Albspirit

Media/News/Publishing

Protestë në Prishtinë

  • Besim Abazi

Mijëra veta protestuan në qendër të Prishtinës për të kundërshtuar marrëveshjen e arritur në bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Kjo është protesta e parë e organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, por pa mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje. Protesta e sotme, ndryshe nga e kaluara, filloi me himnin kombëtar shqiptar dhe himnin shtetëror të Kosovës, ndërsa krahas parullave kundër marrëveshjeve, protestuesit valëvitën flamujt kombëtar shqiptarë, ata të Kosovës, të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Oratorët thanë se marrëveshjet janë të dëmshme për Kosovën dhe kundërshtuan edhe kushtëzimin e procesit te liberalizimit të vizave me ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

Partitë opozitare u hodhën në protesta që nga shtatori i vitit të kaluar duke penguar edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve. Por më 18 prill Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën nënshkruan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor.

Marrëveshja u kritikua nga lëvizja Vetëvendosje e cila tha se veprimtaritë opozitare e kanë humbur bashkërenditjen nga siç thuhet, veprimet e njëanshme të disa prej figurave tjera opozitare dhe kanë tronditur besimin e kësaj lëvizjeje.

Mos dakordimi për mënyrën e krijimit të një blloku opozitar për zgjedhjet e ardhshme bëri që partitë opozitare të ndahen nga bashkëpunimi i tyre.

Opozita mbetet megjithatë në një mendje për të kundërshtuar marrëveshjet dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Por, këto zgjedhje sipas udhëheqësve të koalicionit qeveritar nuk do të mund të mbahen para qershorit 2018, kur janë të parapara me kalendarin zgjedhor.

Please follow and like us: