Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Shekspiri im

ShekspiriiTemës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im. Më ka pëlqyer të hamendësoj se çdo njeri mund ta ketë Shekspirin e vet

Nga Sadik Bejko

Temës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im. Më ka pëlqyer të hamendësoj se çdo njeri mund ta ketë Shekspirin e vet. Prej vitesh mendoj se e kam një të tillë. E kam takuar që në adoleshencën time. Me kohë ai u rrit brenda meje, është me mua dhe sot. Nuk dua të më ndahet. Në librin tim ‘Rrënjët’ (1972) gjen poezinë “Hamlet”, frymëzuar nga Shekspiri. Ismail Kadare ka shkruar se, kur vizitoi kështjellën mbretërore Elsinor në Danimarkë, iu kujtua kjo poezi. Më pas, me mbresat e kësaj vizite, (ndër të tjera, kishte fjetur në të njëjtin hotel me Hiro Hiton, perandorin japonez) ai shkroi një poezi për Hamletin, botuar te libri “Koha”. Më parë se t’iu citoj diçka nga poezia ime ‘Hamlet’, dua të them se me Shekspirin jam takuar vonë. Në vitin 1961. Isha në klasën e tretë në shkollën e mesme pedagogjike, ish-shkolla Normale, në Elbasan. Në atë vit na e bëri të njohur për herë të parë Shekspirin profesori ynë i letërsisë, Besim Qorri. Ai ishte shtatshkurtër, topolak, me faqet buçko, me zë prej fëmije dhe… shumë i dashuruar me letërsinë, me Shekspirin. Na kishin thënë ata të vitit të katërt: dale, dale, s’keni marrë vesh asgjë prej letërsisë, pa dëgjuar profesor Besimin t’iu flasë për Hamletin. Ai jepte katër leksione të plota për Shekspirin, d.m.th., nuk pyeste, nuk vinte nota, nuk jepte detyra shtëpie. Hynte në klasë dhe në heshtje, si në tempull ne prisnim të fillonte ligjëratën për Hamletin, Otellon, Makbethin, Romeo dhe Xhuljetën, Jul Qezarin.

Nuk dija, nuk kisha lexuar asgjë për Shekspirin. As të tjerët nuk dinin. Në kohën e librave me ballistë e me partizanë, të filmave ruso-sovjetikë me kooperativiste të lumtura, me komisarë të kuq e me bjellogardistë, Shekspiri na erdhi si shpëtim. Këta të tijtë ishin libra: me magjistrica, me helme në vesh, me fantazma, me arapë të zinj, të tmerrshëm që e therin dhe pastaj e puthin gruan e vdekur, me të dashur që në varreza pinë helmin për njëri-tjetrin …. Ku kishin qenë këta libra? Profesor Besim Qorri kishte qenë aktor në vitet ’30. Kur ishte kthyer nga studimet jashtë, kishte luajtur në dramat e Ethem Haxhiademit. Disa thoshin se kishte luajtur rolet e femrave. Të tjerë thoshin se rolet e femrave i kishte luajtur profesori i fizkulturës. Për mua, profesor Besim Qorri ka qenë aktori i parë tragjik dhe më i miri, aktor që i luante të gjitha rolet shekspiriane, burra dhe gra. Ai ma futi Shekspirin në gjak.

Ai shpjegonte ngjarjet, ndalte te monologët, te detajet. Fytyra e tij, shtati i tij shndërroheshin. Faqet ngjetheshin me mornica… zëri i tij jo burrëror, zë i hollë, prapë transmetonte tragjizëm. Ishte Shekspiri që e bënte tragjik figurën modeste të profesor Besimit, e bënte aq prekës, sa edhe pas më shumë se gjysmë shekulli nuk e harroj. Ai kur shpjegonte nuk qe dikushi i futur nën xhaketën e Shekspirit. Ishte një copëz njerëzore e gjallë, me mish e me gjak, një substancë tragjike lëvizëse. I dalë prej vetes, na recitonte: “Edhe ti, Brut, Brut biri im …” pastaj italisht: “Anche tu Brutus, Brutus, figlio meo”! Ah… u ngulën kamat… dhe gjaku doli për ta parë.

