PS-LSI, sherri i shtirur për kriminelët e tyre
Partia Socialiste dhe LSI janë ngërthyer në një sherrnajë fallco lidhur me përkatësinë partiake të kriminelëve të zbuluar së fundi. Të gjitha bateritë e propogandës së tyre janë vënë në punë për ti faturuar njëri – tjetrit personazhet që këtej e tutje do të jenë subjekte të drejtësisë.
Kështu, pas disa akuzave, ish deputeti i jugut Koço Kokëdhima, nxitoi të shpallë se klani familjar i “Eskobarit të Ballkanit” i përket LSI-së. Ai deklaroi se ish shefin e transporteve të Sarandës, tashmë në kërkim, e kanë vendosur në punë se njerëzit e Ilir Metës dhe se familjarët e tij i përkasin të gjithë, që nga kryetari i bashkisë së Delvinës e deri tek kordinatorët lokalë, Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Zërit publik të Kokëdhimës i shtohen edhe disa zëra periferikë të socialistëve të provincës. Sipas tyre klani i madh i Balilëve që dikur kishin qenë mbështetës të PD-së, ishin të vetmit që me anë të forcës së muskujve dhe pushtetit të parave, bënë të mundur rrënjosjen e Ilir Metës në jug. Nga një parti që më parë nuk i kalonte 150 votat, LSI arriti të bëhet forcë e parë në Delvinë me një rezultat befasues.
Krejt i njëllojtë me socialistët është reagimi i LSI-tëve për skandalin e ndodhur në Dibër. Deputeti i kësaj partie, Përparim Spahiu, jo vetëm e dënoi aktin e kryebashkiakut brekëgrisur të zonës së tij, por ai shkoi edhe më tej. Duke mos u mjaftuar me shkarkimin e Shukriut, ai e vuri gishtin drejtpërdrejt mbi Edi Ramën, jo vetëm duke ia faturuar atij Don Zhuanin nga Dibra, por edhe duke i bërë apel që ti kërkojë falje asaj zone së cilës i imponoi në drejtim atë njeri.
Edhe në këtë rast sinjali që vjen nga LSI-a është i qartë: mëkatari nuk është i yni, por i socialistëve.
Duke parë këtë lojë kukamëshefti, me akuza për njëri –tjetrin, ku në mënyrë të turpshme është përfshirë edhe PD-ja e cila nuk ka më, mesaduket, as guximin dhe as financat që të sulmojë LSI-në, të ngjan sikur në mes dy forcave të majta po zhvillohet beteja e radhës.
Të bindura që pushteti po diskreditohet në mënyrë marramendëse nga prodhimi i ngjarjeve kriminale, të dy partitë e koalicionit po mundohen të bëjnë minimalen: ti’a faturojnë ato njëra -tjetrës.
Por, e gjitha kjo nuk është veçse një iluzion. Një sherr i rremë për ti hedhur hi syve publikut. Një tentativë e kotë për tu fshehur pas gishtit.
Spektakli me akuza të ndërsjellta i dy partive qeverisëse, i ngjan në fakt sherrit banal të dy hajdutëve, që pasi kanë vjedhur një bankë, grinden se kush ka më shumë apo më pak merita, për shkallmimin e kasafortave në saj.
Dhe ashtu si këta banditë që harrojnë për një çast se të dy bashkë kanë vjedhur paratë e njerzve, ashtu edhe PS e LSI anashkalojnë faktin se pavarësisht nga ngjyra, janë ata sëbashku që na i kanë servirur kriminelët në pushtet.
Tashmë ky koalicion është i pandashëm në të keqen që po i bën shqiptarëve, prandaj dhe sherri banal nëse keqbërësi i radhës, qoftë ky vrasës apo gjobaxhi, baron droge apo manjak seksual, pra beteja nëse ai është i ngjyer me të kuq apo me mavi, nuk ka pikë rëndësie.
Ai mund të kish qenë i vlefshëm në fillim të mandatit.
LSI mund të distancohej nga PS, kur kësaj partie filluan ti kapen deputetët e parë kriminelë.
Rama mund ta kishte fatin të shkëputej nga Meta, atëhere kur publiku e morri vesh se raste si ai i shefes së arsimit të Lushnjes, apo metoda si ato të aferës DIA- ÇEZ nuk ishin episodike.
Por, në të kundërt, dëshira për të vazhduar grabitjen dhe ankthi se mos humbasin pushtetin, i mbajti ata të lidhur në mëkat.
Tani, pas tre vitesh në qeverisje, dhe mbështetjes së krimeve të njëri – tjetrit, ata janë thjeshtë pjesë e së njëjtës bandë.
Prandaj konflikti i shtirur i shpërthyer së fundi: se krimineli i radhës i përket aleatit është i kotë. Ai nuk bind më askënd. (Lapsi.al)