Seks, drogë…dhe përçarje
Katër ngjarjet e ditëve të fundit dhe lidhjet politike që nxjerrin në pah përplasjet në shtëpinë e shumicës. A po përdoret policia dhe prokuroria në luftën për pushtet mes PS dhe LSI?! Nga “kurthi” që pretendon PS se iu ngrit Shukri Xhelilajt, te shpërthimi i Kokëdhimës për lidhjet mes të kërkuarit për trafik droge Klement Balilaj me LSI. Arrestimi i zyrtarëve të rrugëve dhe hetimi kryesisht për “fyerje” ndaj Veliajt…
Nga Vladimir Karaj
As Edi Rama kryeministër, as Ilir Meta kreu i Kuvendit dhe LSI nuk mund ta fshehin sot që mes dy forcave kryesore të shumicës ka një ndarje të qartë. “Ai, në këtë detyrë është propozuar dhe vendosur nga LSI”, shkruante dje në një sqarim të gjatë për të kërkuarin për trafik ndërkombëtar droge Klement Balilaj, ish-deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima. Ai është ndër të fundit që mund të bënte një deklaratë të tillë sulmi (e mbrojtjeje) dhe të lidhte aleatin kryesorë të PS-së në qeverisje, me një të akuzuar në Greqi, Belgjikë apo vende të tjera për trafik droge në hetimin e të cilit është përfshirë DEA dhe Europol. Ish-deputeti i Vlorës ka qenë një prej kumbarëve të koalicionit. E ndërsa opozita deri dje nuk bëri lidhje të drejtpërdrejtë të Balilit me LSI, madje përkundrazi, u përpoq ta lidhte atë me PS dhe Kokëdhimën, dalja e këtij të fundit dhe “tërheqja e veshit” për kolegët socialistë që nuk e mbrojtën, nuk duket se mund të lexohet si një qëndrim i veçuar nga çka po ndodh.
Shukri Xhelili u shkarkua dje prej qeverisë, pas publikimit të një videoje që e tregonte atë të kërkonte seks në këmbim të një vendi pune. Kryebashkiaku socialist, i cili firmosi letrat për punësimin e një vajze me të mesme në një vend pune që nuk ekzistonte, në këmbim të premtimit të saj për ta takuar në hotel, kishte prej muajsh një konflikt të hapur me një prej deputetëve të LSI të zonës. Deputeti i LSI, Përparim Spahiu, e kishte ironizuar dhe akuzuar kryebashkiakun disa javë më parë se kishte mbyllur zyrën dhe telefonin sepse kishte “halle të tjera”. Ndërkohë dje, ndërsa fliste pas shkarkimit të kryebashkiakut, Spahiu i kërkoi edhe kryeministrit të “kërkonte falje” sepse e kishte propozuar atë në krye të Bashkisë së Peshkopisë. Arben Ristani, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, e drejtoi gishtin te LSI për videon që shkarkoi ish-kryebashkiakun që tani rrezikon deri në 7 vjet burg për korrupsion dhe shfrytëzim posti. “Të mëdhenjtë po gjuajnë njëri-tjetrin me rrufe”, ironizonte Ristani duelin “në heshtje” mes PS dhe LSI. Nga ana e tij, deputeti i PS-së për Dibrën, Ulsi Manja, edhe pse mbështeti vendimin për shkarkimin e Xhelilajt dhe hetimin e tij për abuzim me detyrën, nuk la pa shfryrë mllefin për një “kurth politik”, i cili po ashtu duhej hetuar. Diçka e ngjashme është pohuar edhe prej ish-kryebashkiakut, që tha në televizion se kishte qenë një kurth në të cilin, ai kishte rënë.
Por ndërsa kaq mund të mos jetë mjaftueshëm për të shpjeguar nëse ka një përplasje apo jo, Eduart Shalsi i dërgoi së fundmi një letër Ilir Metës, ku kritikon mënyrën se si ky po drejton kuvendin. “Mund të duket shqetësim i një deputeti, por në ditët kur shkëndijat mes dy partive të koalicionit kanë qenë të forta, reagimi i Shalsit është më shumë një kritikë direkte ndaj kryetarit të Kuvendit, në mungesë këto ditë për shkak të vizitës në Amerikë”, shkruan Top-Channel në fund të njoftimit mbi letrën.
Përplasjet që kanë filluar me këmbënguljen e PS dhe Ramës për Reformën në Drejtësi, që u duk sikur u sheshua pas disa daljeve publike të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, i cili qartazi nuk qe dakord me reformën. Qëndrim që LSI e ndryshoi, duke dalë bashkë me PS si një palë pro miratimit të saj pa kushte.
Por ndërsa dje Komisioni Parlamentar për Reformën në Drejtësi miratoi me konsensus kapitullin e dytë, përjashtuar pjesët për të cilat pritet të ketë dakordësi politike, lufta mes palëve duket se është duke prekur kulmin. PS u “akuzua” disa kohë më parë se ishte dora pas daljes në dritë të dokumenteve që synonin të krijonin një lidhje mes Kastriot Ismailajt, të arrestuar për pastrim parash dhe Ilir Metës, por ndërsa kjo zhurmë u mbyll me Ramën që mbrojti bashkëkryetarin në koalicionin qeverisës, spekulimet se ata po “kërkonin” kokat e njëri-tjetrit morën dhenë.
Përplasjet lokale janë prej kohësh të dukshme në mjaft qytete, përfshi Tiranën, ku funksionarë të LSI kanë protestuar haptazi kundër punëve të kryebashkiakut Erjon Veliaj. Më shumë se njëherë LSI ka marrë pozicionin “populist” duke dalë kundër masave të qeverisësve socialiste dhe duke u bërë me protestuesit, edhe pse më herët i kishte votuar ato. Po ashtu, ajo ka qenë partizane e korrigjimit të këtyre masave duke u “distancuar” prej tyre. Nga ana e tyre, deputetë të PS nuk i kanë kursyer sulmet ndaj ministrave të LSI. Debati Erjon Braçe-Edmond Panariti për punonjës në varësi të Ministrisë së Bujqësisë në Lushnjë, ishte vetëm një prej tyre. Braçe ishte ndërkohë edhe një nga më të ashprit në akuzat ndaj ARRSH, pas aksidentit ku humbën jetën 2 fëmijë në aksin rrugorë Plepa-Golem. Aksidenti që solli arrestimin e tre zyrtarëve të institucionit në varësi të Edmond Haxhinastos, zbuloi një aferë korruptive që fillonte diku në 2010 dhe që në dukje lë zbuluar edhe drejtues të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa përfshin edhe drejtues të Ministrisë së Transporteve. Nga PS nuk e kanë kursyer këtë rast. “Po mbyllet hapësira e krimit, lënë e tillë nga një interes privat, mbështetur në rrugë korruptive!!”, shkruante dje Erjon Braçe lidhur me mbylljen e kalimit në autostradë, që u gjet si arsye e aksidentit që u mori jetën dy fëmijëve. Ndërsa vinte në dukje se interesi korruptiv kishte paralizuar edhe agjencinë shtetërore. Ministri në anën e tij, edhe pse nuk mbrojti zyrtarët, tha në Kuvend se aksidenti ishte për faj të drejtueses së mjetit, shpejtësisë dhe mos pasjes së ulëseve të duhura për fëmijë. Nga ana tjetër, një hulumtim i detajuar i TV Klan ka nxjerrë thuajse çdo ditë elemente të reja dyshimi, për ata që kontrollonin këtë punë, duke vënë dje në dukje se e njëjta kompani që ishte kujdesur për të lënë hapur shtegun, ishte ajo që kishte marrë tenderin për riparimin e rrugës.
Stina e skandaleve dhe përplasjeve duket se ka përfshirë ndërkohë edhe institucionet ligjzbatuese. Prokuroria dhe Policia e Ministria e Brendshme janë prej muajsh në një përplasje të vijueshme. E ndërsa Prokuroria e Përgjithshme nuk e ka mohuar qëndrimin dyshues ndaj Reformës në Drejtësi, duket se ndarja e dy institucioneve dhe bashkëpunimi janë lëkundur ndjeshëm. Arrestimi i Emiljano Shullazit ishte dalja në skenë e këtij konflikti. Prokuroria e nxori policinë jashtë loje, madje edhe e vuri në lojë duke i dhënë edhe më shumë zjarr historisë së lidhjes mes Shullazit dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që pretendohet prej opozitës. Rasti Balilaj mund të kthehet sërish në një skenë të ngjashme sherri mes palëve. Policia e Shtetit pretendon se ishte pjesë e hetimit ndërkombëtar, që ka sjellë goditjen e rrjetit të trafikut të drogës në Greqi, Belgjikë e një sërë vendesh të tjera, por në Shqipëri i përfoluri si kreu i grupit duket se ka humbur gjurmët, ndërsa policia pretendonte se e kishte nën vëzhgim, sipas mediave. Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë kanë thënë se ishin pjesë e aksionit ndërkombëtar. Ky i fundit madje lajmëroi mediat se “ishte bërë më shumë nga ana investigative se sa thuhej”, por prokuroria nuk ka prerë ende një mandat arresti duke bërë me dije se nuk ka prova për asnjë nga të përmendurit dhe palët thonë se po presin dokumentet që duhet të vijnë nga Athina. Kjo bën një habi. Nëse Shqipëria ishte pjesë e operacionit, ajo duhet të ketë shkëmbyer informacion me partnerët nga Greqia apo SHBA. Këta të fundit kishin bërë që herët, sipas një raporti të BIRN, kërkesa për informim për disa elementë që kishin qenë në hetim edhe më herët në prokurori dhe polici, në lidhje me këtë rrjet. Kërkesa që nuk dihet nëse kanë marrë përgjigje nga dy institucionet dhe as nuk mund të thuhet se cili prej tyre po mban pezull aksionin dhe mund ta çojë atë drejt dështimit.
