Albspirit

Media/News/Publishing

Sanders dhe plani i tij për të mposhtur Clinton

Ruben Avxhiu

Anketimet në West Virginia ia japin fitoren senatorit Bernie Sanders që shpreson të tregojë se gara mes demokratëve ende nuk ka mbaruar.

Por West Virginia ka vetëm 29 delegatë, të cilët do të ndahen në mënyrë proporcionale. Vështirë që Sanders të arrijë dhe të kalojë Hillary Clinton.
Por bashkë me fitoret e pritshme në Nebraska, Oregon dhe Kentucky, Sanders shpreson të bindë të ashtuquajturët superdelegatë, kongresistë e zyrtarë të partisë që kualifikohen drejpërdrejt për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare, që të ndryshojnë premtimin e tyre për të votuar për Hillary Clinton.
Pa superdelegatët, diferenca mes dy demokratëve nuk është edhe aq e madhe, ndonëse Hillary Clinton përsëri kryeson.
Shikoni sa e madhe është diferenca mes të dyve sipas tipit të delegatëve, në Konventën Kombëtare ku do të vendoset gjithshka.
Nga vota në zgjedhjet brendapartiake, Clinton ka 1,705 delegatë, ndërsa Sanders 1,415. Pra bëhet fjalë për 290 vota në Konventë.
Kurse nga superdelegatët, 523 janë me Hillary Clinton dhe vetëm 29 me Sanders.
Pra Sanders shpreson të arrijë Hillary Clinton në numër delegatësh të zgjedhur dhe pastaj të bëjë presion apo t’u lutet superdelegatëve që të pasqyrojnë vullnetin e popullit demokrat.
Pse ka kaq shumë superdelegatë me ish-Sekretaren e Shtetit? Kjo është e thjeshtë. Zakonisht kandidati më i njohur ose kandidati me më shumë mundësi fitoreje mbledh me shumë superdelegatë. Këta janë kongresistë dhe zyrtarë partie kështu që shkojnë me atë që njohin më mirë. Hillary Clinton ka qenë Zonjë e Parë për 8 vjet, ka qenë senatore dhe ka kandiduar për presidente në 2008. Shumë prej tyre kanë histori personale me familjen Clinton. Të tjerë, llogarisin edhe ndihmën apo sabotimin që mund t’u vijë nga kandidat presidencial nëse e zgjedhin ose jo.
Clinton dihet që ka aftësinë të mbledhë fonde të mëdha, që ka mbështetje dhe njohje. Shumë superdelegatë bëjnë thjesht llogari personale dhe më mirë ta kesh mirë me familjen Clinton sesa me senatorin veteran nga veriu që është vetëshpallur socialist.
Sigurisht, shumë superdelegatë do të thonë se thjesht po zgjedhin kandidatin që do të ketë më shumë shans që të mposhtë Donald Trump në nëntor.
Tani që rivalët e tij dolën nga gara. Shumë demokratë duan ta mbarojnë garë e tyre sa më shpejt, që partia të mund të bashkohet në kohë, që mbështetësit e të mundurve të mos ia mbjnë inatin e të mos mungojnë në fushatën për kandidaten Hillary Clinton.
Po Sanders nuk do të lëvizë. Sipas të gjitha shenjave, ai do të luftojë deri në votën e fundit. Dhe ajo do të hidhet në qershorin “e largët”. Deri atëhere gara vazhdon. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: