Albspirit

Media/News/Publishing

“DIMRI I VETMISË SË MADHE” – NJË RECENSION I VONUEM

 


Nga Arben Ndreca

Kritikat mbas botimit të një vepre gjatë periudhës së realizmit socialist janë një brazdë e gjatë që e përshkon mespërpes por edhe kryq e terthor arën ku u lavrue arti i fjalës në të gjithë kampin socialist. Ndër këto vepra hyn edhe “Dimri i vetmisë së madhe” (1973). Për të kuptue se ku i ishte shmangë parimeve të letërsisë së realizmit socialist autori asht e nevojshme të kuptohet atmosfera para 1973, si edhe te lexohet ripunimi “Dimri i madh” (1977).
Kreu që hap romanin asht shumë i pazakonshëm për prozën tonë të atyne vjetëve. Nëse e përmbledhim fabulën e tij në një fjali të vetme, ajo do të ishte: “Besniku, gazetar, del në mbramje në Tiranë për të çue një film te fotografi dhe shkon për darkë tek e fejuemja”. Mbi një fabul të tillë, krejtësisht të rëndomtë, autori ka ngritë kreun e parë të romanit tue marrë nga xeherorët e jetës së përditshme dhe tue ngritë në nivelin e letërsisë diçka krejt të zakonshme. Ngjarje të tilla ka në jetën e secilit prej nesh por zor se do të kishim guximin me nxjerrë prej tyne një kapitull që lexohet për 54 minuta.
Personazhet ashtu siç hyjnë në roman njeni mbas tjetrit në shtator, po ashtu dalin në fund të tij, njeni mbas tjetrit, të ndryshuem tashma, në marsin e vitit mbasardhës dhe kjo ndikon jo pak në strukturën e veprës.
Por ajo që bjen në sy në kreun e parë asht mospërdorimi i ngjyrave në 27 faqet e para. Vetëm në faqen 28, zani tregtimtar kumton shprehjen “sipërfaqja ngjyrëkafe e ujit”. Po ashtu, edhe në faqen 33 flitet për orenditë ngjyrëkafe të dhomës, dhe sytë gri të Skënder Bermemës. Përmend, po, dritën verbuese të shpërthimit atomik por nuk shtyhet ma tej. Madje edhe kur përshkruen rrugët e kryeqytetit, nuk flet për ngjyra.
Lexuesi, dashjepadashje, del në përfundimin se edhe filmi që Besniku dorëzoi për zhvillim duhet të jetë bardh e zi. Kështu, gjatë kësaj ecjeje në mbramje përfshihet edhe ajo çka nuk asht pjesë e drejtëpërdrejtë e rrëfimit letrar. Dashje padashje teksti të sjellë ndërmend Tiranën e atyne vjetëve: taksitë e bardha me shenjat dalluese anash të katrorëve të rreshtuem një nalt, një poshtë; autobusat e kuq me timon në të majtë, me mbishkrimin elegant “Viberti”, dhanë Shqipnisë nga Italia si damshpërblim për luftën etj.

Përshtypja e përgjithshme kur lexon këtë kapitull asht se kemi në dorë një fotografi bardh e zi të Tiranës, por me një cilësi shumë të naltë, prandaj konturet e objekteve, ndërtesave, siluetat e njerëzve janë jashtëzakonisht të kthjellëta. Gjithçka këtu ka tejdukshmëninë e motit me diell fill mbas reshjeve të borës, e në Tiranë bjen borë shumë rrallë.

Shkurtimisht mbi personazhin kryesor
Pritja e keqe që iu ba romanit porsa doli, në 1973, ka qenë plotësisht e meritueme. Ato kritika qëndrojnë edhe sot, natyrisht, po të gjykojmë me atë mastŕr. Edhe sot e kësaj dite shkrimtari asht fajtor për thyemjen e kanuneve të teorisë së realizmit socialist; vepra nuk përputhet kurrkund me to1. Por nuk përputhet as me temat e zakonshme të prozës pararendëse.
Në vetvete Besniku shfaqet si një karakter i pasigurtë. Qysh në kreun e parë përcillet kjo pasiguri e tija në lëvizjet, në mendimet, në veprimet e tij dhe kështu deri në fund të romanit (psh “kaloi pëllëmbën në flokë”për të shkundur shiun fq. 31; dhe vetëm disa rreshta ma tej: “kaloi dorën në flokë për të shkundur disa pikla shiu”, fq. 32. Po ashtu, ndërsa e ka dorëzue tashma filmin për zhvillim, mendon të kthehet edhe njeherë për t’ia nënvizue fotografit që filmi ka ndjeshmëni të lartë. Tjetër, matet e çmatet njëqind herë t’ia tregojë apo jo Zanës të vërtetën për mbledhjen në Moskë. Në fund, kur përpiqet të sqarojë marrëdhaniet me të, tregohet tepër gjaknxehtë dhe mendjelehtë).
Me sjelljen dhe qëndrimin e tij Besniku shfaqet si Hamleti i parë i letërsisë sonë. Për një hero kryesor pozitiv, sigurisht që kjo ishte e pafalshme.
Po ashtu, Besniku si personazh qe diçka e re dhe e papritun, edhe në krahasim me prozën tonë të para-realizmit socialist. Nuk ka pasë një figurë të tillë si Besniku në letërsinë tonë të para realizmit socialist – një djalë me origjinë fshatare, jo vetëm përkthyes por edhe pjesëmarrës në takimin ma të naltë ndërmjet një superfuqie botnore dhe Shqipnisë. E sikur kjo të mos mjaftonte, ky i ri, në roman, ka guximin me mendue dhe me pasë një ndërgjegje individuale në epokën e kolektivizimit të pronave, të mendimeve e të ndjenjave. Besniku shfaqet si personazh shumë problematik. Ai, me prejardhjen që ka, i imponohet së kaluemes politike të Shqipnisë, por nga ana tjetër, me individualitetin që shfaq pa ngurrim, Besniku përban(te) një kërcënim të mundshëm edhe për të ardhmen e komunizmit konsekuent shqiptar. Jo rasësisht personazhi ka fërkime e përplasje të vazhdueshme me “gardën e vjetër” e hijen e Koçi Xoxes.
* * *
Acarimi i marrëdhanieve mes palës shqiptare dhe asaj sovjetike në roman asht shpërngulë në një rrafsh krejtësisht jashtë atij ideologjik. Ndoshta me një rektim zemre për formalizmin rus, zani tregimtar na e përcjell Enver Hoxhën pa epitete. Ajo çka i mungonte romanit, për kohën kur u botue, nëse e përmbledhim me pak fjalë, qe patosi për suksesin ideologjik të udhëheqjes shqiptare. Sidoqoftë, arsyet pse subjekti asht zhvendosë në planin politik të pavarësisë shqiptare dhe jo atë ideologjik, autori i ka tregue vetë në parathanien e ribotimit të romanit.
Të duket një gjykim i cekët ai i kritikëve të atëhershëm që nuk patën marrë vesh se arti në përgjithësi dhe letërsia, në veçanti, asht fiction – ajo merr shtytje nga realiteti por nuk asht realiteti, sado që i afrohet atij, dhe mbi të gjitha nuk e ka me detyrë riprodhimin e realitetit. Pohimi i kundërt do të ishte njësoj si me thanë para një tablloje të Caravaggio-s: “E paska ba si të ishte fotografi!”, ose me qortue Van Gogh-un se deti në pikturën “Pejsazh detar në Saintes Maries de la Mer” nuk duhej të ishte ngjyrë vjollcë por i bruzët.
Sot të dy romanet mund të lexohen me kureshtje, për risitë e të parit dhe për trysninë ideologjike që dëshmon i dyti. Ndoshta, pikërisht i dyti nxjerrë në pah vlerat e të parit dhe na rrëfen se rishkrimi i imponuem i veprave letrare në atë periudhë nuk ishte “zbavitje në kohë të lirë” për shkrimtarët.

1-Per ma tepër shih: Andrej Sinjavskij (Abram Terc).

Please follow and like us: