Arrestohet në Kosovë prifti britanik pas pesë vjetësh arratie
Policia e Kosovës arrestoi këtë javë një ish prift katolik britanik, me kërkesën e autoriteteve në Britani, nën dyshimin për abuzim seksual me fëmijë.
Ish prifti Lawrence Soper, po ndiqej nën dyshimet se gjatë viteve 1991-2000, në kohën kur shërbente si prift katolik në Kishën Ealing Abbey në Londër, kishte abuzuar me fëmijët.
Ai ishte arrestuar në vitin 2010, për t’u liruar me kusht dhe nuk ishte paraqitur më kurrë në stacionin policor dhe për këtë arsye policia britanike kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar në vitin 2012.
Policia në Kosovë nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth arrestimit dhe as procesit të dorëzimit të tij ish priftit që kishte jetuar një kohë në Itali dhe më pastaj për disa vjet në qytetin e Pejës në Kosovën perëndimore.
Portali Insajderi në Kosovë, shkruan se ai kishte jetuar me emrin Andrew në Pejë, por askush nuk di se cila ishte veprimtaria e tij.