Albspirit

Media/News/Publishing

Pariukerja mbyll brenda ne dyqan tatimorin, që insistoi t’i bënte kontroll

Një parukiere 45-­vjeçare është gjobitur nga Gjykata e Tiranës për kundërshtimin që ka bërë ndaj dy punonjësve të Tatimeve, të cilët do të ushtronin kontroll në biznesin e saj.

Sipas Gjykatës së Tiranës, përveçse i ka ofenduar dhe u ka hedhur në rrugë dosjet e tyre, parukierja O. K. edhe ka kyçur në dyqan për disa çaste një prej tatimorëve.

E pandehura ka mohuar akuzën e ngritur prej saj, duke pretenduar se në të njëjtën ditë ishte kontrolluar disa herë nga tatimorët. Ajo ka pohuar se në momentin e ngjarjes po nxitonte për te vajza e saj e sëmurë, shkruan Panorama.

Në vendimin e shpallur pak ditë më parë, e pandehura O. K. është deklaruar fajtore për akuzën “kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe është dënuar me 60 mijë lekë gjobë.

Referuar vendimit të arsyetuar, rezulton se dy tatimorët K. D. dhe G. M. kanë shkuar për kontroll në lokalin e 45-­ vjeçares rreth orës 19:00 të 23 shtatorit 2015. Lokali në fjalë, që shërbente si floktore, ka qenë në një prej rrugëve pranë qendrës së Tiranës.

Pasi i kanë bërë me dije kësaj të fundit se çfarë përfaqësonin dhe qëllimin e kontrollit, si dhe i kanë paraqitur asaj dokumentet e identifikimit, që tregonin se ata ishin punonjës të Tatimeve, rezulton se e pandehura ka reaguar në mënyrë agresive, duke u thënë atyre edhe fjalë fyese si “ndyrësira” etj.

Dokumentet që ishin lënë prej inspektorëve në tavolinën e ambientit të biznesit, e pandehura i ka marrë dhe hedhur jashtë lokalit dhe më pas ka shtyrë edhe inspektorin K. D. për ta nxjerrë jashtë tij.

“Në vijim rezulton se shtetasja G. M. ka dalë jashtë lokalit për të mbledhur dokumentet e hedhura jashtë tij nga ana e të pandehurës. Në këtë moment e pandehura ka mbyllur me çelës derën e parukerisë, duke lënë brenda lokalit edhe inspektorin tatimor K. D. Pas këtij veprimi e pandehura ka mbyllur edhe dritën e lokalit. Gjatë gjithë kohës e pandehura ka vazhduar të përdorë fjalë fyese në adresë të inspektorëve tatimorë.

Në lidhje me këtë ngjarje, janë njoftuar nga ana e inspektorëve tatimorë shërbimet e policisë dhe eprori i tyre. Në momentin kur kanë ardhur punonjësit e policisë në lokalin në fjalë, ata kanë gjetur të mbyllur brenda në lokal shtetasin K. D. Në vijim, punonjësit e policisë kanë shoqëruar për në komisariat të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje”, rrëfehej ngjarja në vendimin e gjykatës.

Përmes mbrojtësit të saj në gjykim, e pandehura ka pretenduar se dy personat që i janë prezantuar vetëm verbalisht, pa dokument kontrolli, kanë mbërritur në lokalin e saj kur ishte gati duke e mbyllur atë. Sipas avokatit, ky inspektor nuk i ka paraqitur të pandehurës asnjë dokument apo urdhër kontrolli. Dhe ka sqaruar faktin se, në të njëjtën datë, asaj i kishin ardhur disa grupe kontrolli në lokalin e shërbimit të saj.

Dhe, duke iu referuar edhe orës së vonë, si dhe faktit se kishte vajzën sëmurë, ajo i ka kërkuar që të dilte nga lokali dhe të vinte të nesërmen për kontroll. Sipas mbrojtësit, fill pas kësaj bisede, inspektori i Tatimeve K. D. ka reaguar menjëherë dhe nuk e ka lënë të pandehurën që të mbyllte lokalin, por ka kërkuar me doemos kryerjen e kontrollit

Please follow and like us: