Albspirit

Media/News/Publishing

Kush ishte Mufid bej Libohova

Mufid bej Libohova është i biri i Neki Pashës nga Libohova, i njohur si guvernator i Gjirokastrës, një nga deputetët e Shqipërisë në Parlamentin e parë të Perandorisë Osmane dhe anëtar i Këshillit Perandorak të Shtetit Turk. Mufid Libohova rrjedh nga fisi i Arsllan Pashallinjëve të cilët kanë qenë për breza me radhë Vezirët e Janinës dhe sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës e Delvinës dhe shumë herë dhe të krahinave të tjera. Në shtëpinë e Libohovës fliteshin shumë gjuhë dhe kjo falë edukimit që kishin të gjithë anëtarët e saj. Ata kishin kuptuar se vetëm kultura mund të ndryshonte statusin e tyre kombëtar dhe të mjedisit ku jetonin. Po kështu, dituria u jepte një status ndryshe krahasuar edhe me njerëzit e tjerë të Perandorisë, ku familja e tyre ishte pa asnjë dyshim një nga më fisniket. Mufidi u lind në korrik të vitit 1876, në fshatin Libohovë, ku ishin sarajet e stërgjyshërve të tij. Si të gjithë shqiptarët e kulturuar dhe të pasur, Mufidi, kreu formimin shkollor fillestar në Liceun “Zosimea” të Janinës, ndërsa formimin e plotë e përfundoi në Liceun Perandorak të Stambollit në “Gallata Saraj”. Këtu pati gjuhë bazë frëngjishten, por më vonë ai ishte i aftë të komunikonte lirisht edhe në gjuhët turqisht, persisht, greqisht dhe italisht. Në Stamboll, Mufidi u diplomua në degën e drejtësisë. Pas kësaj ai shkoi në Lozanë, ku studio dhe u diplomua në Shkencat Politike dhe mori doktoraturën për Shkencat Politike.

Në Ambasadën Perandorake turke

Në vitin 1898, kur ishte vetëm 22 vjeç, u emërua në Ambasadën Perandorake turke, në Bruksel, ku brenda pak viteve u emërua i ngarkuar me punë i asaj Ambasade (“Charge d’Affaires”). Atje ndihmoi nacionalistët shqiptarë dhe veçanërisht kushëririn e tij, Ismail Qemalin, që botonte në atë kohë gazetën “Albanie” e më vonë “Le salut de l’Albanie”, e cila botohej në shqip, turqisht dhe greqisht.
Në vitin 1904, Mufidi transferohet në Bernë, i caktuar në detyrën e kryetarit të misionit diplomatik. Në këtë kohë Mufidi shtoi më tej bashkëpunimin me Ismail Qemalin për çështjen kombëtare. Për këtë problem bëri disa udhëtime në qytetet kryesore të Evropës, si në Berlin, Londër, Romë, Paris, Vjenë, Shën Petërburg, duke siguruar miq të kauzës shqiptare.
Në vitin 1906, ai shkoi në Kajro si mysafir i Hidivit (mbreti i Egjiptit) Abas Hilmi pashajt, të cilin e kishte mik, për t’i kërkuar ndërhyrjen e tij pranë Oborrit të Stambollit në favor të autonomisë shqiptare.
Në vitin 1907, me kërkesën e vet, është emëruar kryekonsull në Thesali, duke pasur mundësinë që të mbikëqyrte personalisht pasurinë e madhe familjare pas vdekjes së babait.
Me shpalljen e Hyrietit, në vitin 1908, megjithëse ishte graduar ministër Fuqiplotë dhe kishte një të ardhme të shkëlqyer në Perandorinë Osmane, së bashku me vëllezërit (Ekrem beu, në atë kohë oficer madhor në Akademinë e Kavalerisë Perandorake në Shtatmadhorinë turke dhe Ajet beu, këshilltar i Ambasadës Perandorake në Athinë), braktisin Perandorinë për t’u angazhuar me çështjen e lëvizjes shqiptare. Xhonturqit i përgatitën dy atentate për ta vrarë, por pa sukses. Më vonë, ata e dënuan me vdekje dhe pasuria e tij, e konsiderueshme edhe në Turqi, iu konfiskua krejtësisht. Mbas shumë rreziqesh, iku fshehurazi nga Stambolli dhe mbërriti në Shqipëri për të marrë pjesë në përgatitjen e shpalljes së pavarësisë, në Vlorë.

Delegat i Gjirokastrës dhe Tepelenës

 

Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë ka qenë në Reshadie (Gumenicë) dhe ka pasur komunikim telegrafik me Eqerem bej Vlorën . Nuk ka qenë pjesëmarrës në Asamblenë Kombëtare, në Vlorë, që në datën 28 nëntor, por ka shkuar atje më vonë, së bashku me Petro Pogën, kryebashkiakun e Gjirokastrës (i thirrur Hasib), katër vetë nga Çamëria dhe Fehim Efendi Mezhdigorani, që ishte emëruar përfaqësues i klubit të Janinës, më pas edhe i Tepelenës. Nga kjo ka mbërritur në Vlorë një ditë para se të krijohej ministria (qeveria) si delegat i Gjirokastrës e Tepelenës, nuk rezulton të ketë qenë firmëtar i nënshkrimit të dokumentit dhe as i zgjedhur në Pleqësi. Sipas dokumenteve arkivore, mbërritja e tij në Vlorë daton më 3 dhjetor 1912, së bashku me Petro Pogën, Fehim Mezhdigoranin, Jani Papadhopullin, Hysen efendi Gjinokastrën dhe Veli bej Klisurën, sikurse u theksua më lart, në ditën e fillimit të mbledhjes së tretë, nga ku i ka dërguar një telegram Xhevdet Efendi Selfos, në Gjirokastër, ku përveç urimit për shpalljen e pavarësisë dhe sqarimit se janë në pritje të instruksioneve “për punë të organizimit e të formës së sundimit”, i jep porosi “të mundoheni e të kujdeseni më të madhët, për mbajtjen e qetësiës”. Në këtë rast ka nënshkruar me emrin Myfit Neki (në telegrame të tjera ka shënuar Myfit Neki Libohova-H.L.) dhe pranë tij edhe një emër tjetër, Hysen  ky duhet të jetë Hysen Hoxha, xhaxhai i Enver Hoxhës; edhe më herët u ka telegrafuar z. Idris Angoni, Musa Xhiku e Abedin Xhevdeti -H.L.). Në votimin e kuvendit për ministrat fitoi që në raundin e parë 52 vota, u rendit i dyti, pas Luigj Gurakuqit.

Ministri i parë për Punët e Brendshme
Ai është ministri i parë për Punët e Brendshme i shtetit të pavarur shqiptar dhe më vonë ministër i Jashtëm, detyrë të cilën e mbajti deri në fundin e vitit 1913. Në postin e ministrit të Brendshëm përgatiti që në mbledhjen e parë disa akte që lidheshin me sigurinë e brendshme dhe mënyrën e veprimit të forcave të sigurisë në vend. Në mbledhjen e datës 4 dhjetor të vitit 1328/1912, në urdhrin e ditës që nxori qeveria, pika 5 përmbante problemin “Ç’farë masa dot mirren kundra atyne njersve e kundra ata vende qi s’dojnë ta njohin Qeverine e re”? dhe në pikën 6 theksohet: “Të organizohet nji shërbim i msheftë për viset të shkeluna të Shqipnis” . Në vendimet e kësaj date, dokumenti sipërcituar, faqe 6, për pikën 5 është shkruar: “Për pikën e (5) u tha qi Qeveria së ka se ç’ka me i ba atyne nëpunësve qi s’dojnë t’a njohin Qeverin’e re”. Për pikën 6 është shkruar: “Për pikën (6) u venduë qi të dërgohet nji njeri në Mirditë me nji letrë shkrumun prej anës të z. Mid’hat be Frashërit për Bajram bej Tsurin, ene z. Lef Nosi dot përpiqet për m’u mar vesh, me Dibrën” , domethënia e së cilës ka të bëjë me lidhjen e shtrirjen e zonave të qeverisë në influencën e Bajram Currit (Malësinë e Gjakovës) dhe Lef Nosin (zonën e Shqipërisë Lindore, Dibra). Në vendimin e datës 8 shëndre 1912, pika tretë , thekson “Për të vënë në udhë punët e shtetit dhe për të themeluar një sundim të vërtetë të qytetëruar do të merren këshilltarë prej Evrope për çdo ministri dhe më shumë, mjaft oficerë të Xhandarmërisë që të forcohet sigurimi” . Në zbatim të masave të qeverisë, Libohova përgatiti aktin e krijimit të forcave të rendit në fillim të janarit 1913. Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e forcave të rendit i takon datës 13 janar 1913 , vendim i cili evidentohet të ketë hyrë në fuqi më 14 shkurt 1913.
