Albspirit

Media/News/Publishing

Bejko: Lubonja për Vaçen, si adoleshent i frustruar

Intervistoi Xhevdet Shehu, February 16, 2014 

 

Shkrimtari dhe poeti Sadik Bejko, ish-redaktori letrar i Festivalit të 11-të, reagon kundër Fatos Lubonjës për shkrimin e tij kundër nderimit që iu bë ditët e fundit artistes së madh Vaçe Zela.

Zoti Sadik, ditët e fundit publicist Fatos Lubonja, shkroi një artikull të gjatë mbi nderimet që iu bënë Vaçe Zelës. Diku i quan edhe ‘debilizëm masiv’. E lexuat atë artikull?

 

E lexova. Por, meqë siç thuhet shpesh jemi në kohën që secili ka të drejtë të mendojë si të dojë, se e vërteta a të vërtetat janë të shumta, po e lëmë Lubonjën ta ketë mendimin e tij për “debilizëm masiv”. Ai e tha mendimin e tij. Tani, po shprehim ne mendimin tonë. Vaçe Zela ishte një vlerë e muzikës shqiptare, për cilësitë e larta vokale dhe interpretative. Nuk po hyj në konsdiderata shkencore a prej profesionistësh të muzikës pse ajo mbetet, një këngëtare e shquar, një figurë gati e patejkaluar në vlerat vokale dhe interpretative edhe sot e kësaj dite dhe pse ka rreth tridhjet vjet që ka dalë nga skena. Për mua ishte prekëse që njerëzit masivisht u hidhëruan për Laver Bariun, për Vaçe Zelën e për disa figura që njëra pas tjetrës u ndanë nga jeta këto javët e fundit.

Është një shoqëri e shëndoshë ajo që pikëllohet kur humbet njerëz që i kanë dhënë gëzim kësaj jetës shqiptare jo aq shumë të gëzuar. Është shoqërisht e shëndoshë të jesh mirënjohës ndaj Vaçes, Mentorit, Bariut, Sallakut, Madhit… Në gjithë botën figura të tilla me të cilët njerëzit e një epoke kanë ndarë për një kohë të gjatë gëzimet familjare, shoqërore, u kanë shtuar gëzimin në festa, ditëlindje, martesa etj, vlerësohen. Ka pasur raste që në vënde shumë të civilizuara janë shpallur ditë zije se aktorë të humorit, këngëtarë të niveleve si Vaçja për Shqipërinë janë ndarë nga jeta.

Po ashtu është pozitive që shumë publicistë e eseistë të njohur në këtë vend u shprehën me nderim për figurat që u ndanë nga jeta muajt e fundit. Në këtë rast druri i shtembër që do të rrëzojë gjithë barrën nuk gjen vend. Përkundrazi. Ai me këtë del kundra atij brezi të aktorëve dhe artistëve të ekranit e të skenës që ende janë gjallë dhe kanë shënuar piketa me cilësi të qendrueshme në artin shqiptar.

 

Cilat janë arsyet sipas jush?

Lubonja si gjithmonë do të gjejë rast që bëjë kundrapedalin. Kur kësi njerëzish e vazhdojnë gjatë këtë mani adoleshentësh, atëherë shkaqet janë brenda tyre. Dhe kjo ka disa shpjegime. Për të mos u arratisur larg, po qëndroj tek ato që kanë rëndësi për  publikun: Mendoj se arsyet mund të jenë disa. Lubonja do të bëjë interesantin, adoleshentin e vonuar, a të frustruar, se në kohën kur ka jetuar nën hijen e diktatorit, të cilin dhe e evokon në një letër nga varri, duhet të jetë traumatizuar deri në pashërim. Ai kurrë nuk e ka kapërcyer faktin që ka jetuar me frikë në zemër dhe aq pranë nën hijen e afërt të një dhunuesi, që edhe pse e ka adhuruar e duartokitur në fëmijëri e në rini, më pas ai njeri i ka shkatërruar familjarisht kot së koti. Kjo është e dhimbshme. Mendoj se ka dhe arsye më praktike e më të thjeshta. Një rol të tillë, rolin e kundrapedalit me të gjithë dhe për një kohë të gjatë, dikush e bën dhe sepse ka leverdi. Sot jemi në epokën e tregut dhe që të jesh në treg, që të kesh sukses, qoftë dhe si mohues vlerash kolektive, rrënues a nihilist ngaherë është punë me leverdi. Gjithmonë duhet një dru i shtembër për të rrëzuar barrën, për ta trazuar, për ta anuar, për ta hedhur rrafsh për tokë… Një i tillë dru i shtrembër duhet qoftë dhe për të thyer monotoninë. Edhe tregut të medias i interesojnë tipa të tillë. Ka dhe arsye të tjetra. Hierostati ka qenë zjarrvënësi i bibliotekës së Aleksandrisë. Ai e dogji atë nga dëshira që t’i mbetet emri në histori. Kjo arsye tashmë që Lubonja ka bërë emër zjarrvënësi, mbase nuk qëndron.

Ai ka marrë pozicionin e rrënuesit të miteve. Ky program i rrënuesit të miteve është si i qepur me penj merimange. Griset shpejt. Ose përdoret nga Lubonja si pozicion filozofik(sic!) për të justifikuar çdo lloj sulmi ndaj vlerave. Pra, miterrënuesi është një rol që me kohë është diskredituar. Edhe diçka tjetër nuk duhet neglizhuar. Lubonja sillet kështu që të kënaqë një nxitje të brendshme. Kjo nxitje e brendshme, pra, urrejtja për një kulturë, për figura të saj, për mjedise e mendësi të kësaj kulture gjen rast të shpërthejë herë pas here tek ai. Ai kënaq këtë urrejtje duke përdhosur vlera që për një mjedis të gjerë janë të qëndrueshme. Shqipëria të tillë artistëve nuk u dha shumë, të paktën dashurinë, siç treguan këto raste, nuk ua kursen. Dhe ky është një shpërblim i madh moral. Dihet, që këtu nuk fitohen para me punë arti dhe skene, dihet që aktorë, këngëtarë, poetë e shkrimtarë jetojnë me të ardhura shumë modeste. Atëherë as dashuri mos t’u japim?

 

Një nga arsyet që e quan të pamerituar nderimin për Vaçen Lubonja përmend faktin se ajo këndoi dhe bëri art në diktaturë. Sa qëndron ky argument jo vetëm për Vaçen?

Tani të vijmë te ajo se disa nga këto figura të artit, të skenës dhe të ekranit kanë kënduar këngë, kanë bërë filma, piktura e skulptura, poezi e drama për komandantin, për diktaturën “pranverën e re”, “për të bukurin atdhe”, “për jetën e re… mes shoqeve mes shokëve ”… Kjo nuk ishte zgjedhja e tyre. Kjo ishte “zgjedha” e tyre. Edhe me këtë zgjedhë në qafën e tyre, por, tashmë duke e flakur tej atë, ata vijnë në ditët tona.  Vlerësohen për çfarë e kalon atë kohë. Kjo që i këndoi dhe “pranverës’ nuk e ul cilësinë e lartë të talentit të Vaçe Zelës. Vaçe Zela, falë talentit të lindur, e ka vendin e vet në sistemin e qëndrueshëm të vlerave. Sot e përgjithmonë atë nuk mund t’ia falim  “pranverës”, as “valsit të lumturisë” që nuk ishin. As Komandantit, me të cilin Fatosi u marrka vesh mistikisht dhe shkëmbekan letra e mesazhe. Është trup dhe është e rëndë për ndërgjegjen e një njeriu ajo që fajet e diktaturës t’i transferojë nga diktatori dhe regjimi i përgjakur i tij, tek artistët e asaj kohe.

Në gjithë kohërat arti ka dhe vlerën e tij morale, veç asaj që është cilësi artistike. Por diktatorit e diiktaturës nuk mund t’u bësh shërbim më të mirë tani mbas vdekjes, nëse ua lehtëson sadopak barrët e gjakut. Ua shpërndan ca njolla krimi dhe artistëve që ajo diktaturë i detyronte të ishin të atillë si i donte ajo.

 

Vitin e kaluar pati serish debate mbi një artikull të Lubonjës kundër Gjykatës së Hagës, kur ajo liroi Ramush Haradinaj…

Shiko, nuk e thashë pa qëllim atë që ke leverdi, kur bën shkrime duke mbajtur fort anën e njërit a të tjetrit. Sot, siç thuhet shpesh në rrugë e ngado në Shqipëri, sot jemi në epokën e tregut. Kur bëhet diçka, pyetja është: ç’fitoj unë, e ç’fiton ti. Askush nuk punon badihava. Në sulmet e Lubonjës ndaj Haradinajt dhe gjithë atyre që kanë ndodhur në Kosovë, nuk shprehet me gjasme mendimi i intelektualiit të lirë, i qytetarit të botës, i intelektualit mendje hapur që del mbi nacionalizmin etj. Janë maska që u shqepën me kalimin e kohës. Lubonja shërben dhe shpërblehet. Në, fund të fundit, ai nuk ka ndonjë punë tjetër. Do të jetojë. Po nëse vetë nuk e sheh shumë moralin para leverdisë, e ruajti për një të vdekur gjithë atë mllef të ambalazhuar me mësime morali. Flet sipas tezave serbe për Ramushin, dhe i quan debila masivisht ata që pikëllohen për Vaçe Zelën.

Ai është i zbuluar në synimet e tij. Dihet edhe që ai serviret me teza nga miqtë e tij në Serbi. Ka bërë disa herë shërbime të hapura. Janë dhe sulmet e tij ndaj Skënderbeut, ku ai ka mbetur në nivelin  e publicistikës së tabloidëve. Pastaj edhe paranoja e mposht ndonjëherë. Ai arrin të thotë se diku-diku dhe si shkrimtar është më i njohur se Kadareja.

Nuk dua të hyj në këtë fushë që Lubonja e mbulon prej një kohe të gjatë: është i pangishëm në urrejtjen e vet për të tjerët. Tek ai lexohet lehtë edhe urejtja ndaj Ramës.

Pastaj shiko… Të gjithë donin ta kishin për vete Vaçe Zelën. Vetëm Fatosi donte t’ia jepte Nexhmijes të gjthë Vaçen. Ata në këtë pikë, sado urrehen, prapë merren vesh. Të dënosh dhe të ndëshkosh artistë dhe pas vdekjes… një melodi e njohur!

Please follow and like us: