Tre portrete të panjohura të Faik Konicës
Nga Fotaq Andrea
Fletore koniciane nr. 11
Po e nisim me portretin më të fundit artistik për rilindësin e nxehtë Faik Konica: është një pastel befasues, gjithë freski, firmosur “Taso,
2015″. Mjeshtër i dorës së lehtë pikturore, plot hovje të pandërprera artistike, për të cilin ka pse krenohet Pogradeci, Anastas Konstandini, vjen e pavdekëson sot Faik Konicën me një ngrohtësi e harmoni ngjyrash të barasvlershme me vetë ngjyrimet e befta që Ohrida e lashtë i fal Uranusit Qiell.
E njohim foton historike, bardhë e zi, të Konicës me kostum kombëtar, realizuar në Amerikë më 1909. Gjithçka në të është tipike shqiptare, me krenari e dinjitet kuptimplotë, si për t’i thënë botës së qytetëruar të frakut dhe borsalinës: Ja, ku më ke, Amerikë, në kërthizën tënde, me lashtësinë time iliro-shqiptare, që nga qeleshja, gjer te fustanella! Veçse, kjo e tanishmja “Koniciane à la Taso”, si një simfoni ngjyrash, e lë pas ku e ku foton bardhë e zi, e tejkalon, duke ia shpërthyer kufijtë e klishesë! Sepse, mbi të gjitha, është tejet psikologjike tek na shfaq një Konicë “me sy prej zogu”, si porta të brendësisë së tij shpirtërore, aq të trazuar e patriotike! Por edhe me atë vështrim të ethshëm depërtues e magnetizues, si të donte të përthithte, gllabëronte e pushtonte tërë botën shpirtërore të atij tjetrit përballë tij, i huaj a shqiptar, i qytetëruar a jo, konician a antikonician, në qoftë. As më shumë e as më pak, portreti i gjeniut Konica nën penelin “Taso” është thjesht i arrirë. I përplotë. I përpiktë. I magjishëm. Madje hetues, do thoshim, në vështrim të parë. Aq sa ngrohtësi e ngjyrave të tij të mban një hop pa frymë, pa fjalë, teksa zemra regëtin e qerpikët dridhen nën një ritmikë emocionale. Portret gjithë hijeshi. Qëndrim gjithë madhështi. Hijerëndë e sqimëtar, ky burrë i Dheut të Arbrit, me mustak të plotë, burrë zamani – ja një Konicë në qetësinë e vet olimpike, në atë qetësi mbisunduese që i njihej veç Zeusit plot shkëlqim e mbifuqi mes perëndive të lashta. Dhe nuk ka në këtë rast, para këtij portreti plot elegancë, si të mos sjellim ndër mend, vetë fjalët e Konicës, artdashës si rrallëkush: “Tek artisti i madh e i hollë – thotë ai në mënyrë proverbiale -, vepra është e panjollë”. E panjollë, dhe e përsosur në thjeshtësi, do shtonim. Me llullë në dorë, me medaljon në gjoks, me xhoke kreshnikësh qëndisur në ar, me mëngë që të nxjerrin me katër krahë dhe, në valëvitjet e tyre, me njëqind krahë si vetë gjigandi Briare, me jelek gjithë llamburima flatrash flamuri, me feste mënjanë mbi ballë të lartë, si vetë shpati i malit veshur me kapë dëbore, me fytyrë të paqtë, gjithë siguri të plotë në vetvete, ky “Konicë” i ngjyrës së ngrohtë e të ëmbël “Taso” ngjall respekt të dyfishtë: së pari, për personalitetin e lartë shqiptaro-europian të eruditit Faik Konica; dhe, së dyti, për vetë personalitetin artistik të shkallës së epërme të Mjeshtrit Anastas Kostandini, pasuesi i denjë poradecar i Lasgushit e i Kutelit, që ka ditur e di aq bukurisht të ngjyrosë penelin e vet në fjalën e tyre poetike ohridiane.
Po ka edhe më: gjetja e spikatur e piktorit Taso për sfondin e veprës së tij me një “Skënderbe” à la Géricault, apo më mirë à la Xega, që i mungon ilustrimit të thjeshtë bardhë e zi të ballinës “Gjuha shqipe, plot shije dhe e bekuar”, vepër e Konicës botuar në vitet 30. I shkon për bukuri ky sfond Konicës së madh, që e drejtoi – me “Albania-n” e tij -, mendimin shqiptar, drejt modernes evropiane si vetë hovja e
kalit të Skënderbeut mes tymnajës së kaltërreme të luftës që shpëtoi Europën nga Osmania. Monumentalizmi konician i këtij pasteli merr kësisoj forcë e taban në atë sfond plot vrull, ku vrumbullijnë zhurmshëm jehonat e luftërave kastriotine. Të falemi me nder, Taso, me dorë në zemër, shqiptarisht, për kënaqësinë artistike që na falë përherë.
Vepra e dytë që përfaqëson sërish Konicën artistikisht, vepër, të cilën na e ka bërë të njohur për herë të parë prof. Ferid Hudhri, zëri më i spikatur e i nderuar në hulumtim të vijueshëm të tematikës shqiptare në Veprat e artit botëror, është një portret në vaj firmosur nga piktori amerikano-polak Joseph Sigall. Duhet njohur nga afër vepra e këtij piktori të famshëm (Çmim i Artë i Akademisë mbretërore të Artit në Vjenë në vitet 1910) për të kuptuar ndërmarrjen e tij në realizimin e portretit konician më 1934. Joseph Sigall, me repertor të pasur veprash, kishte firmosur tashmë një galeri të tërë portretesh artistike të personaliteteve të shquara botërore, që nga Mbreti Georg VI, Gijomi II, presidentët amerikanë Coolidge, Hoover e Roosevelt, e gjer te gjenerali Douglas MacArthur dhe artistja famëmadhe Pola Negri. I konsideruar si portretisti i Shtëpisë së Bardhë gjatë tre presidencave, ai pikturonte gjithnjë në studio, dhe asnjëherë nga fotografia. Konica, mik i ngushtë e i hershëm i studiuesve, artistëve dhe shkrimtarëve të mirënjohur në rang botëror – nga Leon Cahun, Louis Benloew, Emile Legrand e Guillaume Apollinaire në Paris, nga Elisée Reclus, Paul Nocquet e Alfred Bastien në Bruksel, nga albanologu Pederssen e diplomati anglez Aubrey Herbert, gjer te figurat e njohura amerikane si Beniamin de Casseres, Ernest Durig, nxënësi i Rodin-it të madh, madje edhe vetë Joseph Sigall -, Konica pra, diti të imponojë me dinjitet të lartë e erudicion të rrallë individualitetin e tij të gjithëfuqishëm, jo thjesht si personalitet e kryediplomat shqiptar, por edhe si përçues i hershëm, që më 1909, i kulturës evropiane të kohës në kontinentin e ri përtej Atlantikut! (Kjo përmasë koniciane, e pastudiuar gjer më sot, si shumë enigma të tij, do të jetë së shpejti objekt studimi nga ana jonë). Pra, asnjë çudi e rastësi që piktori Joseph Sigall na ka dhënë këtë portret të Konicës që zbukuronte sallonin e tij të pritjes në Uashington – krahas një morie statuetash të Durig, vizatimesh e tablosh, instrumentesh frymorë e muzikorë, humbur pa nam e nishan si 2500 titujt e bibliotekës së tij! – gjer ditën kur gjeniu shqiptar u shua ashtu papritur (?!), ai që gëzonte shëndet të plotë dhe përkujdesej për veten si rrallëkush!
Ku qëndron e veçanta e portretit të Konicës në tablonë e Sigall? Është kryekëput një portret, plot thjeshtësi e modesti, me njëtrajtshmëri ngjyre njerëzore që vjen e përshkallëzohet drejt së gështenjtës së kuqërremtë dhe që shfaq tipare tepër të ravijëzuara, të gdhendura imtësisht. Na shpaloset kësisoj një botë shpirtërore koniciane e trazuar, gati e përvuajtur, hallëmadhe, ku tre hullitë e ballit të lartë (si rrallëkund në portretet e tij) janë si tre notat e befta të simfonisë së pestë bethoviane për të na dhënë notën e katërt, atë më të zgjaturën: një vështrim i shqetësuar, po edhe zhbirëlues, me një shtrëngim paksa të lehtë të buzëve, si për të përmbajtur një ohalitje a ofshamë në kuptimin: “Po hëëë pra, Shqipëri, kur do bëhesh dhe ti?!” Sfondi i errët harmonizohet ëmbël me botën e brendshme të trazuar të Konicës, por me një të veçantë mahnitëse: në qoshkun e majtë na shfaqet një si aureolë, sa premtuese, aq edhe joshëse, si për të shpërndarë errësirat e kohës. Kemi të bëjmë këtu me një detaj simbolik, mjaft kuptimplotë, që na kujton aureolat e Jezusit a të engjëjve të dëlirë për të ardhmen e ndritur.
Thjesht, kjo tablo e Sigall me portretin konician, është një kryevepër, e denjë për të zënë vendin e vet historik në fondin e artë të Galerisë së Arteve në Tiranë.
Nga ana tjetër, në parantezë, për amatorët e artit modern, do shtonim një hollësi: vajza e piktorit Joseph Sigall është Mitzi (Mary) Sigall, me një bukuri të cilësuar “hutuese”, portretin e së cilës e realizoi më 1948 Salvadore Dali.
Më në fund, një portret i tretë konician që na ka rënë në dorë kohët e fundit, është një fotografi, paksa e njohur, realizuar nga studioja amerikane Harris & Ewing dhe datuar më 20 gusht 1927, me rastin
e emërimit të Faikut si Ambasador fuqiplotë në Amerikë (“Minister to U.S. from Albania”). Mban numrin inventarizues 749 të studios dhe vulën e saj “Copyright by Harris & Ewing” me shënimin përkatës: “8/11/27. Një portret i ri dhe i posaçëm i të Nderuarit Faik Konitza, ministër i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara”. Për fat të keq, portreti është disi i retushuar, për të nxjerrë në pah linjat kryesore tek hojëzat, konturi i veshit, tek buzët, sytë, vetullat, flokët dhe jaka e këmishës. Ndonëse, duket që është dorë mjeshtri për të përforcuar tiparet e zbehura të një fotoje plot dritë, dhe për të na dhënë një burrë shteti me portret dinjitoz, bashkohemi me mendimin e mikut tonë Anastas Kostandini që retushi, më shumë e ka cenuar vetë foton. Dhe me siguri, një fotografim i dytë i kësaj fotoje të retushuar duhet të përbëjë fotoja jo aq cilësore e studiuesit dhe koleksionistit Niko Kotherja, hedhur tashmë në web.
Sidoqoftë, kjo foto e retushuar, është një dëshmi e re historike për të na dhënë një Konicë si personalitet i lartë shqiptar në Amerikë, ku gjithçka shfaqet me një pastërti gati kromatike, një Konicë impozant, me tipare të ngrohta, mjaft mbresëlënëse, ky sytë – përherë sytë -, vezullojnë një mendje gjeniali, me fuqi tërheqëse, ngashënjyese, magjepse.