Në urdhrin që lëshoi, më datë 29 maj 1913, ministri i Brendshëm, Mufid Libohova, u bëri të qartë strukturave të sigurisë se kanë ardhur në Shqipëri, nga Turqia e vende të tjera, disa shqiptarë me qëllime të këqija dhe për të bërë propagandë kundër pavarësisë së Shqipërisë, ndërkohë ngarkoi strukturat e rendit me detyra për të mbajtur në vëzhgim dhe hetuar vazhdimisht dhe për t’i dërguar ata në gjyqin ushtarak në Vlorë.
Në maj 1913, Libohova përgatiti aktin normativ për qeverinë mbi bazën e të cilit ajo formoi disa komisione për organizimin e Drejtësisë, Xhandarmërisë, Policisë e zyrave të tjera, por sipas raporteve dhe korrespondencës së qeverisë me prefekturat rezulton se vëmendja e qeverisë për problemin e rendit ishte përqendruar kryesisht te Xhandarmëria. Kur qe ministër i Brendshëm, Mufid Libohova ka pasur këshilltar Rauf Ficon, njohës i mirë i akteve ligjore dhe procedurave administrative. Që në fillim drejtuesit e Ministrisë së Brendshme planifikuan masa për organizimin strukturor, aktet normative, uniformat, pagat, përgatitjen, etj.
Libohova u dorëhoq nga ministër i Brendshëm në fillim të korrikut 1913, duke i lëshuar vendin Esadt pashë Toptanit dhe u caktua ministër i Jashtëm, por pak më vonë u kërkua si i përzgjedhur nga ndërkombëtarët për t’u caktuar përfaqësues i parë i Shqipërisë në konferencën e Londrës dhe anëtar i Komisionit të Kontrollit Ndërkombëtar (KNK) për problemet e Shqipërisë.
Në muajin gusht 1913, udhëtoi në Vjenë, ku u prit nga Berchtold, ministër i Jashtëm i Austrisë, për bisedime.
Para dorëheqjes së Ismail bej Qemalit, Mufid Libohova, delegati shqiptar në KNK, të martën u nis nga Vlora për Durrës “duke pasur një misië fort delikate nga ana e së ndershmes Komisiës Kontrollore” , çfarë shpreh se ai ka qenë në ujdi me komisionin për “bindjen” e Esad Toptanit të dorëhiqet, mbasi ata ishin siguruar për lëshimin e postit nga kryetari i qeverisë së Vlorës. Mufid Bej Libohova, njëri nga anëtarët e Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit erdhi në Durrës “për me u pjek me E. e T. kryetarin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme”.
Kur dha dorëheqje Ismail Qemali, më 16 janar 1914 Mufid Libohova, mori kompetencat e kryeministrit dhe iu drejtua prefekturave të Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, ku qeveria e Vlorës kishte autoritet të plotë, duke theksuar se: “Nëpunësit të gjithë, siç janë do të mbeten ndër detyrat e tyre dhe do të provojnë patriotizmin që pritet kurdoherë nga ata e jo vetëm nëpunësit, por i tanë populli, për ma tepër sot që atdheu ka më fort nevojë për rend, qetësi e bindje. Ju lutem veçanërisht që t’u komunikoni edhe qarqeve për sa bahet fjalë sipër” .
Ai ka mbështetur ardhjen e Princ Wied-it në vitin 1914, pas dorëheqjes së qeverisë së brishtë të Vlorës, dhe ka asistuar në pritjen e tij në Durrës. Në kabinetin e Princ Wied-it, (kryeministër Turhan pashë Përmeti) i ka lëshuar vendin në KNK Mehdi Frashërit dhe më 14 mars 1914 është emëruar në detyrën e ministrit të Drejtësisë dhe të Kulteve. Pak më vonë Libohova zëvendësoi Gaqo Adhamidhin në postin e ambasadorit shqiptar në Romë. Më 28 maj 1914 u caktua në postin e ministrit të Drejtësisë në qeverinë e dytë të Turhan pashë Përmetit. Sipas shënimeve të vetë Mufidit, ai shprehet se ka qenë ministër i Brendshëm në maj 1914, kur u zhvillua Asambleja Kombëtare , por ka mundësi që këtu të ketë ndonjë pasaktësi ose mund të ketë qenë një zëvendësim i përkohshëm në postin që mbante Esadi, i cili u arrestua ato ditë.
Në vitin 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore dhe ashpërsimin e gjendjes së brendshme në vend, ka shkuar në Zvicër, së bashku me përfaqësinë shqiptare dhe më vonë, prej andej, në Korfuz, për të ndjekur më nga afër çështjen shqiptare. Më 1914 ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Berlinit, si përfaqësues ballkanik.
Libohova u largua nga Italia, megjithëse qeveria italiane i ofroi mbajtjen e përfaqësisë në Romë me shpenzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe ndërkohë i siguronte të ardhurat personale si ministër shumë herë më të mëdha se ato që i ofronte qeveria e Shqipërisë. Megjithëse propozimi i qeverisë italiane ishte në interesin e tij personal, nuk pranoi dhe mbylli përfaqësinë diplomatike. Kur u çlirua Gjirokastra nga pushtimi grek, ai u kthye në vendlindje dhe vijoi të merrej me politikë, me dëshirën e zjarrtë për të ringjallur përsëri një qeveri shqiptare.
Kur Gjirokastra qe zaptuar nga Italia, kolonel Kastoldi i ka propozuar “Kryesinë e Administratës provencit të Gjirokastrës”, por kjo mbeti thjesht propozim mbasi Libohova vuri kusht dhe kërkoi që administrata të ishte krejtësisht shqiptare, “me një xhandarmëri dhe me një Polici thjesht shqiptare dhe Kumanda të ketë vetëm kontrollin”, gjë e cila nuk u miratua nga gjenerali italian Ferrero .
