IMSI-Catcher, pajisja e përgjimit që ndodhet në Tiranë
Telefonat celularë nuk e verifikojnë sinjalin që vjen nga një operator telefonik. Mjafton që sinjali të jetë i fortë dhe celulari lidhet automatikisht operatorin telefonik. Ky fakt është shfrytëzuar nga shpikësit e pajisjes së përgjimit IMSI-Catcher që disponohet nga policia shqiptare dhe është në Tiranë. Ajo vepron si një antenë false e telefonisë celulare dhe çdo telefon pranë saj mund të përgjohet në tekst dhe audio. Në shumë vende të botës përgjimi nga një pajisje e tillë ka shkaktuar debate për shkak të shkeljes së privatësisë dhe është pasur me hartimin e ligjeve të rrepta. Jo të gjithë telefonat pranë pajisjes bëhen pjesë e përgjimit. Vetëm ato që përzgjidhen nga personat që e kontrollojnë pajisjen mund të përgjohen. Mjafton që telefoni të jetë në gjendje pritjeje dhe që pajisja të jetë e lidhur me operatorin e duhur të telefonisë. Më pas telefonatat audio dhe mesazhet janë të lehta për t’u përgjuar, por tek to nuk mund të ndërhyhet. Në shumë raste një celular nuk jep shenja se po përgjohet. Por disa prej tyre tregojnë një symbol në ekran. Kjo varet edhe nga operatori përkatës i telefonisë celulare.
Aplikacioni në Android (AIMSICD) IMSI-Catcher Detector është i vlefshëm në Google play por jo gjithmonë efektiv. Vetë operatorët telefonikë, gjithashtu janë duke zhvilluar teknologjinë për të zbuluar përdorimin e një pajisjeje të tillë përgjimi. Tashmë është konfirmuar yrtarisht se një pajisje e tillë ndodhet në Tiranë prej të paktën disa muajsh. “Pas vendimit për nisjen e hetimeve në lidhje me këtë rast, grupi i hetimit ka kërkuar informacion me një shkresë zyrtare drejtuar Policisë së Shtetit. Ky informacion është kërkuar me shkrim për efekt prove krahas komunikimit verbal që kanë pasur dy hetuesit e Prokurorisë që kërkuan këqyrjen dhe sekuestrimin e pajisjes në fjalë ditën e premte”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në përgjigje të kërkesës së Njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, policia me një shkresë të firmosur nga kreu i saj, Haki Çako, ka kthyer përgjigje se ekziston një pajisje e tillë (e llojit “Imci Catcher”), por që nuk është në pronësi të Policisë së Shtetit.