Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma në drejtësi si kalë troje

Nga Fatjon NANAJ: Reforma në drejtësi si kalë troje

fatjon-nanaj-347x233-1-1-1

Në vitin 2009, kryeministri i asokohshëm, Sali Berisha, lëshoi një deklaratë që shkaktoi habi, por edhe zemëratë, në segmente të gjera të shoqërisë. Në mbështetje të një drafti ligjor mbi mosdiskriminimin, të propozuar nga qeveria, dhe që parashihte formalizimin ligjor të martesave mes të njëjtës gjini, ai do të thoshte: “Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe me probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore, dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane.”

Një sipërmarrje që në kushte normale do të konsiderohej si lajthitje, veçanërisht sepse buronte nga një parti e djathtë dhe konservatore, që supozohet të jetë flamurtare e familjes tradicionale. Argumenti i përdorur me të njëjtin stil majmunesk dhe të shpëlarë që na valëvitet pa pushim gjatë viteve të tranzicionit risillte në vëmendje standardin evropian. Bindja se lejimi i martesave të tilla do të na afronte më shumë me Evropën mbizotëroi edhe në ligjërimin e kryeministrit. Një marrëzi më vete kjo, pasi gjithmonë nxitojmë t’i ngjasojmë Evropës dhe qytetërimit perëndimor vetëm në fenomene degjeneruese, që mund të konsiderohen si nënprodukte të këtij qytetërimi, ndërkohë që injorojmë shtyllat mbi të cilat ai është ngritur dhe funksionon.

Zemëratës së përligjur shoqërore iu bashkuan edhe komunitetet fetare, që në një letër publike i kërkuan qeverisë të tërhiqej nga kjo nismë. Por përtej reaksionit të shkaktuar, kalimi i nismës qeveritare haste edhe në një problem juridik, në dukje thjesht teknik, por të pakapërcyeshëm. Drafti i propozuar, që mendohej të ligjëronte martesat mes së njëjtës gjini, do të kalonte si një ligj i thjeshtë në parlament. Mirëpo përmbajtja e tij binte në kundërshtim me një tjetër ligj, që qëndronte më lart në hierarkinë e akteve juridikë të sistemit tonë ligjor, pikërisht me Kodin e Familjes, që e përkufizon martesën si lidhjen mes një mashkulli dhe një femre. Pa ndryshimin e Kodit të Familjes, miratimi i këtij ligji ishte i pamundur. Dhe për këtë nevojiteshin 84 vota, të cilat qeveria, e përballur dhe me kundërshtimin e aleatëve, nuk mund t’i siguronte. Në të gjitha diskutimet politike, por edhe juridike, të realizuara mes konstitucionalistëve, në asnjë çast Kushtetuta nuk u konsiderua si pengesë për miratimin e një ligji të tillë, apo për ndryshimin e Kodit të Familjes. Arsyet për këtë janë të qarta. Edhe pse Kushtetuta nuk shprehet specifikisht mbi ndalimin e diskriminimit për shkak të orientimit seksual, interpretimi i parimit të mosdiskriminimit në tërësi dhe i frymës së Kushtetutës ishte i tillë që përfshinte edhe ndalimin e diskriminimit për shkak të orientimit seksual. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë ligji i miratuar mbi mosdiskriminimin, që parashikon ndalimin e diskriminimit për shkak të orientimit seksual, do të vinte në kundërshtim me Kushtetutën.

Po ashtu rikujtojmë që në vitin 2013 edhe Avokati i Popullit kërkoi legalizimin e martesave të tilla. Sërish pengesa e vetme ligjore ishte përkufizimi që Kodi i Familjes i bënte martesës, ndërkohë që Kushtetuta nuk u përmend si pengesë, dhe as që pati një debat mbi nevojën që ajo të amendohej.

Kjo kronologji shërben për të na sjellë në debatin e lindur rishtazi mbi reformën në drejtësi, ku ndër të tjera parashikohet edhe amendimi i nenit 18 të Kushtetutës mbi mosdiskriminimin, duke shtuar togfjalëshin “orientim seksual”, i cili aktualisht gjendet i shprehur në ligjin kundër diskriminimit, të miratuar në vitin 2009. Teza e parashtruar përpiqet ta veshë reformën në drejtësi me një petk konspiracioni, në shërbim të miratimit të ndryshimeve që i hapin rrugën martesave mes të njëjtës gjini. Pra, e gjithë paketa e ndryshimeve kushtetuese që prekin institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë po reduktohet në një kalë troje në shërbim të interesave të një grupimi me peshë shoqërore të papërfillshme, pavarësisht mbështetjes së fuqishme që i ofrohet nga ambasada dhe organizma të huaj.

Në këtë rast, edhe pse shqetësimi është plotësisht i përligjur, dhe vigjilenca në mbrojtje të familjes nuk është kurrë e tepërt, serioziteti i çështjes imponon përdorimin e argumenteve të sakta, që nuk u shërbejnë agjendave të caktuara politike, pasi familja, si bërthama e shoqërisë, nuk mund të vihet në shërbim të interesave të ngushta dhe cinike. Aq më tepër kur shigjetohen edhe institucionet fetare apo drejtuesit fetarë në vend, duke i vizatuar si pjesëmarrës të heshtur të këtij konspiracioni. Ndërkohë që përvoja e vitit 2009 tregon se këto institucione kanë reaguar fuqimisht kundër një nisme të tillë zyrtare. Frikërat, fobitë, hamendësimet apo keqpërdorimet e kujtdo qoftë nuk mund të shërbejnë si arsyetim që institucione të tilla të investohen në sipërmarrje që mund të luhatin seriozitetin e tyre.

Pohimi se ndryshimet kushtetuese u hapin rrugën martesave të tilla është juridikisht i gabuar, pasi Kushtetuta, siç është e shkruar sot, nuk përbën asnjë pengesë për ndryshimin e përkufizimit të martesës në Kodin e Familjes.

Për më tepër që ndryshimet për një çështje me ndjeshmëri kaq të lartë sociale, sado jotransparente dhe skuthe të jetë qeveria jonë, nuk mund të bëhen përmes intrigash dhe konspiracionesh, pa u debatuar publikisht, pasi kostoja politike do të ishte e lartë. Dhe në këtë pikë, partia kryesore e mazhorancës, nisur nga interesa pragmatiste, ka qenë e aftë ta lexojë qartë vokacionin popullor, njëherë duke kundërshtuar draftin e vitit 2009 dhe më pas duke mos deklaruar një qëndrim zyrtar për këtë çështje.

Por legalizimi i martesave të tilla mendoj se nuk përbën as interes të qenësishëm të pjesëtarëve të komunitetit LGBT, pavarësisht kakarisjeve të tyre për diskriminimin ligjor që u bëhet. Interesi i tyre qëndron në të shndërruarit në objekt permanent të debatit publik, në përqendrimin e vëmendjes shoqërore tek ta, dhe alibia më e mirë për ta arritur këtë është përmes viktimizimit, ndërkohë që për nga pesha sociale që përfaqësojnë nuk do të meritonin as edhe një rresht të këtij artikulli.

Inkuadrimi i debatit mbi martesat mes së njëjtës gjini përkrah reformës në drejtësi, pavarësisht dyshimeve dhe pikëpyetjeve të shumta mbi këtë reformë, është i pavend. Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri e përkrahur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, njësoj si ruajtja e familjes me nënë e me babë, prandaj ndërthurja e këtyre dy diskutimeve duket sikur i vë shqiptarët përpara zgjedhjes së pamundur: o njërën, o tjetrën!

Lufta në mbrojtje të familjes nuk është thjesht çështje ligjore, pasi edhe pa u legalizuar martesat mes së njëjtës gjini familja shqiptare ka marrë goxha goditje të rënda. Prandaj, asnjë grimcë energjie nuk duhet lejuar të humbasë në anatemime dhe në argumentime të pabaza, veçanërisht kur bëhet fjalë për familjen

Please follow and like us: