Fjalët e fundit të njerëzve të famshëm
Ali Pashë Tepelena, Pashai i Janinës, 1741-24 janar 1822
Ali pashë Tepelena, i quajtur ndryshe “Luani i Janinës”, është një nga figurat më të spikatura në historinë shqiptare. Drejtues i pjesës perëndimore të Rumelisë në Perandorinë Osmane, ai krijoi një nga pashallëqet më të mëdha nën këtë perandori dhe më të pavarura. Epërsia e tij do të krijonte përplasje me Portën e Lartë që ndihej e kërcënuar nga Ali Pasha. Për këtë arsye, sulltani Mahmudi II urdhëron vrasjen e tij. Në librin e Aleksandër Dumas, i cili ka shkruar librin “Ali Pasha”, ai përshkruan momentin e vdekjes dhe fjalët e fundit të pashait. Ndërsa i dërguari i sulltanit i thotë Ali Pashës t’i nënshtrohej fatit, t’i lutej zotit dhe profetit. Pashai i Janinës nuk e lë të mbarojë fjalën, por i thotë: “Koka ime nuk ulet si kokë skllavi”, dhe fillon e lufton. Pasi ishte dëmtuar nga plagë të shumta, duke e parë që fundin e kishte të afërt, Aliu i thotë një prej njerëzve të tij: “Vrap, shko, miku im, there Vasiliqinë, që të mos fëlliqet nga poshtërsitë e tyre”. Këto ishin fjalët e fundit të Ali Pashës. Më pas xhelatët i mbështetën kokën në një shkallare dhe e goditën dy herë me satër, duke ia ndarë nga trupi.
Naim Frashëri, 1900
Si mund të kishte një vdekje ndryshe poeti i Rilindjes, Naim Frashëri? Po aq lirike, romantike dhe padyshim e lidhur me Shqipërinë. I vdekur në vitin 1900, të dhënat na tregojnë se ka vdekur me fjalë në gojë. Dhe mbetet lapidar fraza e tij e fundit përpara se të mbyllte sytë: “Jetoni dhe vdisni për Shqipëri”. Dhe poeti ynë kombëtar u shua si qiriri për Shqipërinë. Ishin poezitë, poemat dhe skicat e tij që zgjuan popullin shqiptar nga letargjia ku e kishte zhytur perandoria osmane. Por poeti rilindës gërthiti tërë jetën e tij, “zgjohu”. Dhe kjo fjalë që ishte refren i jetës së tij nuk iu nda nga goja edhe në grahmat e fundit të jetës. Naimi foli po për Shqipërinë, një këshillë që edhe sot e kësaj dite tingëllon interesante dhe mjaft patriotike. Të gjitha dëshmitë vijnë në kohën e sotme nga vëllezërit dhe familja e tij dhe janë shkruar e botuar në shqip.
Ismail Qemali, Kryeministri i parë i Shqipërisë, 16 janar 1844-24 janar 1919
“Me varrosni në teqenë e Kaninës”. Ky ishte amaneti i fundit i Ismail Qemalit, që i kishte lënë të birit pak para se të vdiste, më 24 janar 1919. Ai ndodhej në Itali, ku kishte shkuar për të folur me autoritetet italiane për Konferencën e Paqes që do të zhvillohej në Paris. Por kur mbërriti në Itali e njoftuan se këto autoritete ishin nisur për Paris. I akomoduar në hotelin e përcaktuar, Qemali njoftohet për dëshirën e gazetarëve për një konferencë për shtyp. Pak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve, që djali i Ismail Qemalit, Et’hemi, i ka bërë më vonë kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë, kreut shqiptar i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri.
Gjergj Fishta, Shkrimtar, klerik, përkthyes, 23 tetor 1871- 30 dhjetor 1940
Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë” vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Revista “MAPO” botoi disa vitesh detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”. Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”. Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për Fe, Atdhe e për Provincën tonë”. Ndërkohë Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit. “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”. Ndërsa italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “jo për tjetër, por, sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.
Faik Konica, 15 mars 1875- 15 dhjetor 1942
Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhet të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë. Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti. Nuk më duket shenjë e mirë kjo, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: Nuk do ha mish për tri ditë. Por në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër. Megjithatë historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu. Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë. Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë.
Fan Noli, 6 janar 1882 -13 mars 1965, Politikan, klerik (kryeministër i Shqipërisë 1924)
Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Florida, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij. Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora, dhe ai kishte nënvizuar këto vargje:
“Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi!
Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi
Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë
Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.
Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje, të cilat nënvizoi Noli. Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij.
Lasgush Poradeci, Poet, përkthyes, 27 dhjetor 1899- 12 nëntor 1987
“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987. Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që i dhuroi Shqipërisë “Vallen e yjeve”, “Yllin e Zemrës”, e më tej bëri të flasin shqip “Eugjen Onjegin” i Pushkinit, lirikat e Lermontovit, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miskieviçit, lirikat e Gëtes dhe poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj., u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit ’44. I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me normë, që po vdiste dalë e nga dalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, ai stërmundohej për gjëra nga më të voglat. Një jetë e vështirë, që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”. Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël.