Nga ana tjetër, nëse do shiheshin qëndrimet publike për reformën, prokuroria dhe LSI kanë qenë mjaft afër. Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani bëri një ndër daljet e para publike kundër saj, bashkë me Prokurorin e Përgjithshëm, por ndërsa dukej se ky konflikt ishte harruar dhe pajtuar kur LSI vendosi të votojë reformën, zhvillimet e fundit lënë mjaft vend për hamendësime. Ministri Manjani, ashtu si prokuroria, deklaroi publikisht se për Klement Balilajn nuk kishte asnjë provë. Ai e quajti shkarkimin e tij si hapje rruge për hetimet, ndërsa tha se LSI nuk bënte mbrojtje penale ndaj askujt, edhe pse pranoi se nipi i të përmendurit ishte kryebashkiak i LSI në Delvinë. Kokëdhima e bëri këtë po ashtu të qartë dje, por duke e vënë në dukje rolin e Balilajt dhe rrethit të tij në garat elektorale, në krah të LSI. Qëndrimi i Kokëdhimës dhe detajet që ai jep më shumë se një përgënjeshtrim për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili nga ana e tij nuk e përmend në asnjë rast LSI, duken si përgjigje për aleatin. Balilaj ndërkohë, ndërsa pati deklaruar se nuk kishte arsye për t’u fshehur, ka humbur gjurmët edhe pse policia pati lënë të kuptohej se po e mbante nën vëzhgim. Mosarrestimi i tij dhe shpërthimi në të njëjtën kohë i skandalit seksual të Xhelilit, video e cila ishte bërë diku në fillim të prillit, i kanë bërë shumë, të lexojnë një tentativë për të mbuluar me zhurmë zbulimin e grupit të narkotrafikut.
Ndërkohë, dje prokuroria vendosi të hapte hetim kryesisht për Erjon Veliajn. Kryebashkiaku i Tiranës, i përfshirë në përplasje me Presidentin e Republikës, organizoi një protestë para Gjykatës Administrative të Apelit, për të kundërshtuar sipas tij një konflikt interesi në trupin gjykues, konflikt për të cilin gjykata nuk kishte marrë qëndrim. E ndërsa protesta e kryebashkiakut ishte e habitshme për një zyrtar, reagimi i prokurorisë është po kaq. Kjo e fundit nuk ka reaguar për të hapur hetime, kryesisht thuajse në asnjë rast, kur politikanë të ndryshëm janë përfshirë në akuza apo kanë sulmuar institucionet e tjera. Veliaj po hetohet për fyerje ndaj gjykatës, por për këtë agresion duhej të ishin hetuar shumica e drejtuesve të lartë të shtetit. Sulmet ndaj prokurorisë, gjykatës apo edhe Presidentit të Republikës në rastin konkret, kanë qenë dhe janë të zakonshme në retorikën politike në Tiranës, kjo e fundit po ashtu prodhon përditë material të mjaftueshëm për nisje hetimesh që kryesisht nuk merren në konsideratë nga akuza.
Një farë historie preferenciale në arrestimet e zyrtarëve të korruptuar ishte vënë re edhe më herët, kryesisht në çështje që referoheshin nga policia e ku binte në dukje se pjesë më e madhe vinin nga radhët e LSI, por përballja duket tashmë e pashmangshme. Habitshëm lufta është ndezur fort, kur një prej krerëve të koalicionit nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri.
Afrimi i zgjedhjeve dhe miratimi i Reformës në Drejtësi mund ta bëjë këtë edhe më të ashpër, ndërsa PD duket se po fërkon duart në cep edhe pse nuk rri pa i fryrë zjarrit, kryesisht duke sulmuar PS dhe bërë një sy qorr për ish-aleatin LSI, ndërsa i duhet të mbajë bashkë të vetët, të cilët po ashtu janë ndarë sa i përket reformës. Nga ana tjetër, për shumë është e qartë, shkarkimi i Shukri Xhelilajt mund të jetë vetëm fillimi, ndërsa palët përgatiten për një natë të gjatë “thikash të ftohta” në shtëpinë e shumicës.