Ky profesor sikur kish zbritur nga qielli për ne që nuk dinim, nuk kishim lexuar asgjë për Shekspirin. Shumica ishim konviktorë, nga fshatrat. Ne vinim nga një Shqipëri 90 për qind analfabete. Atëherë nuk kishte TV. Përkthimet e Shekspirit nga Noli nuk ishin ribotuar ende. Në kinema jepeshin filma me propagandë…

Më pas e kam lexuar, e kam parë Shekspirin në skenë dhe në ekran. Më 1965 e pashë Hamletin nën interpretimin e aktorit Naim Frashëri. Shqipëria në ato vite kishte tre Hamletë: Kadri Roshin, Kujtim Spahivoglin, N. Frashërin. E pashë me të tre. Isha student. Në auditorë ecja me plastikën aktoreske të Naim Frashërit – Hamlet. Jashtë kontrollit pëshpërisja me zë copa monologësh, batuta, si : Hapuni. Jam Hamleti i Danimarkës. Isha i dehur me Shekspir. Te i ndjeri profesor Besim Qorri, kjo dehje qe shkruar përbrenda si një lëngatë që nuk shërohet kurrë. I sëmurë me Shekspir… që na e ngjiti edhe ne…Pastaj erdhi në kinema aktori britanik Lorenc Olivier. Dhe të tjerë aktorë… Te Bielinski, kritiku i shquar rus, kisha lexuar rreth tridhjetë faqe mbi Shekspirin. Nga Pasternaku lexova Hamletin që thoshte “më ndjekin si egërsirë”… Në njërën nga këto ditë shkrova poezinë ‘Princ Hamlet’. Nuk lejohej nga botuesi fjala “princ”… dhe e botova me titullin “Hamlet”:

Kur në histori fryjnë erërat

Dhe shemben muret e kalbura të botëve,

Kur kombet, shtet shkunden si fletët

Në vorbullën e madhe të shqotave,

Ti vret naivitetin e shkollarit,

Vështron shekujt nga kështjellat bosh,

Braktis skenat, del prej ekranit

Edhe s’pyet më: “Të rrosh a të mos rrosh?”

Shekspirin e kam lexuar gjithë jetën. Kam ndjekur kritikën… studimet mbi të. Kam dhënë leksione. E kam lexuar kur kam qenë mirë. Jo atëherë kur kam qenë i lumtur. Por kur kam qenë keq, e kam lexuar patjetër. Është shumë ngushëllues. Vepra e tij është të biesh dhe të dalësh nga një fatkeqësi. Hamleti të mëson që mos të vetizolohesh kur të bie e keqja mbi kokë. Po iu nënshtrove të keqes të thith në zinë e saj më të zezë.

Kam lexuar se tema qendrore e tragjedive të tij është pushteti, temë e mishëruar te treshja: mbreti, uzurpatori i fronit, trashëgimtari i fronit. Secili syresh është personazh dhe kryepersonazh. Hamleti është tragjedia e trashëgimtarit, Makbethi – tragjedia e uzurpatorit, Mbreti Lir – tragjedia e humbjes së kurorës. Asnjëri nuk e gëzon paqësisht e deri në fund të jetës fronin e mbretit. Historia luan me ta, ca figurina tragjike që kurorëzohen përkohësisht me pushtetin suprem. Pushteti i gjithëkohshëm është hyjnor. Hyji ua delegon atë ca tokësorëve, që ndonjëherë ngjan se ata janë bërësit e historisë. Por pas pak, historia i vret ata njësoj si aktorët skenikë, për ta gëzuar vetëm për vete privilegjin e pushtetit. Mbi njëzet perandorë romakë u vranë nga garda, miqtë, nga gratë a bijtë për t’u marrë pushtetin. Në Bizant i verbonin publikisht, u prisnin gjymtyrët perandorëve të rënë nga froni.

Pas Shekspirit nuk ka më tragjedi të vërteta në teatër. Ka drama. Pushteti nuk është më hyjnor. Ka rënë konsensusi i publikut për pushtetin si e dhënë hyjnore, për monarkun absolut. Pushteti buron nga votat, konfliktet gjejnë shtegdalje nëpërmjet kompromiseve, tragjeditë përfundojnë në dramë. Por Shekspiri mbetet dhe pas shkarkimit të tragjikes nga froni hyjnor. Çfarë është Shekspiri? Poezia e lartë, universaliteti i temave, i mesazheve, i karaktereve; përzierja e tragjikes me komiken (kujtoj varrmihësin te Hamleti, varrmihës që porosit verë, ndërsa këndon, thellon varrin dhe hedh kafka me lopatë); njohja e pashoqe e njeriut, e pasioneve të errëta e të bukura të tij; skepticizmi shekspirian; të mos moralizosh; të jesh në distancë të akullt, sa i sheh të gjitha dhe ua thua të mbarat e të prapat gjithkujt. Harold Bloom e quan Shekspirin shpikës i njeriut, d.m.th. ka ndikuar aq shumë sa e ka rikrijuar Njeriun. Shekspiri është poezia, inteligjenca e lartë. Poezia forcon unin, ndërgjegjen. Poezia është përgjimi i zërit të brendshëm, zë që i flet secilit. Shekspiri të mëson që ta dëgjosh këtë zë të brendshëm. Të monologosh me zë a pa zë si Hamleti. Makbethi, në monologun para vrasjes së Dunkanit, shpalos zërin e tij të brendshëm, të cilit nuk ia dëgjoi këshillën, ndoqi ambicien dhe… dhe përfundoi ‘në ferr-hapsanë’. Harold Bloom-i me të drejtë pyet: kujt ua thotë Hamleti monologët, të tjerëve? Jo, (Të rrosh a të mos rrosh… ) ia thotë vetes. I bën mirë dëgjimi, përgjimi i zërit të brendshëm. Kjo është poezia. Poezia mbase nuk ka funksion shoqëror. Jo, ka funksion të pastrojë ferrin e ndërgjegjes nga makthet. Kadare ka një libër “Hamleti, princi i vështirë”, një sprovë që e rrok në vështrim transversal këtë tragjedi që edhe sot hap mundësi leximi të pashtershëm. Në librin “Mëngjese në kafe Rostand” flet për xanxën e Makbethit. Xanxa e fantazmave. Në fillim, fantazmat i shfaqen si magjistrica, që i thonë të vrasë mbretin. Më pas, Makbethit iu mbush jeta me fantazmat e atyre që vriste. Letërsia e madhe e kthjellon njeriun duke nxjerrë fantazmat nga hambari, nga ferri ynë i ndërgjegjes. Nuk do t’i përfundoja këto shënime pa thënë se shumë monologë shekspirianë i di përmendësh. Ia them vetes, me raste i them edhe sot në tavolina me miq. Di dhe shumë nga këngët tragjike a groteske që fut Shekspiri sipas gjendjes së personazheve: Ofelia e çoroditur këndon “Shën Valentinin sot po festoj”, Desdemona e dëshpëruar këndon “Qaj shelg, o shelg i zi”. Për disa nga këto mrekulli përkthimi ende duhet t’ia dimë për nder Fan Nolit.

Shekspiri jeton ende, edhe katërqind vjet pasi ka vdekur.

Brezi im e ka pasur idhull. Veç jo gjithmonë ia kemi dalë ta bëjmë të tillë dhe për studentët tanë. Sidomos me këta të sotmit, me këta… brezin e smartfonëve. Në një nga provimet e vitit të fundit, kolegu im më thotë se prindërit e studentes së radhës i kishte miq… domethënë atë studente duhet ta kalonim. Asaj i kishte rënë në pyetje Shekspiri. Kolegu im, që kish ndër mend mos ta dëgjonte, u zgjua: “Ou, Shekspiri, pa na fol”. Ky koleg është nga ata që ta presin fjalën në mes. Nuk dëgjon dot çdo lloj njeriu. Sidomos për Shekspirin veç vetes, s’duron t’i flasë tjetër njeri. Shtrëngoi dhembët atë ditë dhe i duroi mëk-mëket e vajzës së mikut. Edhe ajo mbaroi shpejt…

Por ai gaboi kur e pyeti nëse ajo kish lexuar ndonjë nga veprat e Shekspirit. “Po, kam lexuar, tha ajo. Tingëllon aq bukur italisht”. “Italisht…?”, pyeti kolegu. “Po, ia pat ajo, sa tragjikisht vjen dhe në gojën e aktorëve italianë. Është shkrimtar i madh italian”. “Ashtu?” “Po, profesor, jam e sigurt për këtë”. Kolegu im ulëriu: Përjashta, maskareshë, m’u zhduk sysh, përjashta!

Shekspiri që ka jetuar kaq gjatë, them se do të mbijetojë sa të jetë njeriu. Ma do mendja dhe zemra, se do t’u bëjë ballë dhe këtyre gocave e djemve me nga dy smartfonë.

* Ese e mbajtur në Fier, në tubimin me temë: Katërqind vjet pa Shekspirin e Servantesin

Please follow and like us: