A është fajtore e shoqja për brekët e grisura të Shukriut?
Luela Myftari/Pas performancës aspak potente të Shukriut që joshej nga një vajzë 20-vjeçare, njëri nga komentet që më bëri përshtypje ishte: “Gruaja e ka lënë për kastile me brekë të grisura, që çfarëdo të bëjë të fëlliqet e të mos shkojë dy herë në të njëjtin vend për t’u falur”.
E mjera ajo, e mjera. Përtej faktit që duhet t’ia japë burrit me vete djalin në udhëtimet e tij në Tiranë, se e di ç’soj e ka, duhet të lexojë edhe të tilla komente. Gjyshja do të më kujtohej pikërisht atë çast. “Kështu është kur nuk kujdesesh për burrin”. Po, ç’faj ka ajo zonjë, kur i shoqi nuk mban dot atë që ka para, e jo më ato me shumicë që i vijnë nga prapa? Fundja, sado grua e mirë të jesh, për sytë e botës, kjo e fundit vjen një moment e të plas një shpullë që s’të mbetet veçse të kthesh faqen tjetër. Zonja e parë e Dibrës, me urtësinë e saj kishte duruar dy goditje, atë të tradhëtisë së bashkëshortit dhe atë të brekëve të grisura.
Në krye të tri ditëve mendova se kjo ngjarje nuk do të komentohej më, ndaj edhe nuk shkrova. Por, shoh se impakti që kanë krijuar brekët e grisura në shoqërinë shqiptare ishte i madh. Po cila ishte kjo shoqëri? Ajo që nuk vuan ndrydhjet seksuale, ajo që nuk ka provuar kurrë t’ia ngacmojnë të dashurën, ajo që nuk ka futje duarsh në autobuset e linjave Unazë, Laprakë, Tiranë e Re, Kamëz … jo, ajo që ka turp të ofrojë më të mirën për bashkëshortin e vet brenda shtëpisë dhe dhomës së gjumit e jo jashtë për sytë e të tjerëve duke hekurosur këmisha? Për cilën shoqëri bëhet fjalë, për atë që ka turp edhe të thotë: “Po, ky vend ka nevojë për shtëpi publike në çdo qytet, se meshkujt janë të pakënaqur nga tradicionalizmi i grave të tyre në shtrat dhe se e kanë të pamundur si gruaja, ashtu edhe burri të flasin me njëri – tjetrin për dëshirat që kanë. Fajin nuk e ka gruaja vetëm për brekët, e as vetëm Shukriu që vdes për goca të reja ashtu sikurse çdo mashkull i moshës së tij. Po i kujt ishte faji?
Komunikimi.
Mbrëmjen e skandalit të brekëve të grisura, u sula e tmerruar në sirtaret ku veçmas i mbanim . A kishim të grisura? Po, dhe gënjejnë ata që thonë se nuk kanë. Të gjithë kanë një palë apo më shumë brekë të grisura. E vërteta është se askush nuk i sheh, sepse të gjitha vishen për t’u hequr, dhe në shumicën e rasteve plot shkujdes, ngase gjithnjë ka urgjencë kur bëhet fjalë për to.
“Jet, na duhen brekë të reja”, m’u duk sikur thashë që nga dhoma.
‘Brekë të reja? Surprizë?”, m’u përgjigj ai dhe m’u duk sikur fiku televizorin.
Në fakt, bisedën e kisha bërë vetëm. Madje as sirtarët nuk i kisha kontrolluar. Gjithçka e kisha imagjinuar. Ai kishte ndërruar vetëm kanalin. E dija përgjigjen. Të gjithë meshkujve nuk do t’i shkonte mendja te brekët e grisura, vetëm te “e reja”, tek “surpriza”.
Atëherë pse të gjitha komentet për Shukriun e famshëm, përfundonin te brekët? Dhe pse në gjithë këtë “skandal” sipas shqiptarëve, duhej të përmendje edhe gruaja? Sepse gjithçka pritej nga ajo. Magjia dhe shpëtimi ishte tek ajo. Vetëm ajo me një palë të brendshme të reja, me një “surprizë” në mbrëmje mund ta bënte burrin e saj më të mirë. Të paktën për ca kohë, do të eliminonte mundësinë për ndonjë tradhëti dhe nuk do të duhej patjetër të kujdesej për brekët e të shoqit, që në rastin më të keq do t’i nxirrnin bojën edhe asaj.
Sepse në Shqipëri, pa brekë mund të bëhesh gjithçka, po me brekë të grisura asgjë.
Ngado më vërviteshin mendimet teksa lexoja komentet në rrjetet sociale, sado e shaja me vete këtë shoqëri të shtrirur që bën sikur kurrë nuk ka ëndërruar të përdorë skype, celular, një mesazh, telefonin fiks apo qoftë edhe sytë për të flirtuar me dikë që do ta fusë në shtrat, apo për të arritur një qëllim që shumë të tjerë e arrijnë më shpejt vetëm duke pasur “by..”, vetëm një ide nuk më fashitej. Fqinjët, shqiptarët, familjarët, ata që të përshëndesin në mëngjes, kështu do të sillen edhe nëse një ditë do të më ndodhte mua apo ty një gjë e tillë, ndaj vetëm një ide nuk më fashitej. “Është gjithnjë mirë të blesh një palë brekë të reja”. Jo, për vetëm për tjetrin, por për veten. Sepse e sigurt që nëse njerëzve me vendmarrje si Shukriu u duket vetëm një vrimë në brekë, neve ata na shohin në rastin më të mirë me brekë korçe pa llastik, dhe në rastin më të keq pa brekë fare.