Shqipëria nuk falet as edhe një pëllëmbë
Rubrika: Faik Konica, histori dhe aktualitet
Shqipëria nuk falet as edhe një pëllëmbë
Është i njohur qëndrimi politik e diplomatik i Ali pashë Tepelenës ndaj misioneve franceze dhe veçanërisht ndaj Pukëvilit, konsullit francez në Janinë gjatë dhjetëvjeçarit të parë e të dytë të shekullit XIX, kur “Bonaparti mysliman” sfidoi Bonapartin e vërtetë në pashallëkun e tij, të cilin e donte të mëvetësuar e të njëjësuar në krejt Shqipërinë e Jugut. Po e njëjta sfidë ndaj francezëve do përsëritej në ato vite edhe në Shqipërinë e Veriut, kur Ibrahim Pasha, guvernator i Shkodrës, që do pasonte në fron të vëllain e tij, Kara Mahmut Bushatin, arriti t’i mbajë të bashkuara gati krejt trevat shqiptare veriore. Faik Konica, me një frëngjishte të pastër, pasqyron në revistën tij “Albania”, në mars 1900 një episod tepër domethënës huazuar nga Geroges Djoukovitche, i cili kishte botuar në Vjenë, më 1881, një broshurë për Shqipërinë, titulluar “Albanien”. Veç ndjenjës së fuqishme kombëtare, bukurisë së karakterit, krenarisë dhe vendosmërisë, diplomacisë pa dorashka, shfaqet në episodin e mëposhtëm, mbi të gjitha, dashuria për mëmëdheun, për ta ruajtur atë si dritën e syrit, siç thotë populli, pa ulur kurrizin me inferioritet, pa iu servilosur – siç ka ndodhur rëndom – asnjë të huaji që kërkon të “buj” apo të rrëmbejë me forcë e prapamendime. Shqipëria është e shenjtë, asnjë pëllëmbë nuk falet. Sepse kush ka falë a ka bërë pazare, qoftë edhe në tryezat politike e diplomatike, ka bërë thjesht tradhti kombëtare, është i përçmuar, tek mban mbi kurriz damkën e turpit të përjetshëm dhe peshën e mëkatit të pashlyer./Monet Maneshi.
***
Faik Konica
Shënime dhe copëza për t’i shërbyer historisë moderne të Shqipërisë
Më 1812, francezët, që kishin pushtuar në atë kohë Dalmacinë, kishin mbledhur një trupë prej 12 000 ushtarësh nën komandën e gjeneralit Pavteau në Budva pranë kufirit shqiptar. Thuhej se ky përqendrim trupash kishte për qëllim që t’i bënte banorët e rrethit të Pashtroviçit të pranonin për të furnizuar me detarë marinën franceze. Në fakt, qëllimi i vërtetë ishte krejt tjetër; perandori Napoleon po përgatiste një ekspeditë për t’u rimarrë anglezëve Ishujt Jonianë, të cilat i mbanin të pushtuara që prej vitit 1807. Oficerët francezë duhej të rekrutonin në Shqipëri një trupë të freskët prej 15 000 vetash për të sulmuar anglezët në Korfuz.
Gjenerali Sebastiani, ambasador i Perandorit në Kostandinopojë, kishte ditur të marrë për këtë projekt pëlqimin e Sulltan Selimit III, i cili kishte lëshuar një ferman për gjeneralin Pavteau dhe oficerët e tij duke i autorizuar të rekrutonin njerëz në Shqipëri. Mirëpo, Porta e lartë, duke patur dyshime për këtë ndërmarrje aventureske, i kishte dërguar Ibrahim pashës, guvernator i Shkodrës, vëllai dhe pasuesi i Kara Mahmud pashës nga familja e Bushatllinjve, udhëzime të cilat i bënin të mundur të vepronte si ta gjykonte ai vetë më mirë.
Gjenerali Pavteau dërgoi shtatë oficerë të zgjedhur nga Antivari [Ulqini] në Shkodër për t’i dorëzuar fermanin Ibrahim pashës dhe për të ngritur në këmbë trupën. Oficerët francezë u pritën me nderime të mëdha, por Ibrahim pasha, si lexoi fermanin, u thotë: “Unë kam guximin të mos i bindem këtij fermani; po të më kishin marrë më parë mendimin, kurë nuk do jepej një urdhër i tillë; sulltani nuk e njeh këtë vend dhe në Stamboll veç mburren se i dinë të gjitha”.
