Albspirit

Media/News/Publishing

Si shpëtoi “Eskobari”? Policia greke nuk nxorri urdhërarrest ndërkombëtar

Si shpëtoi “Eskobari”? Policia greke nuk nxorri urdhërarrest ndërkombëtar
14/05/2016 19:35

Datën 9 maj mban urdhëri i shoqërimit prej 20 faqesh që ka siguruar Top Channel, i lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Athinës ndaj prokurorisë për 15 të arrestuarit, anëtarë të një prej rrjeteve më të mëdha të trafikantëve të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi e më pas në vendet e Europës, i drejtuar dhe financuar nga i ashtuquajturi “baroni i Ballkanit”, Klement Balili.

Sipas dokumentit, 15 personat, prej të cilëve 3 shtetasit shqiptarë Petro Dalanaj, Kleanthi Palaj, të dy peshkatarë në Sarandë; dhe Stefan Zoto, shofer nga Himara, akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Me të njëjtën akuzë në të njëjtin urdhër shoqërimi akuzohen edhe katër të tjerë, dy prej tyre të ashtuquajturat shtyllat e këtij rrjeti, Dhimitër Poti, me banim në Bruksel dhe Klemend Balili, banor në Sarandë, emri i të cilit përmendet si organizator, por edhe si financier i grupit.

Ndërsa urdhëri i arrestit kombëtar për Balilin ka ditë që ka dalë, urdhëri ndërkombëtar është vonuar aq shumë sa atij i është mundësuar koha e duhur që të zhduket e të mos arrestohet.

Gjithashtu, pikëpyetje janë ngritur për faktin se, ndërsa për Dhimitër Potin në Belgjikë janë kryer konfiskime dhe bllokime të depozitave bankare, për Balilin ende nuk ka asnjë informacion as për pasuritë e tij në Greqi apo Shqipëri, as për llogari bankare dhe as nëse ato janë konfiskuar apo bllokuar.

Policia greke zbardhi skemën e trafikut, sipas të cilit Balili ishte i ngarkuar me rolin e financuesit dhe transportin e drogës nga Shqipëria në Greqi, me bashkëpunëtor Jorgo Alifanti, që merrte në dorëzim ngarkesën dhe gjente shoferë për ngarkesat në Europë, si dhe specialistë për të krijuar në kamionët që përdornin xhepa të posaçëm për të fshehur lëndët narkotike.

Dhimitër Poti dhe Aleksakis Thomas organizonin rrjetin në Europë, ose për të depozituar përkohësisht sasitë e drogës ose për t’i shitur atje.

Rrjetin e furnizonte me kamionë kreu i grupit për Greqinë, Ksenofon Anagnostopoulos, nëpërmjet kompanisë Monoprosopi EPE në Kapandriti. Ai gjente ngarkesa të ligjshme për të mbuluar trafikimin e drogës.

Please follow and like us: