CNN grek këmbëngul për Balilin
Rrjeti televiziv i përgjigjet letrës së ambasadës shqiptare në Athinë, duke ju referuar një takimi sekret në Shqipëri, mes policisë shqiptare dhe asaj greke. “Përfaqësuesi i palës shqiptare tha se Balili nuk mund të preket se ka lidhje të forta politike”
Në Greqi Portali informativ CNN.Gr dhe Ambasada shqiptare në Athinë janë përfshirë ne replika mbi dyshimet se shqiptari Klement Balili që cilësohet “si truri” i trafikimit në Greqi të 700 kg marijuanë mbrohet nga politikanë të lartë në Tiranë. Pas një shkrimi të CNN në gjuhën greke ku thuhej se oficerë të policisë shqiptare u kishin deklaruar partnerëve greke gjatë një takimi sekret në Shqipëri se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë, reagoi zyrtarisht Ambasada shqiptare në Athinë. Përmes një letre të nënshkruar nga drejtuesi i zyrës së ndërlidhjes të policisë shqiptare në Ambasadën shqiptare në Athinë, Andi Likaj, vihej në dukje se asnjë pjesëtar i policisë shqiptare nuk ka deklaruar që baroni i drogës ka mbrojtje politike në Tiranë. Sipas letrës së Ambasadës shqiptare drejtuar CNN GR , Policia shqiptare, ashtu si çdo pjesëtar i saj që ka hetuar çështjen në fjalë, nuk ka bërë një deklaratë të tillë, ndërsa ka bërë çdo përpjekje për hetimin dhe asgjësimin e organizatës”.
Portali informativ CNN GR e ka publikuar reagimin e Ambasadës shqiptare shoqëruar me faksimilen e letrës . Por menjëherë ka publikuar edhe një reagim ku ripërsëritet se CNN GR i është referuar sipas burimeve të tij një takimi tejet sekret në Shqipëri, mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Në këtë takim sipas CNN GR një pjesëtar i palës shqiptare ka thënë se “në Shqipëri nuk mund të preket ky njeri , veçse po të ketë fakte të pakundërshtueshme, sepse ai ka lidhje politike dhe kontake me parti e politikanë të nivelit të lartë”. Sipas dosjes, ka ripërsëritur CNN GR, personi rezultonte të ishte financier i kartelit dhe organizator per transportimin e 700 kg marijuane në Greqi që anëtarët e organizatës kriminale e fshehën në ishullin Zakynthos. “Hetimi narkotikëve ishte nën fshehtësisë ekstreme dhe vizita nga policia greke në Shqipëri ishte absolutisht sekret i papërshkueshëm, sidomos pas asaj që ata dëgjuan nga të dhënat për organizatorin e kartelit”, nënvizon portali CNN Gr në reagimin e tij pas letrës së ambasadës Shqiptare në Athinë.
Për lidhje të Balilit me politikën shqiptare ka folur edhe opozita shqiptare. Pas njoftimeve se Balili është zhdukur pa lënë gjurmë, kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi mbrëmë se “me bekimin e ministrit të Brendshëm dhe nën mbrojtjen e policisë Klement Balilaj prej dy ditësh është arratisur dhe nuk gjendet. Loja me ka kërkesë, s’ka kërkesë, ka dosje, ska dosje, është nën hetim, nuk është nën hetim, është i PS, është i LSI-së, nuk është gjë tjetër veçse dhënie kohe Klement Balilajt për të kryer pikërisht këtë akt, arratisjen.
Balili konsiderohet si ndër krerët e një grupi trafiku me një rrjet të shtrirë në disa vende të Bashkimit europian. Sipas Europolit, organizata europiane e zbatimit të ligjit, 17 persona, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike u arrestuan më 9 maj, në një operacion të bashkërenduar të drejtuar nga Greqia dhe me mbështetjen e Belgjikës dhe Europolit. Mes të arrestuarve janë 11 grekë dhe 6 shqiptarë. Sipas Europolit, rrjeti i trafikantëve me bazë në Greqi, mendohet të ketë fituar miliona Euro nga trafkimi i drogës në shtetet evropiane.