Në vjeshtën e dytë të vitit 1918, Libohova mirëpriti humbjen e Austrisë dhe përparimin e Italisë në Shqipëri, dhe me këtë rast vlerësoi se kishte ardhur koha për formimin e qeverisë shqiptare. Më 22 tetor 1918 i ka dërguar gjeneralit Ferrero një raport për këtë çështje, në gjuhën frëngjisht, duke sqaruar se situata paraqet nevojën për t’i kërkuar qeverisë mbretnore “të na ndihmojë e të i bëj të mundur formimin e një qeverie kombëtare nga arsyeja që e do doemos gjendja ndërkombëtare”. Ai i lutet gjeneralit duke i pasqyruar rreziqet e intrigat e armiqve, të cilat “qeveria mbretnore i di pa dyshim”, duke sqaruar se ngjarjet e ndodhura në Korçë janë shqetësuese, se politika e Fuqieve të Mëdha për çështjen e kufijve është shqetësuese, nevoja kërkon që populli shqiptar të shfaqet “pranë Evropës dhe Amerikës si komb që ka një qeveri të përkohshme dhe nuk i mungojnë fuqia dhe mietet për të formuar shtet autonom”, qeveria do të kërkoj “ngjitien me Shqipri nga an’e jugës të Çamërisë që gjendet kundrejt Korfuzit, dhe nga an’e veriut Sanxhaqet e vjetra dhe thjesht shqiptare, të Dibrës, t’Ipekut, të Prizrenit dhe të Prishtinës”, etj . Pas kësaj është ftuar në Romë nga ministri italian i Punëve të Jashtme, Sonino, me ndërmjetësinë e kolonel Kastoldit, së bashku me Turhan pashë Përmetin, Dr. Turtulllin dhe Mehmet bej Konicën. Aty ka shprehur mendimin për formën qeveritare “monarki konstitucionale”. Në takim ka qenë i mendimit se pushtimi ushtarak i Vlorës “do duhej të ishin të pranueme dhe të qujtuna si sigurim i më efikasë edhe i pa ndryshim i gjendjes të një Shqipërije mvete (indipendente). Unë mirë-likshtë përveç Italisë nuk shihja tjatër dhogë shpëtimi dhe doja një marrëveshje të plotë me konsullatën, aqë më shumë doja një marrëveshje drejt për drejt me qeverinë mbretërore.
Ndërkohë qeveria e Romës kishte siguruar përkrahjen në favor të platformës së shpallur në Gjirokastër, të disa personaliteteve shqiptare, si Mehmet Konica, Myfit Libohova, Medi Frashëri, Feizi Alizoti, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja e të tjerë. Madje, ata po përgatiteshin të krijonin një organ politik në Shqipëri, i cili të miratonte platformën e Romës “Shqipëri autonome nën mandatin italian, pa Vlorën dhe krahinën e saj”. Në marrëdhëniet që pati me komandantët aleatë dhe i mbështetur nga qeveria italiane, pas shumë përpjekjesh, në bashkëpunim me disa miq të tij mundën të sigurojnë krijimin e “Qeverisë Provizore” të Durrësit, e cila përfaqësoi Shqipërinë në konferencën e Paqes. Këtë detyrë e realizoi në bashkëpunim me Mehmet bej Konicën (vëllai i Faik Konicës) dhe Mustafa Krujën, e cila u mundësua nga mbledhja e kongresit të Durrësit, që vendosi formimin e një qeverie shqiptare, të kryesuar nga Turhan pasha. Ky eveniment është pasqyruar edhe në tekstin e historisë së Shqipërisë, ku shkruhet se: “Më 12 tetor 1918 Turhan pashë Përmeti me një grup patriotësh i drejtuan një memorandum me anë të të cilit i njihnin Italisë rolin e “protektoratit”. Gjithashtu, ata, më 30 nëntor 1918 formuan një këshill apo komitet kombëtar, siç udhëzonte Soninoja, nga shqiptarët “besnikë” të Italisë dhe “me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej italianëve, me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj”. Për të marrë pjesë në këtë këshillë erdhën në Shqipëri Mufid Libohova, Mehmet Konica, Mustafa Kruja, e persona të tjerë, të cilët gjatë muajit nëntor ishin grumbulluar në Romë për t’u këshilluar me qeverinë italiane”. Më tej, në këtë dokument, theksohet se: “Kongresi i Durrësit u hap më 25 dhjetor 1918. Qeveria e përkohshme që doli nga kongresi i Durrësit përbëhej prej 14 anëtarësh…”. Në këtë qeveri, përkrah kryeministrit Turhan pashë Përmeti kanë qenë edhe Mufid bej Libohova, Mustafa Kruja, etj. Më 25 dhjetor 1918 ka hapur kongresin e Durrësit, në rolin e organizatorit, së bashku me Mehmet Konicën. Ka qenë delegat i Gjirokastrës, së bashku me 6 të tjerë (përfshirë edhe mikun e tij, Petro Pogën, ky u propozua nga Hiqmet bej Delvina për nënkryetar, u kontestua nga shumë delegatë, por gjithsesi u miratua “pa vue re fenë e vendin e tij”. Në kongresin e Durrësit, Mufid Libohova u caktua nga kongresi zëvendës kryeministër.
Pas krijimit të qeverisë së Durrësit, Mufid bej Libohova, shkoi në Paris, ku qëndroi tre muaj, për ndjekjen e punimeve të delegacionit zyrtar shqiptar në konferencën e Paqes, në të cilën u pranua përsëri, në kundërshtim me interesat jugosllave e greke, liria e Shqipërisë sipas vendimit të konferencës së Londrës, që caktoi kufijtë e Veriut dhe të Verilindjes më 22 mars 1913, duke e lënë fatkeqësisht jashtë atdheut Kosovën e Çamërinë. Këto ngjarje i shpjegon gjerësisht Mufid beu në librin e tij “Politika ime në Shqipëri në 1920”.
Më 20 mars 1919, Mufidi ka qenë në mbledhjen që u zhvillua në Gjirokastër, ku u diskutua problemi i rrezikut të gllabërimit nga grekët të Gjirokastrës, dhe u vendos: ‘t’i jepet Shqipërisë Jugore ndënë garancinë edhe mbrojtjen e Italisë pa ngajtur mvehtësin edhe njësin e Shqipëris”, por kjo është kundërshtuar nga përfaqësia shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, madje kanë protestuar aty për këtë veprim të Mufidit.
Me vendim të qeverisë së Durrësit, të 17 prillit 1919, së bashku me Mehdi bej Frashërin është caktuar të marrë pjesë në delegacionin e qeverisë në Paris, për t’u përpjekur të minimizojë përçarjen e grupeve shqiptare në Konferencën e Paqes. Duke mos mundur të zgjidhin çështjen Mufidi ka takuar disa herë, në Paris, Esad Toptanin, për të ndërmjetësuar me serbët në të mirë të çështjes shqiptare, por ai vuri kushte që të njihej si kryetar i qeverisë shqiptare. Në fillim të gushtit ka shkuar në Romë, ku e priste Fejzi bej Alizoti, të dy kanë përgatitur një marrëveshje të përkohshme për “një sundim shqiptar ndënë kontrollin e Italis”.
Në qeverinë e Durrësit, Mufidi, në muajin korrik 1919, mori për herë të dytë dhe mbajti për disa muaj postin e ministrit të Brendshëm, duke u ndërruar në post me Mehdi Frashërin, kur ishin në konferencën e Paqes. Kjo qeveri pati jetë nga dhjetori 1918 deri më 1920. Në këtë qeveri ka punuar duke pasur përkrah intelektualët e shquar Luigj Gurakuqi, Sami Vrioni, Mehdi bej Frashëri, Fejzi Alizoti, Preng Bib Doda, Mustafa Kruja, Abdi Toptani, Imzot Bumçi, etj.
Më 20 gusht 1919, kur kishte pak ditë që ishte caktuar ministër i Punëve të Brendshme, së bashku me Fejzi Alizotin (në atë kohë ministër i Financave) dhe markezin Karl Durazzo, këshilltar i Legacionit të Italisë e Kolonel Bartolomeo Viçenzi, kanë nënshkruar Traktatin e fshehtë (prej nëntë pikash) midis qeverisë së Italisë dhe “Qeverisë së Përkohshme Shqiptare” të Durrësit, i cili i jepte të drejtë Italisë për të vendosur arbitrarisht mbi shumë probleme të Shqipërisë (buxheti, kontratat, koncesionet, ndërtimet e zyrave shtetërore, emërimet e zyrtarëve të lartë të shtetit, etj.).