Oficerët francezë, të çuditur nga kjo qëndresë e paparashikuar dhe nga kjo mosbindje, u përpoqën ta kandisnin Ibrahim pashën se plani i tyre nuk përmbante kurrfarë rreziku për të dhe se drejtohej vetëm kundër anglezëve, armiku i tyre i përbashkët.
Ibrahim pasha i dëgjoi francezët me durim, e u përgjigj: “A e dini historinë e bretkosës dhe të akrepit? Një akrep, në bregun tjetër të Bujanës |Bunës] donte të vinte në Shkodër, por duke mos ditur not, iu lut bretkosës që të kalonte lumin mbi kurriz të saj.
– Edhe mund ta bëj, ia ktheu bretkosa, po ju jeni i keq se, me të mbaruar punën tuaj, ju veç kur të më ngulni thumbin. Gjithë akrepat njihen për tradhtarë, mosmirënjohës e vrasës.
Akrepi protestoi: – Jo gjithë akrepat janë të këqij, tha. Ja, dje një bretkosë kaloi Bujanën me një akrep dhe asnjë e keqe nuk i ngjau. Akrepi iu betua kështu bretkosës, me be e rrufe, se kishte vetëm qëllime të mira dhe se do t’i ishte mirënjohës e mirëbërës përjetë.
Bretkosa zemërmirë më në fund u bind, nderi këmbët e pasme dhe akrepi u ngjit mbi kurriz, teksa bretkosa notoi drejt bregut tjetër. Para se të zbriste, akrepi zu të bërtasë se e zu xanxa dhe se nuk mbante asnjë përgjegjësi për veprimet që do bënte, dhe se lypsej t’i ngulte thumbin. E pickoi mu në zemër të gjorën bretkosë e cila ngordhi në vend.
– E pra, ju francezët, jeni si akrepi i fabulës. Me të futur këmbët në Shqipëri, do të gjeni njëmijë pretekste për të mos shkuar në Korfuz. E di mirë që ju nuk jeni të kënaqur nga Dalmacia; që doni të rrëmbeni edhe bregun e bukur dhe pjellor të Shqipërisë dhe në zakonet tuaja franke ka helm si te akrepi. Sulltani nuk i ka kuptuar qëllimet tuaja, dhe unë nuk ua dorëzoj kurrë Shqipërinë. Ndërgjegjja ime dhe vetë vullneti i të parëve të popullit tim më ndalojnë t’i bindem Padishahut dhe ai, vërtet mund të më ndëshkojë për mosbindje, por ju nuk do arrini të realizoni planin tuaj.”
Oficerët francezë ikën të tërbuar nga Shkodra, duke kërcënuar se do ktheheshin me ushtri për të sulmuar Shkodrën dhe për të zënë Ibrahim pashën. Por nuk do arrinin t’i realizonin këto kërcënime; pesë prej tyre u vranë në Antivari para se të linin vendin, nga njerëzit e Ibrahim pashës, të cilët u prenë kokat.
Për këtë pabesi, gjenerali Pavteau s’kish si të merrte hak; e pa të udhës të arrestonte dy banorë të pafajshëm të Pashtroviçit që ishin strehuar në atë kohë në Mal të Zi, i akuzoi për vrasjen e pesë oficerëve francezë dhe i vari. E vërteta doli në shesh vetëm kur francezët u larguan më 1813 nga Gryka e Kotorit.
Hecquard, i cili tregon në librin e tij për Shqipërinë një pabesi të ngjashme që Mahmud pasha u bëri oficerëve austriakë më 1788, nuk flet për ndodhinë e 1812-ës.
Të ketë ndodhur vallë nga mosnjohja e faktit, apo mos ndoshta paanshmëria dhe vërtetësia – që duhet të jenë detyra e çdo shkrimtari dhe sidomos e çdo historiani -, duhet të jenë spostuar, për t’ua lënë vendin vlerësimeve politike të konsullit Hecquard?
Albania, viti IV, mars XV (1900).
Përktheu M. Maneshi