Transporti detar i emigrantëve shqiptarë në Amerikë
Viron Prodani
Para vitit 1905, shqiptarët shkonin në Amerikë nëpërmjet agjensive të transportit të udhëtarëve në Greqi dhe Itali. Pas këtij viti, me shtimin e emigrantëve shqiptarë për në Amerikë u rrit interesi i këtyre agjensive për të hapur degët e tyre edhe në Shqipëri.
Zhvillim të madh që në fillim të shek. XX, mori transporti i udhëtarëve e mallrave me vaporë. Kjo lidhet edhe me faktin se, që në fillim të këtij shekulli e më pas, pati një emigracion të madh në SHBA-Kanada-Australi-Argjentinë-Itali-Misir etj. Po kështu, me zhvillimin e tregtisë, u rrit volumi i mallrave që importohej nga Italia, Greqia, Turqia, SHBA dhe vendet e tjera të lindjes. Një zhvillim të madh mori dhe eksporti në këto vende. Vaporët që transportonin emigrantët ishin nga më të mëdhenjtë në botë. Vaporë të tillë po përmend: Më i madhi në botë QUEEN MARY-75.000 Ton, MAJESTIK-56.650 Ton, S.S. LEVIATAN- 59.956 Ton, BERENGARIA-52.226 Ton, AQUITANIA- 45.647Ton, OLYMPIK -46.439 Ton, MAURITANIA- 30.704 Ton etj. Çmimi i biletës të klasit të tretë, me të cilin udhëtonte pjesa më e madhe e emigrantëve varionte nga 100 deri në 120 dollarë. Koha e udhëtimit nga brigjet e Europës deri në New York ishte 5 ditë. Në vitin 1922, vapori më i shpejtë ishte anglezi MAURITANIA me 25.29 mile në orë dhe pas tij vinin dy vaporët gjermanë MAJESTIK – me 24.02 mile në orë dhe BERENGARIA – me 23.30 mile në orë. Vaporët në këtë kohë digjnin vaj-guri në vend të qymyrit. Në verën e vitit 1922, do të bëhej një konkurs në Angli për të parë edhe njëherë shpejtësinë e tyre dhe nëse do të përdornin vaj-guri apo qymyr.
Linjat e transportit të udhëtarëve dhe mallrave me vaporë:
-CUNARD LINE (1909) Liverpul-New-York-Boston. Vaporët udhëtojnë 2 herë në javë. Përfaqësues i Përgjithshëm: Aleksandri V.Baltadori, agjent në Korçë.
-CUNARD LINE (1920) Kompania më e madhe në botë që ka vaporët më të mëdhenj dhe më luksoze. Vaporët shkojnë nga Pireu në New-York çdo muaj. Përfaqësohet nga z.Jorgji Lukeri.
-AGJENSIA RAOUL (1920) Linja: nga Selaniku dhe Vlora për në New-York. Vaporët shkojnë dy herë në javë. Përfaqësohet nga Vinjau & Petraq Katro.
-AGJENSI VAPORESH (1920). Nis pasagjerë me të gjitha kompanitë për në SHBA. Agjent ne Korçë: Vasil Mosko.
-ROYAL MAIL LINE (1923) Vaporë të Postave Mbretërore Angleze. Linja: Nga Franca-Anglia-Italia për Brazil, Argjentinë, Kanada, SHBA. Udhëtime çdo javë. Agjent në Korçë: Lluka Dh.Fundo.
-AGJENSI VAPORESH (1923). Linja: Nga Italia në Australi dhe New York. Agjent ne Korçë: Petraq Katro.
-ROYAL MAIL STEAM PACKET (1923). Vaporë të Postës Mbretërore Angleze.
Linja: Nga Pireu- Portsaid në Australi, Kanada, Amerikën e Jugut. Agjent ne Korçë: Lluka Dh.Fundo.
-UNITED STATES LINE (1927) Linja: Nga Cherbourgu(Francë) për në SHBA. Dy herë në muaj. Agjent në Korçë: Lluka Dh.Fundo.
-AGJENSI VAPORESH (1929)Linja:SHBA,Kanada,Kubë,Meksikë,Australi. Agjent në Korçë: Spiro Xega & Jorgji Lukeri.
-AGJENSI VAPORESH (1929) Mbulon udhëtime në Amerikën e Veriut dhe te Jugut, si dhe Kanada, Kubë, Venezuelë, Kolumbi, Australi. Agjent ne Korçë: Idomen J.Kosturi.
-CUNARD LINE (1931) Linja: Cherbourg – New-York. Linja: Durrës ose Sarandë për në New York çdo javë. Agjent i Përgjithshëm në Korçë: Lluka Dh.Fundo& Bijtë. Agjent në Bilisht: Jovan Stasa&Bijt. Agjent në Ersekë: Petro N.Prodani.
-COSULICH LINE (1931) Linja: për në New-York, Boston. Agjent në Korçë: Mina Lluka & J.Chapulari. Bilisht J.Stasa&Bijt.
-UNITED STATES LINE (1931) Linja: Cherbourg,Havrë për në New-York. Agjent në Korçë: Pando Mustaka. Agjent në Ersekë: Anastas Simeon. Agjent në Bilisht: Llambi Fundo.
-CUNARD WHITE STAR (1934) Linja:Cherbourg-SHBA-Kanada.Çdo javë një vapor ekspres. Agjent në Korçë: Bijte e Lluka Fundos. Agjent në Ersekë: Fundo & Papando. Agjent në Bilisht: Jovan Stasa & Bijtë.
-UNITED STATES LINE & RED LINE (1934)Linja: Havrë për në SHBA dhe Kanada. Linja: Durrës ose SARANDE për në New-York. Agjent i Korçës: Gaqi M.Opari.
-ITALIA- COSULICH LINE (1934)Linja:Napoli për në New-York.Linja: Durrës për në New-York. Agjent i Korçës: Vaskë Qeleshi. Në Ersekë: M.Totoni& G.Pappas. Në Bilisht: Llambi Fundo.
-UNITED STATES LINE (1935)Linja: Cherbourg për në SHBA dhe Kanada. Agjent i përgjithshëm: Gaqi M.Opari. Agjent në Korçë: Efthim Opari & Bijtë dhe Pando Mustaka. Agjent në Ersekë: Mihal P.Prodani.
-CUNARD WHITE STAR (1936) Linja: Durrës ose Sarandë për në SHBA dhe Kanada. Agjent në Korçë: Vëllazëria Zëmblaku.
-UNITED STATES LINE (1938) Linja: Cherbourg për në SHBA. Agjent i Korçës: Vaskë Qeleshi. Agjent në Ersekë: Anastas Simeon.
-AGJENSI VAPORESH “FAROS” (1938)Linja: Nga Greqia, Cherbourg, Havrë, Napoli për në Amerikën e Jugut, Kubë, Kanada, Argjentinë, Brazil, Meksikë dhe Australi. Agjent ne Korçë: Jorgji Lukeri.
-COSULISH LINE (1938) Linja: Durrës,Bari,Napoli për në New-York. Agjent i Korçës: F.A.Kondili.
-ITALIA LINE (1939) Linja: Napoli për në New York. Agjent i Korçës: Vaskë Qeleshi. Ersekë: M.Totoni& G.Pappas. Bilisht: Llambi Fundo.
Transporti i udhëtarëve me anije, nga viti në vit, ka patur një zhvillim të madh në drejtim të:
– Shtimit të linjave të reja dhe numrit të shteteve ku udhëtonin pasagjerët.
– Portet nga niseshin anijet, nuk ishin vetëm në shtetet e tjera, por dhe brenda Shqipërisë.
– Vaporët ishin nga më të mëdhenjtë në botë, duke krijuar një komoditet dhe shërbim të admirueshëm për pasagjerët.
– Koha e udhëtimit nga SHBA në Portet e Evropës, u shkurtua në 4-5 ditë.
– Janë të shumta falenderimet në shtyp nga udhëtarët shqiptarë, për shërbim të jashtëzakonshëm. Falenderimin e shoqëronin edhe me fotografi.