Duke iu referuar dokumenteve të administruara në Arkivin e Shtetit, bie në sy ashpërsia e tij në ndëshkimin e keqbërësve dhe kriminelëve. Në fondin e Ministrisë së Brendshme gjendet një shkresë, nënshkruar nga Delegat’i P. të Brendshme (ministri i Punëve të Brendshme-H.L.) Mufid Libohova, dërguar Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë (Xhandarmerisë) “Mi masat për me u marrë kundër t’arratisunëvet”, në të cilën shkruhet: “Për dije e veprim, Ju komunikojmë Vendimin e Këshillit të Delegatëve nr. 2574, datë 4.10.1919, mas të cillit tue qenë se krimet sa po venë po shtohen e vepruesit e tyne po arratisen tue prishë qetësinë e përgjithshme edhe Qeveria për të ndaluar hovin e tyre dhe për të mundur të verë në dorë bërësit e arratisun vendos qi (që-H.L.), të këtillë të arratisun për gjana vrasje, tue u thirrë nga Qeveria, në mos u dorëzofshin t’u digjen shtëpitë edhe t’u merren nga an’e Qeverisë gjithë gja e gjallë dhe të shitet për llogari të Qeverisë. Veç këtyre do t’u (n)digjen shtëpitë dhe gjithë atyre qi nuk i dorëzohen Qeverisë tue i kundërshtue me armë, cilido të ketë pas qenë faji i përparshëm”.
Duhet theksuar se kjo detyrë ishte në zbatim të ligjit të dytë të hartuar nga Mehdi Frashëri, kur ky qe ministër i Brendshëm, për vendosjen e qetësisë në vend, pasqyruar më hollësisht në jetëshkrimin e Mehdi beut, në ketë libër.
Mufid Libohova, si italofil i thekur që ishte, ka qenë hapur kundër mbledhjes së kongresit të Lushnjës. Kur po mblidheshin delegatët e kongresit të Lushnjës, Mufidi ka shkuar deri në Vlorë  dhe në bazë të marrëveshjes së fshehtë të qeverisë së Durrësit me Komandën e Përgjithshme Italiane në Shqipëri, është munduar të bindë gjeneralin italian, Piaçentinin, të merrte masa ushtarake kundër kongresit të Lushnjës, por ai për oportunitet nuk guxoi të ndërmerrte një masë të tillë dhe u mjaftua vetëm me dërgimin e një batalioni me një efektiv prej 1200 vetash nga milicia e Gjirokastrës. Komanda italiane, pa iu dhënë asnjë lloj shpjegimi oficerëve shqiptarë, dërgoi me mjete të shpejta në Kolonjë të Lushnjës batalionin e milicisë me qëllim që të shpërndante mbledhjen e Lushnjës, duke i treguar botës se kongresi u shpërnda prej fuqive të armatosura shqiptare. Shumica e oficerëve (ishin katolikë shkodranë) kuptuan qëllimin dinak të italianëve, kontaktuan me kongresistë dhe nuk vepruan për shpërndarjen e kongresit. Mufid Libohova është deklaruar tradhtar i atdheut nga kongresi i Lushnjës. Meqenëse kongresi i Lushnjës zgjodhi Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, Mufid beu u tërhoq nga politika, duke shikuar se ylli i Ahmet Zogut po ngrihej frikshëm në mugëtirën politike shqiptare. Mufid Libohova, ministër i Brendshëm në detyrë, kur u mblodh kongresi i Lushnjës, për sa më sipër ka pohuar: “Nisa ushtrinë për në Kolonjën e Myzeqesë edhe andeja për në Lushnjë. Pllani ishte të rrethoja këtë qytet edhe të përndaja mbledhjen tuk’e proklamuar në tërë Shqipërin zgjedhje të përgjithshme për një Asamble Konstituente”, por kjo u kundërshtua nga koloneli italian që ndodhej në Lushnjë, gjë të cilën e ka anuluar edhe gjenerali Piaçentini. I mërzitur nga kjo ka shkuar në Vlorë të bindë Piaçentinin t’i jepte në përforcim 700 milicë, me qëllim që t’i kundërvihej kongresit të Lushnjës, duke zhvilluar një mbledhje më të madhe në Durrës e në Gjirokastër, por edhe kjo nuk u pëlqye as prej Piaçentinin dhe as nga qeveria italiane.
Gjatë periudhës që u tërhoq përkohësisht nga politika shqiptare, është angazhuar seriozisht me punët e tij dhe me studime në fushën e historisë e të jurisprudencës. Gjithashtu, sistemoi bibliotekën personale, e cila ishte një pasuri e çmuar e familjes së shquar Libohova.
Ndonëse i vendosur për të mos u angazhuar më me politikë (sikurse kishte deklaruar pas kongresit të Lushnjës), ka provuar përsëri në zgjedhjet parlamentare të vitit 1921, por nuk ka mundur të fitojë. Kur të gjithë mendonin se Mufid Libohova po braktiste skenën e politikës, çuditërisht dhe atëherë kur askush nuk e besonte, ai bëhet më këmbëngulës për të fituar. Në mbledhjen e këshillit kushtetues që u hap në Tiranë më 1923, populli i Gjirokastrës dhe i Labërisë e zgjodhi përsëri deputet dhe në kabinetin e ri qeveritar ai u bë ministër i Drejtësisë dhe, më vonë, në një kabinet të dytë, ministër i Financave dhe i Drejtësisë.
Pak ditë para se të fillonte revolucioni i qershorit, ka shkuar në Shkodër, si përfaqësues i qeverisë, për të hyrë në bisedime me parinë e vendit. Gjatë një mbledhje, ka debatuar ashpër me Sejfi Vllamasin, duke iu drejtuar atij “Zoti Sejfi, e ke kot, se Ali Këlcyra nuk mund të bëhet demokrat , pasi ay rrjedh nga një familje e cila ka vrarë e prerë në popull, prandaj ay atë shpirt ka, qoftë me anë të trashëgimit nga prindërit, qoftë edhe nga atavizmi”.

Kur triumfoi revolucioni i qershorit i vitit 1924, Mufidi ka qenë pjesëtari i fundit i qeverisë që u largua nga Tirana, nga ku u drejtua për në Shkodër dhe qëndroi për disa ditë, para se të kalonte për në Jugosllavi. Qeveria e Nolit iu kërkoi shkodranëve me këmbëngulje të dorëzonin Mufid bej Libohovën, por ata nuk pranuan kërkesën e autoriteteve të Tiranës, përkundrazi e nderuan Mufidin, duke e përcjellë me respekt deri në kufi. Flitet se kur vetura e tij la tokën shqiptare rojet kufitare i drejtuan (paraqitën) armët. Kur qeveria e Nolit ishte pa përkrahje dhe afër dështimit, në pragvdekje, Mufid beu, në krye të fuqive të tij të armatosura, hyri në tokën shqiptare nga posta e kufirit të Kakavijës, më 24 dhjetor 1924. Në këtë rast ka filluar sulmin duke qenë në krye të forcave zogiste (legaliste) në drejtimin Greqi-Kakavijë, në bashkërendim me Ahmet Zogun që hyri nga drejtimi i Dibrës, Musa Jukën që sulmoi nga Podgorica, Kostaq Kottën nga Kapshtica dhe Selaudin Blloshmin nga Qafë-Thana, për rrëzimin dhe dëbimin përfundimtar të qeverisë së Nolit.
Duke kujtuar këto ngjarje, historiani L. Vernon, ka shkruar: “Qeveria e Tiranës i drejtoi Lidhjes të Kombeve një thirrje të nxehtë më 18 dhjetor, por duke mos marrë asnjë përgjigje, qeveria dha dorëheqjen dhe Ahmet bej Zogu hyri në Shqipërinë e Veriut pothuajse pa asnjë qëndresë” . Në dhjetor 1924, kur erdhi në qeveri me forcën e armëve, duke qenë në mbështetje të Zogut, Mufid beu i ka dhënë fjalën Zija Dibrës se është i sigurt se nuk do të pësonte asgjë, por pas pak ditësh ky është arrestuar dhe i shoqëruar rrugës, afër Kavajës, është vrarë, gjoja se paska tentuar të largohet! Kjo lojë nuk mund të ishte rastësi, aq më tepër kur bëheshin bashkë Zogu dhe Libohova.