Petro Marko, Shkrimtar, 25 nëntor 1915- dhjetor 1991
“Cila do të ishte fjala e fundit kur do të jepja shpirt? Tani mendoj si i gjallë dhe do të dëshiroja të isha i gjallë deri në çastin e fundit kur të thosha: Jetova kohën si një aktor që nuk e shprehu mirë pjesën e caktuar nga regjisori jetë…”, shkruan në një nga shënimet e tij të pabotuara më parë, gjeniu i Brezit të Humbur. Kjo është fjala e fundit që kishte dëshirë të thoshte ai. Një “Hasta la vista” vetëm prej Petro Markoje. E menduar deri në detaj dhe e trishtë, si subjektet e romaneve të tij. Apo ashtu si jeta e tij, që ishte e vetmja vepër e pashprehur mirë. Dhe kjo, jo për faj të tij. Një nga shkrimtarët më të vuajtur gjatë regjimit diktatorial, i mbylli sytë në dhjetor të vitit 1991, atëherë kur sapo po hapeshin perdet e një Shqipërie të lirë.
*******************************
John Kennedy, Data e vdekjes: 1963
Presidenti i 35-të amerikan më i ri në moshë konsiderohet si një prej folësve më frymëzues në histori. Fjalët e fundit: Nëse dikush do të më vrasë, do të më vrasë.
Elvis Presley, Data e vdekjes: 16 gusht 1977
Presley ka qenë një prej yjeve të spektaklit më të famshëm të kohës së tij dhe vazhdon të mbetet një ikonë. Fjalët e fundit: Shpresoj të mos ju kem mërzitur (duke i dhënë fund konferencës së tij të fundit për shtyp).
Marilyn Monroe, Data e vdekjes: 4 gusht 1962
Ajo ishte një seks-simbol dhe ikonë e Hollivudit. Thuhet se ajo kishte një marrëdhënie me presidentin Kennedy dhe vëllain e tij. Fjalët e fundit: Thojini lamtumirë Patit, thojini lamtumirë Jack-ut dhe lamtumirë dhe ty sepse je një djalë i mirë.
Frank Sinatra, Data e vdekjes: 14 maj, 1998
Ai ishte një prej këngëtarëve më të famshëm të viteve ’40, aktor dhe gjithashtu një sipërmarrës i suksesshëm. Fjalët e fundi: Po humbas. Burime të tjera thonë se ai ka thënë, “Po e humbas”.
Virginia Woolf, Data: 28 mars 1941
Një prej shkrimtareve më të rëndësishme të shekullit të kaluar, e cila ka revolucionarizuar letërsinë. Fjalët e fundit: Jam e sigurt se po çmendem sërish. Besoj se nuk mund të kalojmë sërish nëpër ato kohë të tmerrshme. Dhe kësaj radhe nuk do e rimarr veten. Kam nisur të dëgjoj zëra.
Pablo Picasso, Data e vdekjes: 8 prill 1973
Disa e konsiderojnë piktorin, skulptorin dhe themeluesin e formës së tij të artit si artisti më i famshëm i shekullit të 20-të. Fjalët e fundit: Pini për mua. Pini për shëndetin tim. Ju e dini se unë s’pi dot më.
John Lennon, Data e vdekjes: 8 dhjetor 1980
Lennon është një prej themeluesve të grupit dhe Beatles, i cili më pas u shfaq për publikun si vokalist e njëkohësisht figurë e përfolur. Fjalët e fundit: Po, unë jam (Në një makinë policie gjatë rrugës për në spital, kur policët e pyetën nëse ishte John Lennon).
Bob Marley, Data e vdekjes: 11 maj 1981
Këngëtari dhe tekstshkruesi xhamajkan konsiderohet si babai i muzikës “reggae” dhe ambasador i kësaj lëvizjeje shpirtërore që predikonte paqen. Fjalët e fundit: Paratë nuk e blejnë dot jetën.
Malcolm X, Data e vdekjes: 21 shkurt 1956
Malcolm X ishte një aktivist dhe një prej liderëve me ngjyrë më me influencë e gjithashtu një ndër më të diskutuarit. Fjalët e fundit: Qetësohuni vëllezër, ju lutem! Kjo është një strehë e paqes.
Robert F. Kennedy, Data e vdekjes: 5 qershor 1968
Vëllai i presidentit John Kennedy në kohën, kur u vra ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe po përgatitej të kandidonte për president. Fjalët e fundit: A janë të gjithë të tjerët mirë (bashkëshortes së tij).
Nënë Tereza, Data e vdekjes: 5 shtator 1997
Nënë Tereza është një prej njerëzve më të famshëm në botë, e njohur për bamirësinë e saj në Indi, ku kaluar më shumë se 45 vjet duke ndihmuar të varfrit e jetimit. Fjalët e fundit: Jezus të dua. Jezus të dua.
Indira Gandhi, Data e vdekjes: 31 tetor 1984
Indira Gandhi ishte kryeministra e vetme femër e Indisë dhe qëndroi në atë post për 15 vjet, duke u përpjekur t’i sjellë progresin vendit të saj. Fjalët e fundit: Nuk më vjen keq nëse jeta ime shkon në shërbim të kombit. Nëse vdes sot, çdo pikë e gjakut tim do forcojë kombin.
Winston Churchill, Data e vdekjes: 24 janar 1965
Winston Churchill është konsideruar si një prej liderëve më të mëdhenj në histori pasi drejtoi Britaninë e Madhe gjatë Luftës II Botërore. Fjalët e fundit: Më ka ardhur në majë të hundës me të gjitha.
Princesha Diana, Data e vdekjes: 31 gusht 1997
Princesha Diana është një prej figurave mbretërore që ka shkaktuar më shumë bujë në botë dhe është bërë fokus i gjithë medias globale. Fjalët e fundit: Oh zot! Çfarë ndodhi?