Policia shpall në kërkim Balilin pas arratisjes nga vendi
Kelmend Balili më në fund është shpallur në kërkim nga Shqipëria dhe emri i tij është përfshirë në listën e të kërkuarve.
Një fakt i tillë është konfirmuar nga burime të Policisë së Shtetit, që thanë se emri Balilit, është në listën e personave të kërkuar në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend.
Ndërkaq nga kontrollet e kryera në sistemin e Policisë Kufitare TIMS, rezulton që Balili nuk ka dalë nga Shqipëria dhe rezulton të jetë në vend. Por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar me pasaportë false, apo nga kufiri i gjelbër.
Po ashtu të gjithë komisariatet dhe njësitë policore kanë të dhënat e tij si person në kërkim nga ana e policisë. Ndërkaq edhe pse nuk specifikohet natyra e kërkimit ndaj tij, burimet thonë se bëhet fjalë për kërkim policor ndaj Balilit.
Po ashtu edhe aktet hetimore të administruara nuk janë shkëmbyer apo nuk janë përkthyer, me qëllim që ato t’iu dërgoheshin organeve shqiptare të ndjekjes penale si policia apo prokuroria.
Kelmend Balili 45-vjeçar, nga fshati Stjar i Delvinës, ish-drejtor i Shërbimit të Transportit Rrugor të Sarandës, është identifikuar si një nga krerët e grupit të trafikut të drogës, së goditur nga policia greke ajo shqiptare në një operacion të drejtuar nga DEA amerikane dhe Europol.
Burimet thonë se në çdo rast nëse do të identifikohet një tentativë e mundshme e kalimit të kufirit nga ana a Balilit, ai do të ndalohet me qëllim për t’u marrë në pyetje.
Po kështu burimet thonë se janë lënë detyra policisë vendore me qëllim identifikimin e mundshëm të vendndodhjes së tij me qëllim ndalimin dhe marrjen në pyetje.