Sipas të afërmve të tij, flitet se në akordet që kishin marrë gjatë mërgimit, Mufid beu në Romë dhe Ahmet Zogu në Beograd, ishte parashikuar që mbas rrëzimit të pushtetit fanolist, njëri nga këta të dy do të bëhej president i republikës ndërsa tjetri kryeministër, por kjo marrëveshje nuk u respektua nga Zogu.
Ndonëse fillimisht ishte kundër qeverisë së dalë nga kongresi i Lushnjës dhe kundër Ahmet Zogut, karrieristi Mufid Libohova, në qeverinë e krijuar më 1925 (të Iljaz Vrionit dhe të Zogut) ka kryer detyrat e ministrit në tre ministri, përkatësisht në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në atë periudhë Mufid beu krijoi bankën kombëtare dhe për nevojat urgjente të zhvillimit ekonomik të vendit, ai bëri një marrëveshje ekonomike-financiare për një hua të rëndësishme në favor të Shqipërisë, me një shoqëri private italiane të madhe. Veprimi i parë mundësoi faktin që Shqipëria, për herë të parë, hyri në tregun monetar të përbotshëm dhe kapitalit shqiptar iu sigurua vlera si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, u krijua një monedhë kombëtare që u quajt “Lek”. Huaja i dha Shqipërisë rrugët, urat, ndërtesat qeveritare dhe veprat publike më me rëndësi, aq të nevojshme asokohe për vendin tonë.
Njerëz të afërt të Libohovës pohojnë se: “…gjatë kësaj kohe divergjencat midis Mufid beut, njeri me karakter të fortë dhe kryetarit të Republikës, Ahmet Zogut, u bënë gjithnjë më të thella, mbasi i pari nuk mund të pranonte disa veprime të presidentit në lidhje me drejtimin e punëve të shtetit, sidomos për sa i përkiste politikës së tij tepër krahinore, zvogëlimi i rolit të parlamentit, hyrja në sferën drejtuese qeveritare të disa elementeve të papërshtatshëm dhe falja Jugosllavisë të Shën-Naumit si dhe konfliktet për Vermoshin. Për shkak të këtyre rrethanave, Mufid bej Libohova preferoi të tërhiqet kundër interesave të tij nga rrethet qeveritare dhe shkoi për kurime mjekësore në Paris si dhe për një pushim pranë të birit, Malik Beut, që ishte në atë kohë i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Francë.”
Kritika dhe akuza për Mufid bej Libohovën
Mufid bej Libohova nuk iu ka shpëtuar përfoljeve të politikës së viteve 1920 në Shqipëri. Është akuzuar nga Sejfi Vllamasi, në librin e tij me kujtime “Ballafaqimet politike në Shqipëri” se ka qenë kundër kongresit të Lushnjës, gjë e cila në një farë mënyre është bindëse nga fakti se ai u largua në mënyrë “inatçore” nga politika, duke përdorur si pretekst sjelljen euforike dhe disi “kaçake” të Ahmet Zogut. Lidhur me këtë fakt flitet se ai “qe sulur në Fier për të rrethuar e burgosur, me ushtrinë e gjeneralit italian Piaçentinit, kongresistët e Lushnjës”. Ja çfarë shkruan Vllamasi: “Konsulli Eden i Inteligence Service, në dhjetor të vitit 1919, shkon nga Berati për në Gjirokastër bashkë me major Mustafa Maksutin dhe Azis Tahirin, ish-kadi, ku takohet me Javer Hurshitin dhe Beso Gegën , kryetar i Bashkisë dhe u thotë konfidencialisht se qeveria britanike dëshiron formimin e një qeverie kombëtare në vend të asaj, që kemi sot në Durrës dhe që është vegël e italianëve. Pra, kur t’ju ftojnë për në kongres të dërgoni dy delegatë: Beso Gegën dhe Veli Hashorvën. Mufid Libohova, rastësisht atë ditë, ndodhej në Libohovë dhe merr vesh e vjen në Gjirokastër, ku i thotë Javerit: “Ti, si vepron kundra një qeverie, ku unë, miku yt, jam anëtar i saj? “Javeri i përgjigjet: “Unë më parë dua Shqipërinë”. Mufidi kthehet e i thotë Besos: “Ti, Beso, mos shko në Kongres, se komanda e përgjithshme italiane është e angazhuar të mbrojë qeverinë e Durrësit, qoftë dhe me armë, kundër çdo agresioni që do të bëhet kundër saj. Bile, milicia e Gjirokastrës nesër po niset për në Lushnjë”. Milicia u dërgua kundër Kongresit me inisiativën e Mufidit”.
Kur Mufid Libohova kërkoi të fliste në Gjirokastër si ministër i qeverisë proitaliane të Durrësit, populli tregoi hapur urrejtjen ndaj tij dhe shprehu miratimin e vendimeve të kongresit të Lushnjës. Në këtë rast Mufid beu,-shkruhet në shtypin e asaj kohe,-iku i hidhëruar në Libohovë, i zëmëruar që Gjirokastra nuk deshi ta njihte si ministër. Duke qenë mosbesues ndaj kongresit të Lushnjës, ai i quajti organizatorët e tij “intrigantë e sherretë”, të cilët nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Në këtë rast ai u lidh ngushtë me Kapialbin në Gjirokastër, për të mos njohur qeverinë e Lushnjës, dhe me Piaçentinin, për një orientim pa kushte nga Italia.
Gjithashtu, është akuzuar prej Vllamasit si konservator që iu kundërvihej ideve të grupit liberalo-demokrat.
Mufid Libohova ka përkrahur protektoratin e huaj ndaj Shqipërisë dhe për këtë ka shkruar: “Shqipëria nuk kishte shpresa të lindej, sepse shqiptarët nuk kishin atë zotësi e meritë . Duke qenë një afarist pa skrupull, ai vazhdimisht ka mbajtur lidhje me regjentë të legatës italiane në Tiranë, të cilët i raportonin Romës bisedat e fshehta me Mufid Libohovën, për depërtimin ekonomik të Italisë në Shqipëri. Mufidi u kërkonte italianëve që “Italia duhet t’i ballkanizonte pak metodat e veprimit në vendin tonë”. Në një korrespondencë të Hilë Mosit , shkruhet se: “…Zotni Castoldi, qi ka çue Italija në Durrës si ministër fuqiplotës, i ka thanë qeveris s’onë, se po në dishrojte me u marrë vesh me Italin, lypej qi të pranonte marrëveshtjen e mshehët, qi Myfid Begu e Fejzi Begu kishin ba në Gjinokastër me Italin; d.m.th. nji gja qi asnji shqyptar nuk mundet me e pëlqye” .
Në zgjedhjet e vitit 1921, që nga Italia, prefekti i Gjirokastrës, Faci, ka dhënë porosi “të vinte në qeveri Mufidi, se ndryshe Shqipërinë do ta merrte lumi”, duke argumentuar se ai i duhej Italisë në qeveritë shqiptare dhe se ai vazhdonte të mbetej vegël e politikës së tyre.
Mufid beu ka qenë kreu i agallarëve shqiptarë. Flitet se ata, për të siguruar fitoren e Mufid beut në zgjedhjet e vitit 1921, kanë dhënë dhjetë mijë lira turke. Me gjithë këto përkrahje politike dhe financiare Mufid beu nuk mundi të zgjidhej deputet në zgjedhjet e vitit 1921, si pasojë e urrejtjes antifeudale dhe anti Mufid që kishte shpërthyer në popull në atë periudhë.
Është akuzuar se ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Esad Toptanit, gjë e cila është konkretizuar me bashkëpunimin e tyre në periudhën e mëvonshme.
Duke qenë se ishte mik i privilegjuar i Italisë është konsideruar “tradhtar” nga qeveria komuniste.
Flitet se miku Libohovës, Eshref Frashëri, në veprimtarinë e tij kundër Ahmet Zogut, u përpoq të tërhiqte pas vetes edhe Mufidin, duke qenë se kishte përkrahjen e një pjese të klerit fanatik mysliman, por Libohova shkoi dhe i tregoi Zogut gjithçka që po përgatitej, i cili pa vonuar dërgoi forca të shumta matjanësh në Korçë të shtypte çdo orvatje që në embrion, mirëpo dëshmia e Mufidit për mungesë provash të qarta nuk mundi të qëndronte në këmbë, prandaj Zogu ngurroi të dilte hapur kundër Frashërit edhe nga frika e reaksionit që mund të ngjallte tek jugorët. Në këtë rast ai u mjaftua me largimin e Frashërit nga detyra dhe pushimin nga puna të disa oficerëve toskë.
Kundërshtarë të Mufid beut janë shprehur se është shpërblyer disa herë nga sulltan Abyl Hamiti dhe ka qenë mbiemëruar prej tij me pseudonimin “i kuq”, për përkrahjen që i ka pas dhënë pushtuesit turk. Libohovitët thonë se në sarajet e pashallarëve të fshatit të tyre, “gjëje sahate me vlerë që mbanin portretin e sulltan Reshatit VI, dhuruar Mufid beut, si shpërblim për librin e shkruar prej tij  për Ali pashë Tepelenën, të cilin në këtë vepër ai e paraqet me origjinë turke”. Më 1980, me ndërmjetësinë e nipërve të tij, të cilët i kishte rritur vetë, kjo vepër, e cilësuar prej tyre “vepër historike madhore” u përkthye në greqisht nga Akademia e Epirit në bashkëpunim me universitetin e Janinës.
Është akuzuar se i ka shitur Italisë Vlorën me gjithë rrethinat e saj. Faktet flasin se veçanërisht pas vitit 1919 e në vijim ai u bë vegël e politikës perëndimore.
Në fondin e qendrës kulturore në Gjirokastër ka pasur dokumente të shumta lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Mufid bej Libohovës. Në kronikat e asaj kohe shkruhej: “Ai ishte feudali me mustaqe të holla e të vogla, me të veshurit elegant e shik, me parulla të vockla e anekdota të shpeshta në muhabete, me frëngjishten, që e kuvendonte lehtazi, me pamjen e një italiani të fisëm”.
Ai ishte beu që e akuzonte Korça, Vlora, e afërsisht çdo vend i Shqipërisë.
Nga kundërshtarë të tij libohovitë, Mufid Libohova akuzohet si i dyshuar në nxitjen e organizimit të vrasjes së Avni Rustemit. Në këtë rast flitet se ai “i trembur nga forca e hakmarrjes popullore, e la vrapin në Shkodër”.
Flitet gjithashtu se ai ka qenë arrestuar për vrasjen e Avni Rustemit. Në një dokument të datës 17.06.1924, të QKGJ, Mufidi cilësohet nga familja e Avniut “shkaktari kryesor i vrasjes”, “tradhtari që leu duart me gjakun e Avniut”.
Lefter Dilo, në librin e tij “Avni Rustemi”, duke ju referuar këtyre dokumenteve ka shkruar “Populli u revoltua, kur mësoi se Mufid Libohova, i arrestuar në Shkodër, iku nga burgu dhe u arratis jashtë shtetit. Ikjen e Mufidit nga burgu populli e ka konsideruar “si kallauz të vrasjes së Avni Rustemit, falimentim të revolucionit të qershorit dhe pazotësi monumentale e gjyqit politik” .
Noli e ka akuzuar publikisht në shkrimet e tij se Libohova bashkë me qeveritarët e tjerë po vjedhin pasurinë e shqiptarëve, por ata mbrojnë njëri-tjetrin. “Për çdo akuzatë vjedhjeje, Mufidi përgjigjet me gjakftohtësi që është një “e fshehtë e shtetit” dhe e dërgon komisionin të pyesnin Ahmet Zogun. Puna është e kthjellët si dita. Mufidi dhe Ahmet Zogu kanë vjedhur shoqërisht dhe i kanë ndarë fitimet në mes. Kështu zë rrënjë shteti me kusarë në zyrat më të larta” . Qeveria e Nolit e ka shpallur Mufidin “të pandehur” (në atë kohë ky ishte ministër i Drejtësisë). Në Arkivin e Shtetit gjendet një dokument, protokolluar në muajin tetor 1924, në të cilin prokurori i Gjyqit Politik në Shtetin Shqiptar, I. Dede, i kërkon Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë si më poshtë: “Në themel të deklaratës bashkëngjitur, nga an’e gjyqit Hetues Politik, këtu, asht vendos ndalim i përhershëm për të pandehurit Shefqet Vërlacin, Iliaz Vrionin, Mufid Libohovën, Kostaq Kottën, Abdurrahman Dibrën, Mustafa Aranitasin, Banush Hamdiun e Ahmet Zogun e Ceno Beg Jakovën . Pra, lutemi asaj P.T komande me dhanë urdhën gjithë fuqinë armate për zanjen e tyre”.
Në tetor 1925 Mufid Libohova është akuzuar nga deputetët Rauf Fico, Maliq Bushati, Hiqmet Delvina, Jashar Erëbara, Kristo Floqi, Kolë Mjeda, etj., madje prej tyre është propozuar ngritja e një komisioni parlamentar, për të hetuar shkeljet e Libohovës. Ndër akuzat e bëra renditen: pazarllëqe në shtypjen e dy milion frangave ar letër e nikel; shpenzimet e 280 mijë frangave ar; importimi miellit në Sarandë pa tagër doganor (dëmi rreth 100 mijë franga ar); problemi i vaporëve të mbytur; çështja e pullave në bankën e Korfuzit; eksportet e ndaluara; marrja e bakshisheve; vaporët e blerë; ndërtesa e Prefekturës së Vlorës; shpenzimet e nëpunësve të ministrisë së Financave, etj.
Mufidi ka pasur kritika edhe nga Bernd J.Fischer, i cili ka evidentuar se: “Libohova u caktua ministër i Drejtësisë në kabinetin e parë të Vërlacit, në shkurt 1923, ndonëse “zotëronte shumë pak, për të mos thënë aspak, cilësitë e nevojshme për postin në të cilin u emërua. Përfshirja e tij në kabinet kontribuoi jashtëzakonisht në paqëndrueshmërinë e qeverisë së Vërlacit” …Karriera e tij politike kishte filluar në vitin 1909 si deputet në parlamentin turk. Aty ai kishte shfaqur për herë të parë prirjen për korrupsion, duke pranuar një ryshfet prej qeverisë greke…Në fund të viti 1918…ai bashkëpunoi me ushtrinë italiane, radhitej mes elementëve më pro-italianë në qeverinë e Turhan pashës, ishte një prej dy nënshkruesve të një marrëveshjeje të fshehtë me Italinë, e cila krijoi kushtet për vendosjen e një mandati italian mbi Shqipërinë…ai u ngarkua të zhvillonte negociatat për krijimin e Bankës Shqiptare me italianët në prill 1925, ku përfitoi për ta shitur dhe futur vendin e tij në varësi ekonomike. Nga hetimet që i bëri gjykata parlamentare Mufid Libohovës, u zbulua se ishte zhdukur origjinali i dokumentit që përmbante klauzolën penale të koncesioneve bankare dhe konventa e kredisë, ndërsa aneksi i konventës, edhe pse nuk ishte miratuar prej kabinetit, ishte nënshkruar nga Mufidi dhe nga kjo konsiderohej i vlefshëm nga koncensionarët italianë, çfarë i solli vendit një humbje të konsiderueshme të kapitalit bankar. Ai u shpall fajtor për vjedhje të shtetit dhe korrupsion dhe u dënua për tradhti të lartë, por kjo akuzë mbeti në letër mbasi Mufidi pati mbrojtjen e shtresës së pronarëve të tokave, të italofilëve dhe se mundi të korruptojë një pjesë të deputetëve dhe të gjykatësve me paratë e vjedhura. E vetmja pasojë për Mufidin ishte humbja e posteve zyrtare fitimprurëse” .
Vlerësime për Mufidin
Është vlerësuar nga nipërit e tij Arsllan dhe Kapllan bej Libohova: “…ka qenë një nga flamurtarët kryesorë të lëvizjes sonë kombëtare. Patriot nacionalist nga më të pastrit, studios dhe burrë shteti realist, i pajisur me cilësi të larta diturie dhe karakteri, i njohur dhe i çmuar edhe në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare. Ai ka qenë një nga prijësit shqiptar më me rëndësi të kohës së tij dhe ka luajtur një rol vendimtar si për përpjekjet për shpalljen e pavarësisë kombëtare ashtu edhe për themelimin e Shtetit Shqiptar.
Mufid Libohova vlerësohet të ketë qenë “njeri me kulturë humanistike dhe juridike si dhe me një eksperiencë politiko-diplomatike shumë të gjerë”.
Ai ka pasur marrëdhënie me personalitete të larta të botës politike, diplomatike dhe shoqërore jashtë dhe brenda vendit, duke mbajtur kontakte me patriotë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë. Ka ndihmuar me shkrime, memorandume, raporte, kumtime diplomatike të drejtuara, herë pas here, kancelarive evropiane me të cilat paraqiste problemet shqiptare dhe mbronte me guxim interesat e larta të vendit, seriozisht të cenuara nga fqinjët tanë të Veriut dhe të Jugut. Ai luftoi fuqishëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare bashkë me Ismail Qemalin, të cilin e kishte kushëri dhe e lidhte një miqësi e ngushtë.
Mufid bej Libohova qe një prej atyre burrave që mundën të bashkonin gjithë deputetët shqiptarë të katër vilajeteve në një ballë të vetëm parlamentar. Qeveria e Stambollit u trondit tepër nga veprimtaria guximtare e tij dhe që ta bënte për vete i ofroi një ministri me rëndësi në qeveri ose kryesinë e një ambasade, po ai që të dyja këto propozime të rëndësishme i refuzoi kategorikisht për të vazhduar me këmbëngulje përpjekjet në parlament dhe jashtë parlamentit për pavarësinë e Atdheut.
Është cilësuar dhe vlerësuar si njeriu që krijoi për herë të parë lekun shqiptar (monedhën shqiptare). Ai i ka dhënë vlera qeverisjes së Zogut, duke krijuar Bankën Kombëtare. Ndonëse kjo ka qenë shumë e përfolur, ai mundi të sigurojë huan e madhe nga Italia fqinjë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë së prapambetur.
Është vlerësuar nga politika shqiptare e kohës së tij si kundërshtari më i ashpër i Ahmet Zogut për faljen Jugosllavisë të Shën-Naumit. Është përmendur si fakt se kundërshtimet e Mufid Libohovës në këtë kohë çuan në krijimin e një qeverie tjetër.
Miku e kushëriri i tij, Eqrem bej Vlora, në kujtimet e shënuara për ditët e para të krijimit të shtetit të parë të pavarur shqiptar, ka shkruar për Mufid Libohovën se: “Mufid beu i merrte me të qeshur të gjitha: mangësitë e qeverisë së përkohshme, papjekurinë e popullit shqiptar, madje tërë këto fyerje që na kishin pllakosur…Mufid beu, ministri i Brendshëm, banoi disa javë tek unë, pastaj mori me qira një shtëpizë të këndshme prapa avllisë sonë, ku jetoi gjatë kohës së qëndrimit të tij në Vlorë…Stili në të cilin ai e drejtoi Ministrinë e Brendshme, të kujtonte paksa kohën e Dagobertit, Mbretit të mirë të Frankove: pakëz atëror, pakëz kalorësiak, por edhe pakëz despotik” .
Në qeverinë e parë shqiptare, të kryesuar nga plaku i urtë Ismail Qemali, ka punuar përkrah njerëzve të shquar të poshtëshënuar: Kryetar shteti, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme Ismail Qemal bej Vlora; zëvendëskryeministër, dom Nikollë Kaçorri; ministër i Drejtësisë, Dr. Petro Poga; ministër i Bujqësisë, Pandeli Cale; ministër i Financave, Abdi bej Toptani; ministër i Arsimit, Dr. Luigj Gurakuqi; ministër i Luftës, Gjeneral Mehmet Pashë Dëralla; ministër i Punëve Botore Mit’hat Frashëri; ministër i Bujqësisë Pandeli Cale; ministër i Postëtelegrafës, Lef Nosi.
Në vitin 1908 i fali, ndër të tjera, me bujarinë që e karakterizonte, bashkisë së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit që ishte pronë e familjes si dhe një dhuratë financiare prej 5.000 napolona për ngritjen në atë vend të gjimnazit shtetëror.
Mufid beu e bëri Libohovën nënprefekturë. Gjithashtu, ndërtoi rrugën që lidhte qytetin me Gjirokastrën e Janinën, pruri ujin e pijshëm dhe ndërtoi shkollën fillore.
Në mbarim të vitit 1926, pak kohë para vdekjes, i dha fund pjesës së parë të kujtimeve të tij politike dhe diplomatike që mbulon periudhën 1896-1927. Ato përfshijnë edhe dokumente shtetërore dhe ndërkombëtare origjinale, të pabotuara, me një rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë, janë aty dhe fjalimet e debatet në Parlamentin e Stambollit në favor të pavarësisë kombëtare si dhe veprimtaria e tij në fushën diplomatike ndërkombëtare me qeveritë më të mëdha të atëhershme.
Mufid bej Libohova konsiderohet nga shumë intelektualë dhe historianë të paanshëm, qofshin të huaj ose shqiptarë të ndershëm, si burrë shteti dhe një nga diplomatët më të shquar shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së atdheut, në vitin 1912. Për më shumë se dhjetë herë ai ka qenë ministër në dikasteret kyçe të shtetit shqiptar, mes të cilave në ato të Punëve të Jashtme, të Brendshme, Drejtësisë dhe të Financave. Është për të theksuar se ka qenë ministër i Jashtëm në periudhat: qershor 1913 deri më 24 janar 1914; 25 dhjetor 1918 deri në gusht 1919; 6 janar 1925 deri më 31 janar 1925 (në këtë rast në vend të Gjergj Kolecit, i cili nuk e mori këtë post) dhe nga 1 marsi 1925 deri më 23 shtator 1925.
Si ministër i parë i Brendshëm dhe ministri i parë i Punëve të Jashtme (mbas Ismail bej Qemalit) në qeverinë e Vlorës, më 1912-1913, ai ka qenë një nga reformatorët dhe themeluesit e administratës së brendshme të shtetit të parë shqiptar (kishte ndihmuar për të emëruar prefektët, nënprefektët, kryetarët e bashkive dhe të komunave, komandantët e parë të xhandarmërisë).
Libohova ka qenë gjithashtu një nga themeluesit e diplomacisë shqiptare dhe kësisoj ai vazhdoi politikën e tij në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave kombëtare, të cilën e kishte filluar në vitin 1908, kur ishte diplomat e deputet i Shqipërisë në Parlamentin e Stambollit, ku përpara tij kishte qenë i ati i tij, Neki pashë Libohova.
Eqrem bej Vlora (diplomat, shkrimtar, ish ministër) i cili e kishte njohur personalisht Mufidin, në librin e tij “Kujtime”, flet gjerësisht për të nënvizuar cilësitë e larta të tij. Midis të tjerave ai shkruan: “Mufid bej Libohova-Arslan Pashalli ishte pa dyshim një nga personalitetet më të veçanta dhe më të shquara të Shqipërisë së kohës. Niveli i lartë që e bënte të dallohej qartë mbi të gjithë njerëzit e serës së vet, dëshmonte për kulturën e gjerë të tij të spikatur evropiane. Ai ishte doktor i shkencave juridike të Universitetit të Stambollit dhe doktor i shkencave politike të Universitetit të Lausanne (Zvicër). Ai ka qenë shumë i pasur, diplomat me gradë të lartë në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë Osmane” .
Mufid Libohova, deputet i Shqipërisë në Parlamentin Turk, shkrimtar i njohur në Turqi, por edhe në Shqipëri dhe Evropë, ishte i destinuar të kishte një karrierë në perandorinë osmane por ai donte dhe përpiqej për pavarësinë e atdheut tij. Mufidi ka qenë anëtar i klubit “Bashkimi”, në Stamboll. Shtypi i asaj kohe shkroi: “Në muajin maj të vitit 1911 e përtëriti aktivitetin në mënyrën të riorganizuar edhe Klubi Qendror “Bashkimi” i Stambollit në krye me Abdyl be Ypin. Në Pleqësi të këtij klubi, midis të tjerave, ishin: Gani be Frashëri, Myfid be Gjirokastra, Hasan be Prishtina, Nexhib be Draga dhe Sylejman pashë Kolonja. Nga tashti “Të gjitha klubet në Shqipëri do të punojnë sipas programit qendror” të “Bashkimit” të Stambollit (është fjala për gjuhën shqipe-H.L.) . Mufid Libohova i përket grupit të parlamentarëve shqiptarë, të cilët do ta detyrojnë qeverinë xhonturke të bënte lëshime lidhur me shkollat shqipe dhe alfabetin kombëtar latin të gjuhës shqipe, miratuar në Kongresin e Manastirit.
Mufid Beu ka përkrahur Nexhib Dragën në seancën parlamentare të datës 29 mars/11 prill 1910, në debatin me vezirin e lartë turk dhe Ismail Haliun (përfaqësues i Bagdatit) .
Kur Ismail bej Qemali u ngrit kundër dhunës së komandantit Xhavid Pasha, në Kosovë, Myfid Be Janina (Lybohova) do ta quaj Xhavitin gjakpirës, vrasës, ujk. Kundër këtyre “epiteteve” për Xhavid Pashën u ngrit xhonturku shovinist antishqiptar, Talat Beu, por Myfid Beu ia priti flakë për flakë: “Në i ardhtë randë Xhavid Pashës le të më thërrasë në dyluftim. Jam gati ta qa” . Mufid Libohova rezulton një deputet flakadan dhe shumë trim kundër qëndrimeve denigruese apo tallëse të parlamentarëve shqiptarë. Në një rast, kur ndërhyri me tallje përfaqësuesi i Bagdatit, Ismail Hakiu, ndaj mendimtarit e atdhetarit Nexhip Draga, flakë për flakë iu kthye Mufid Beu: “…Më vjen keq se luan në nji kohë kur asht dyke u derdhun kaq gjak…!”
Mufid Libohova, ka nxitur kryetarin e dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes, në Paris, Imzot Luigj Bumçin të takonte Papa Benediktin XV, për problemin e Korçës e Gjirokastrës. Këtu Bumçi, duke krahasuar Mufidin me pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar, e cilëson Libohovën “ndër ta ma i xeti e ma i pari, i ndjeri z. Myfid Libohova” m’u lutën të bëja një sakrifice për atdheun, pra për të pasur një audiencë, që t’i parashtrohej shqetësimi dhe t’i kërkohej ndihmë për bashkimin e këtyre dy krahinave me Shqipërinë .
Në Shqipëri, ai ishte patjetër njëri ndër udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare. Si biri i një dere të madhe historike dhe të pasur, ai kishte të gjithë përparësitë, por edhe të gjitha mendësitë, të cilat duhet të ketë një pinjoll i një fisi të lashtë, veçanërisht të shquar për t’u pëlqyer në Shqipëri. Me gjithë arsimimin e lartë të tij, me gjithë mënyrën e tij autoritare evropiane-shqiptare, të jetës, në mendësinë e tij ai kishte ruajtur tipare që zbulonin në mënyrë të padiskutueshme prejardhjen e mirëfilltë të aristokracisë së vjetër shqiptare.
Ai ishte i gjallë, gazmor, shumë i kulturuar por pastaj befas mund të bëhej i thjeshtë i vrazhdë, popullor. Kontrastet që e dallojnë karakterin e shqiptarit, dilnin tek ai veçanërisht të qarta. Më miqtë ishte besnik, bujar dhe i dashur dhe i fjalës, me armiqtë kundërshtar i papajtueshëm, por fisnik dhe i çiltër .
Ai ishte i pajisur me një karakter të fortë dhe me një guxim fizik dhe moral të jashtëzakonshëm. Ishte njeri që mbante marrëdhënie miqësore edhe me njerëzit e thjeshtë dhe sillej si një mik i vërtetë me ata që ishin të tillë. Veçanërisht në Turqi, ai ishte i njohur si burrë shteti shqiptar, si shkrimtar dhe historian serioz i historisë së perandorisë osmane. Shumë diplomatë të huaj, që kanë pasur njohje personale me Mufid beun, midis të tjerëve ambasadorët, Sola, Quaroni, Jakomoni etj., kanë shkruar kujtime për personalitetin e tij. Mufid Libohovën e ka kujtuar në shkrimet e tij edhe kryeministri grek, Venizelos, të cilin ai e kishte mik.
Familja e Mufid Libohovës
Në moshën 20 vjeçare u bë baba. Mufidi ka pasur dy djem. I pari, Malik beu, lindur në Stamboll më 1896 dhe që vdiq në mërgim në Romë, në vitin 1952 (martuar me Sheref Hanëm Giritli Zade, vajza e Ibrahim pashës dhe mbesa e Mustafa pashës, 5 herë sadrazem dhe kryeministër në perandorinë osmane, i cili ka qenë diplomat, ministër fuqiplotë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë me shumë dinjitet dhe zotësi në shumë kryeqytete evropiane, Paris, Londër, Romë, Gjenevë, etj). Dy djem binjakë të Malik beut, Arsllan dhe Kapllan beu, sa lindën, i mori dhe i rriti gjysh Mufidi, si djemtë e tij, deri sa vdiq, kur ata ishin në moshën 10 vjeçare.
Djali i dytë i Mufid beut ka qenë Elmaz beu, i cili u lind në Libohovë, nga e shoqja e dytë e Mufid beut, Olga Scheitzer, një zonjë e shquar dhe bujare nga Danimarka.
Mufid bej Libohova ka pasur edhe tre vëllezër e një motër më të rinj: Sedat beu, kolonel akademist i Shtatmadhorisë, vrarë pabesisht nga një kapiten çerkez, në vitin 1906, në Selanik; Ajet beu, diplomat, jurist, historian, i cili vdiq, në mërgim në Romë në vitin 1952; Eqrem beu, oficer epror akademist i Shtatmadhorisë, prefekt i Vlorës, komandant brigade në Çamëri në luftën ballkanike 1912, kryeadjutant i princ Wied-it, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Romë, Bruksel, Paris, ministër i Oborrit të Mbretit Zog, ministër i Punëve të Jashtme dhe së fundi kryeministër e ministër i Punëve të Brendshme, i cili vdiq në mërgim, në Romë në vitin 1948.
Pak kohë mbas kthimit të tij në Atdhe, Mufidi vdiq pa pritur në moshën 51-vjeçare në Sarandë, në shkurt të vitit 1927, mbasi i kushtoi më shumë sakrifica dhe rreziqe tërë jetën e tij çështjes kombëtare. U varros në Libohovë me nderime të posaçme dhe në praninë e një numri të madh njerëzish të ardhur nga shumë vise të Shqipërisë dhe nga jashtë vendit. Trupi i tij u kall në tyrben e oxhakut të tij pranë gjyshit Malik pashës dhe stërgjyshes Shanisha Hanëmi, e famshmja motra e Ali pashë Tepelenës dhe e shoqja e Ali pashë Libohovës.

Please follow and like us: