Përplasja me Prokurorinë/ Zbulohet pajisja përgjuese në Policinë e Shtetit
“Boldnews.al” ka mësuar se “IMCI Catcher” është pajisja që po përdoret për trajnimin e oficerëve të Policisë së Shtetit, por që Prokuroria dyshon se mund të përdoret për përgjime të paligjshme.
Prej ditësh, në media po flitet se shërbimet inteligjente kanë ngritur alarmin se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është një pajisje përgjuese, për të cilën nuk ka asnjë autorizim ligjor dhe nuk dihet se si ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto informacione mediatike u konfirmuan në mesin e javës, kur Prokuroria e Tiranës ka regjistruar informacionin e shërbimeve inteligjente në formën e kallëzimit dhe ka nisur verifikimet e saj.
Të premten, dy oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës u paraqitën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me një vendim për të sekuestruar pajisjen e dyshimtë. Por të dërguarit e Prokurorisë u kthyen “duarbosh”, pasi, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit u thanë që kjo pajisje nuk gjendet në administrimin e tyre. Sipas zyrtarëve blu, pajisja që po kërkon Prokuroria shërben vetëm për qëllime trajnimi dhe administrohet nga misioni “Interforze” i Qeverisë Italiane, e cila asiston autoritetet shqiptare.
Në vijim të kësaj përgjigjeje, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar zyrtarisht “Interforze”-s, për të krijuar një ide më të qartë se për çfarë qëllimi është përdorur pajisja.
Referuar faqes ndërkombëtare të internetit ‘Wikipedia”, për pajisjen “Imci Catcher” jepet një shpjegim i tillë:
“Imci Catcher” është një pajisje që përdoret për përgjimin e trafikut të telefonisë celulare (mobile), si edhe për të ndjekur vendndodhjen e personave që përdorin telefonë celularë. Teknikisht, kjo pajisje shërben për të realizuar krijimin e një antene të rremë ndërmjet telefonit celular dhe antenës reale. “IMCI” përdoret në vende të ndryshme nga agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet e inteligjencës. Megjithatë, përdorimi i tyre ka ngritur shqetësime të mëdha sa i përket sigurimit të lirive civile dhe personale. Përdorimi i kësaj pajisjeje është rregulluar me ligje strikte në vendet ku ajo përdoret”/BoldNews/