Albspirit

Media/News/Publishing

Shukrizimi i shoqërisë!

Shukrizimi i shoqërisë!

Nga Luna Lamaj

I dashur Shukri! Kudo qofsh e kushdo qofsh, sot meqë i dole edhe një herë këtij populli me zë e figurë me vjen të të them të hëngrët mortja!

Jo se ti Shukri nuk ishe këtu dje, po keq e mos më keq( se sot erdhe në Tiranë e siç e do zakoni robi lahet e vesh brekë të reja), pra se me hutove, po të thoja që dje, pardje, e sa vite kam që jam bërë vajzë, këtu të kam parë, nëpër këmbë, të neveritshëm, të pisët, që vjen erë e keqe, po sot o Shukri kam inat shumë, e me tërë shpirt uroj të shuhet raca jote!

Inatin e kam me një racë të qelbur që deformon e merr me qafë një shoqëri të tërë, që i tregon djalit të vet si të shukrizohet kur të rritet me modelin e tij dhe i tregon vajzës së Avniut përballë që duhet “të puc” Shukriun për të mbajtur frymë ngjallë.

Siç të thashë o Shukri ti ishe dje, të shoh sot edhe e di që do të të shoh prapë nesër po po të shkruaj se ma ke bërë borxh mua, vajzës tënde, gruas, motrës e nënës tënde! Në një shoqëri ku palaçot si puna jote nuk janë fenomene, nuk janë raste të izoluara, nuk janë manjak e pervers sporadik, hipur krejt pa u vënë re në fronin e pushtetit ku instiktet e tyre interferojnë në marrëdhëniet burokratike, por janë modele suksesi është e frikshme! Është e frikshme kur zgjohesh nga ëndrrat e jeta të përball ndoshta me të vetmen alternativë që je ti! Është e frikshme ta lesh fshatin për një jetë më të mirë e ajo është pamja e brekëve të tua të grisura e të rrudhura!

Është e frikshme të të rrisin prindërit, të të edukojnë, të të shkollojnë, të mbarosh studimet e të kthehesh në projektin e realizuar të prindërve të tu e tani të duhet t’ia dalësh vet mbanë, dhe pikërisht tani të trokasësh diku e derën të ta hapësh ti Shukri!

Është e frikshme të dashurohesh, të martohesh, të riprodhosh jetën e pastaj, e tamam atëherë kur ke larë me lodhje edhe kredinë që more për të blerë shtëpi, kur fëmijët po rriten e ti po plakesh jeta të “ta fus me shpullë” e të të shkund mirë kur të tregon që babai i fëmijëve është një copë “Shukri”!

Janë ditë të vështira, jo se nuk janë kudo, jo se seksi nuk rrotullon botën, po këtu në këtë shoqëri të fustruar, ku liria e morali Shukrizohet përditë e më keq fatkeqësia bie mbi vajzën e gruan, ku në pafund raste i duhet të shukrizohet me Shukriun për pak lekë xhepi, për sanduiçe, për lekët e qerasë! Ky është problemi!

Do isha shumë dakord kur njerëzit si kudo bëjnë zgjedhje për një jetë më të mirë, për një çantë më të mirë, për një palë pushime të hajrit, për një jetë të rehateshme e luksoze, ku në fund të fundit çdokush bën zgjedhje mes zgjedhjesh!

Ama ndihem e fyer deri në rrënjën e ekzistencës time në këtë shoqëri të qelbur plot me shukrinj e të palarë, e brekë grisur që si qenër të vijnë nga mbrapa, e kur një vajzë me barkun bosh nuk ka më mundësi zgjedhjeje por thjesht duhet t’i japësh zgjidhje, të për lyhet me djersën e burrit të palarë e të kurvërohet për të mbajtur frymën gjallë!

Please follow and like us: