma e lartë e së cilës asht rendi i Demokracisë Socialiste, vetë socializmi nuk mund të ekzistojë, veçse i mbështetur mbi një rend lirie të afirmuar në të gjitha format të cilat kjo artikulohet dhe merr konsistencën reale, d.m.th. si liri mendimi e ndërgjegje, si liri qytetare e politike, si liri njerëzore e individuale.

Kur isha i internue në Zvërnec, i pata drejtue autoriteteve shtetërore një letër proteste në të cilin shfaqja besimin që ishte njëkohësisht ma tepër një sugjerim, se dhe një sistem diktatorial komunist do të duhej që njerëzit të mundnin me jetue të lirë me mendimet e me opinionet e tyre duke garantue me ligj paprekshmërinë e integritetin fizik, intelektual e moral të çdo qytetari që nuk merr pjesë aktive në jetën politike të vendit të vet dhe që kufizohet të respektojë ligjet në fuqi.

Unë, për veten time i jam përmbajtur determacionit të maparshëm, për të mos u përzierë në veprimtari politike e shoqnore duke reduktue marredhaniet e mia në rrethin ma të ngushtë familjar i cili për fat nuk poseidon as pregatitjen e nevojshme arsimore, për të ndjekë shtjellimin e mendimit tim politik.

Bile as nuk kam reague kundër sulmeve e denigrimit që më bahet nga çdo anë në mënyrë zyrtare e jo zyrtare.

Sot mbas dënimit të fundit mue, që në vitin 1945 ndodhesha jashtë Shqipnie dhe kisha mundësi të mbetesha në dhe të huaj i mbrojtun dhe i nderuem, nuk më mbetet veçse të nxjerr konkluzjonet logjike nga ky akt i padrejtë që më bahet dhe të marr një vendim të dhimbshëm, por të domosdoshëm, me anë të kësaj letre, prandaj i baj të njoftun Qeverisë se qysh tani e quej veten të zgjidhur nga të gjitha obligacionet juridike e morale që lidhin një shtetas me shtetin e vet e me autoritetin që përfaqëson vendin e tij, rob politik i një regjimi që më ka shpallë luftë dhe më persekuton vazhdimisht me të gjitha mjetet që i jep pasja e pushtetit në dorë dhe përballë të cilit duhet të mbrohem me të gjitha mjetet legale duke i ba apel ligjeve njerzore e tagrit natyral si qenie e si person.

Gjatë vuejtjeve së dënimit për nevojat e jetës do të jem i detyruar të mbaj me administratën atë lloj raportesh që çdo i burgosur mban me autoritetet e burgut ku vuen dënimin.

Mbas 5 vjetësh, në mbarim të dënimit kërkoj të më dorzohen instrumentat për largimin tim familjar nga Shqipëria. Në moshën 70 vjeçare dhe me shkopin e vërbërisë në dorë, së bashku me shoqen e vuajtjeve të mia do të marr rrugët e mërgimit dhe të kërkoj një atdhe të dytë në ato vende ku revolucjonet liberale e tradicionale kanë konsakrue tashma përfundimisht mundësinë e tagrit e çdo njeriut që të rrojë i lirë me mendimet e veta me kredon e vet filozofike e morale, sociale e politike.

Zef Mala d.v.

Përgatiti: Gjon Fierza

*****

Kujtime nga At Zef Pllumit për Zef Malën

Zef Mala ishte nji ndër emnat ma të njoftun në Shqipninë e kohës së re sepse ishte i pari që kishte organizue në të gjithë vendin nji „parti komuniste“, aso here “sëmundje rinie“. Shkollën e mesme e bani në Kolegjin Saverjan të Jezuitëve në Shkodër, prej nga u përjashtue si “element anarko-komunist“. Ma vonë e shofim si student filozofie në universitetin e Vjenës, ndërkohë që gjatë pushimeve organizonte në të gjithë vendin grupe komuniste si ndër studenta ashtu ndër punëtorë, nga të cilët duelën elementa ashtu ndër punëtorë, nga të cilët duelën elementa shumë aktivë e të përkushtuem. Gjatë vjeteve të fundit të regjimit Zogist, ata u hodhën në burgje e u dënuen, por me ardhjen e okupacionit italian, në prill 1939, u liruen, përveç pak krenve që u internuen në Itali. Zefi kje çue në ishullin Ventottene ku i takoi me jetue bashkë me kryesorët e partisë komuniste italiane deri në ramjen e fashizmit. Me të kthyem në Shqipni shkoi në Pezë te Babë Myslimi të cilit i kërkoi që ta përcillte deri në shtab të përgjithshëm, por Myslimi e këshilloi: ”A shikon, more djalë, se shokët ma të mirët e Shtabit po mbarojnë nji e nga nji. Ma mirë rri këtu në Pezë, se sa kohë që të jeshë me Babën nuk të gjenë kurrnji rrezik!…

Kjo fjalë, – më tregonte Zefi, – më bani shumë përshtypje dhe që atë ditë fillova të marr shënime dhe t’analizoj gjithshka. Aso kohe, kur e prune në kamp të Ballshit, ai ishte gati qorr në të dy sytë; dritë shifte, por nuk mund dallonte njerëzit as objektet. Vaso Marku e disa të tjerë, me të cilët kishte formue grupet e para komuniste në Shqipni, i rrijshin gjithnji pranë e kujdeseshin për te. Nji ditë prej ditësh Foto Proko, nga Korça, po më thotë:

– Kam mbetë pa i bërë një vizitë Zef Malës. A po vjen e të shkojmë bashkë?

Kur shkuem, ai ishte rrethue prej shokëve të vjetër, aty para kapanonit, dhe po llafoseshin. Vaso Marko ndej gati e na paraqiti:

– Shoku Zef, – i tha, – po vijnë dy miq me të pa. Njëri është Foto Proko, gazetar, që ka studiuar në Bashkimin Sovjetik, e tjetri Zef Pllumi, që është një prej atyre të cilët na kanë përjashtuar prej shkollash mue dhe ty.)

Tue u tallë i a ktheva:

– Ndigjo mor Vaso; ç’u paskemi ba na tue u përjashtue prej shkollash? Gabimi ynë asht që kemi hjekë dorë prej metodash klasike tash dyqind-treqind vjet, se ju paskeni meritue me u qitë para inkuizicionit e me u djegë për së gjalli në turrë të druve!…

Zefit iu dha nji gaz e qeshi të madhe e ndërsa shtërngojshim duert, ma tundëte tue më thanë:

– Fjalë e saktë! Do të kishit shpëtue ju, na vetë dhe shumë popuj!… Nji herë ndërsa ishem tue pritë në radhë me marrë bukën po vjen nji grue e më thotë: “A je ti Zef Mala a më duket? Meriton me të varë të parin, a shef ku na çove?” … Iu përgjigja se do ta meritojshem sikur t’ishem në tribunë, por jo tash që jam në radhë me ty!…

(Kujtime nga At Zef Pllumi – Rrno per me tregue)

****

Dokumenti i plotë

Letra Enver Hoxhës për Zef Malën

1/8/43

Shokut Zef Mala

Shok,

Autokritikën t’ënde e kemi marrë, kemi kohë, por s’kemi mundur me të dhënë përgjegje të shpejtë për arsye pune dhe lëvizje të dëndura.

Na vjen mirë kur shohim se ti ke kuptuar gabimet e tua të shkuara dhe tash paraqite para Partis me nji autokritikë, me nji vullnet të ri, dhe gadi me dhanë çdo gja për Partin dhe për mbarëvajtjen e saj.

Gabimet e bamuna prej ish grupevet të ndryshme komuniste, i kanë bamë dëm të madh lëvizjes s’onë; ato kanë penguar formimin e Partis, ata kanë sëmurur mjaft shokë dhe konseguencat e punës së vjetër grupashe, për fatin e keq të Partis s’onë ndihen dhe shikohen herë pas here gjatë luftës dhe përpjekjeve.

Nji hendek i thellë e ndan punën e vjetër të pa-principtë, ma të shumtat e herës jo komuniste me punën e re të Partisë. Gjak i ri dhe i pastër lëvrin në radhët e saj dhe ky gjak i ri bëri që Partija e jonë e re të mëkëmbet, të forcohet, të hidhet në luftë, të udhëheqë popullin dhe te shkojë nga sukseset në suksese; lufta e pa-rreshtur dhe gjaku i shokve të rënë i forcoi dhe i çimentoi radhët e Partisë.

Me plot të drejtë e pohon dhe vet në autokritikën t’ënde se, qëndrimi politik i yti i vjetër ka qënë i gabuar; jo komunist ka qënë edhe qëndrimi i yt përpara gjyqit.

Vendimi i marrun nga Komiteti Qëndror karshi teje ka qënë i drejtë dhe dënimi i peshuar mirë. Por sikundër që e di çdo dënim që jep Partija ka nji karakter edukativ dhe ajo ndihmon të ngrihen, të gjejnë rrugën e drejtë, të gjithë ata që kanë gabuar dhe që i njohin gabimet e tyre dhe që i a rifillojnë punës së re me gjithë vullnet dhe bindje.

Nga ana tjetër qëndrimi i Partis asht i prerë dhe i pa-mëshirshëm kundër gjithë atyre që vazhdojnë të pengojnë punën dhe të dëmtojnë Partinë dhe radhët e saj.

Përsa i përket tezave të tua të shkrojtura mbi çështjen Shqiptare që prej 38-41 nuk i kemi të gjitha dhe do të jetë mirë që të na i çoni që të mundim t’i shqyrtojmë me imtësi; por sikundër që e thua vet n’autokritikën për skjarime dhe kritikën e tyre duhet t’a lëmë kur të vijë momenti që të jesh jashtë, pse vetëm duke e diskutuar gjërë e gjatë së toku besojmë se do të të skjarojmë dhe të të bindim mbi sa mund të kesh gabuar.

Mjafton vullneti i mirë i yti, bindja e jote ndaj Partis dhe forumeve të saj dhe zbatimi i direktivave që ti të shkosh drejtë rrugës së Partisë. Kjo e fundit do të të japi përkrahjen, do të të japi dorën të ngrihesh; varet vetëm nga ty që me prova të tregosh se me të vërtetë je shkëputë krejt nga mënyra e punës dhe mendimeve të vjetra, se autokritika që ke bërë të ka shërbyer për ndreqjen e gabimeve dhe për të shkuar pastër përpara.

Besojmë se do të ngjasi kështu.

Kemi lajmërue shokët e Tiranës që të të çojnë rezolucionet e ndryshme që ka nxjerë Partija dhe materjalin propagandistik; këndoji me vërejtje dhe kërko shpjegime nga shokët, të cilët kurdoherë do të jenë gadi të të ndihmojnë gjithashtu dhe neve.

Të fala shoqnore

Për Komitetin Qëndror të Partis Komuniste Shqiptare:

SHPATI.

AQSH, Fondi 14/ dosja 33/ viti 1943

 

Please follow and like us: