SINAGOGA E SARANDËS
Nga Laert Mezani
Saranda e sotme, (që e ka origjinën nga Hagioi Saranda – manastiri i Dyzet Shenjtorëve, ndërtuar në shek. VI në majë të malit që ngrihet mbi qytet), është një nga portet bregdetar të Epirit të Vjetër, në ekstremin jugor të Shqipërisë, përball ishullit të Korfuzit, dhe 20 km nga Butrinti. Njohja e urbanizmit të saj si dhe studimi konkret i monumenteve, paraqet vështirësi, fenomen ky që ndodh në pjesën më të madhe të qendrave ku qyteti modern zëvendëson atë antik. Mbetjet e konsiderueshme të një kompleksi sinagoge, të shek. V e VI në qendër të qytetit, ishin objekt i studimit dhe gërmimit arkeologjik të kryer gjatë vitit 2003.130 Bazilika paleokristiane, e gërmuar gjatë disa sezoneve arkeologjike, rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë nga Kosta Lako përbën fazën përfundimtare të transformimit të kompleksit të kultit hebraik në ndërtesë të kultit kristian. Ndërkohë, kompleksi i sinagogës, brenda dhe krejtësisht pranë murit rrethues, rezultoi si një “skenë” e disa ndryshimeve, ku në fazën e saj të fundit u transformua në kishë. Interesi ynë më i madh, këtë vit u përqendrua, kryesisht në dy dysheme me mozaikë, njëra që mbart një shandan shtatë-krahës menorah dhe e dyta, ajo që mbulon pjesërisht nefet e bazilikës (e cila u ndërtua këtu gjatë historisë së kësaj qendre, mesa duket për të funksionuar si sinagogë). Shandani shtatë krahës, menorah, i përkiste një “tapeti” (kryesisht të zbukuruar me motive gjeometrike dhe florale). Ai përfshinte gjithashtu një etrog (qitro, pa shije por me aromë) së bashku me një shofar (bririn e dashit) — që të dy, janë simbole të rëndësishëm hebraikë që shoqërojnë zakonisht (menora-në dhe janë përdorur gjatë atë festave fetare.
Gjatë gërmimit prej dy javësh në Sarandë, u eksplorua gjysma e dhomës me menorah, e cila ishte e mbuluar nga një strukturë bashkëkohore. Gërmimi, ishte vazhdim i atij të kryer gjatë viteve 80-90. U arrit të zbulohej, një dhomë e gjatë 10 m, megjithëse muri verior i së cilës është i një faze më të vonë, çfarë tregon se ende s’kemi arritur në limitin verior të fazës së parë të saj. Dhoma ishte e gjerë 5 m, pasi në origjinë kish qenë pak më e gjerë dhe mesa duket me një plan të ndryshëm nga ai më i vonëshmi. Në origjinën e saj, dhoma duhet të ketë patur formë L-je. Gjurmët e murit më të hershëm në anën lindore, si dhe dyshemeja me mozaikë që futet nën murin lindor, ndarës të dhomës nga rezervuari i mëvonshëm i ujit A, dëshmojnë këtë fakt. Edhe sondazhi i kryer në korridorin ndërmjet dy rezervuarve të ujit dhe ambienteve në veri, dëshmoi po të njëjtën gjë. Murit i bashkëngjitej një sistem kanalizimi që kalonte përgjatë dhomës me menorah dhe dilte në oborrin e shtruar me pllaka guri.
Gërmimi i rregullt që u krye gjatë këtij sezoni të parë (megjithëse në gjysmën e dhomës), dëshmoi se ajo ishte e shtruar e gjitha me mozaikë, përveç një pjese në hyrjen e mëvonshme të anës veriore. Kështu u zbulua muri verior i saj por që i përket një faze të dytë. Po të kësaj faze janë dhe pilastrat e mbështetura në murin perëndimor. Hyrja në anën veriperëndimore, i përket fazës së parë ndërkohë që shkallarja duket si e ribërë. Dyshemeja ishte e mbuluar nga një shtresë e dendur djegie në të cilën u gjet material i bollshëm arkeologjik, qeramikë (amfora importi, enë kuzhine dhe tryeze të shek. IV – VI). Ndërtesa është shkatërruar nga një zjarr i fuqishëm në çerekun e fundit të shek. VI pasi ndër monedhat e gjetura mbi dysheme, një gjysmë- folis i Justinit II shërben si tenninus post quem. Sipas studiuesve ajo është një prerje e Selanikut në vitin e IV të sundimit të Justinit II (565-578) dhe ka qëndruar në qarkullim për një periudhë të shkurtër prej dhjetë vjetësh. Kështu shkatërrimi vendoset rreth 580-ës dhe ndodh në të gjithë kompleksin dhe në përgjithësi në të gjithë qytetin.
Sondazhet e shumta të kryera, në zona të ndryshme të nefit qendror, si dhe midis kolonave ndarëse të anijatës qendrore nga ajo veriore na dhanë mundësinë të ndërtojmë një histori më të detajuar të monumentit. Në stadin aktual të njohjes dhe gërmimeve, “çelësi” i fazave kronologjike të monumentit, mbeten dyshemetë me mozaikë. Të paktën tre faza dyshemesh me mozaikë, janë identifikuar para realizimit të dyshemesë së bazilikës. Faza më e hershme prezantohet nga dyshemeja me mozaikë në panelin qendror të së cilës paraqiten në pozicion heraldik, dy “luanë” deti. Stili i mozaikëve përkon me atë tipik romak dhe mund ti vishet dyshemesë së një vile. Dyshemeja në vazhdim (më e vonë se e para) paraqet një dekor krejtësisht metrik dhe përmbledh motive të realizuar me shumë kujdes dhe elegancë. Ajo ndodhet pjesërisht dhe në nefin verior. Të dyja dyshemetë ndodhen në dy anë të ndryshme (veri dhe lindje) të të njëjtit oborr të krijuar para bazilikës.
Studiuesi Kosta Lako gjatë gërmimeve të kaluara ka ndeshur të njëjtën situatë në nefin qendror dhe në gjithë gjatë ambientet e gërmuara. Kështu mbi bazën e monedhave të gjetura në shtresën e djegies së nefit qendror jepet pak a shumë e njëjta periudhë, çereku i fundit i shek. VI. Një situatë e ngjashme është ndeshur dhe në monumente të tjera të gërmuara në qytet, si p.sh. pranë mureve të kalasë. Skena të veçanta të mozaikëve, janë përshkruar në artikullin e zgjeruar mbi bazilikën e Sarandës. Funksioni i ndërtesës, e pajisur me këtë dysheme mozaikësh, mbetet hipotetik. Një sternë u gjet e bashkëngjitur anës lindore të kësaj dyshemeje, direkt nën dyshemenë me mozaikë (paneli i anës lindore të së cilit është shkulur nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 90 dhe ruhet në Muzeun Arkeologjik të Sarandës). Muri lindor i saj kufizohej nga shkëmbi natyror dhe anët e brendshme ishin veshur me suva hidroizoluese.
Dyshemeja e tretë përfaqësohet nga një mozaik më i vonë, duke veshur një ambient pak më të madh, i cili zë gati gjysmën perëndimore të nefit qendror. Nuk e dimë se si vazhdohet drejt nefit jugor, pasi ai është krejtësisht nën rrugën automobilistike (akoma i pagërmuar). Mozaiku është i punuar jo me shumë kujdes dhe i realizuar krejtësisht me motive eometrike.
Motivet, ngjyrat dhe teknika e punimit janë të njëjta me mozaikun e dyshemesë së dhomës me menorah. Të dy dyshemetë, duhet të jenë realizuar në të njëjtën kohë. Në ndërtimet-ambiente që i përkasin fazave më të hershme se sa ndërtimi i bazilikës, hyn dhe rezervuari i ujit, i shënuar B në plan, i cili është i futur pjesërisht në tokë dhe duhet të jetë bashkëkohor ose me krijimin e mozaikut të fazës së dytë ose me atë të fazës së tretë. Mesa duket bëhet fjalë për rezervuar ritual, mikva’ot, të fesë hebraike.
Sondazhet dhe pastrimet e kryera në ambientet e tjera, dy nga të cilët ndodhen përball hyrjes së bazilikës, në anën perëndimore të oborrit, vërtetuan se keto janë të lidhura me kompleksin parabazilikal. Veç shkëmbit natyror, ato nuk dhanë dysheme. Sondazhe u kryen edhe në ambientin në lindje të dhomës me menorah. Duke i përmbledhur ambientet që i përkasin sinagogës më të hershme, ato janë dhoma në formë L-je me menorah në dysheme, rezervuari i ujit (B), pjesa e bashkëngjitur në lindje të dhomës me menorah, dy ambientet në perëndim të oborrit dhe oborri vetë, si dhe ambienti më i madh me mozaik më pak të përpunuar që zë gjysmën perëndimore të nefit qendror. Në një fazë tjetër, mesa duket po nga i njëjti komunitet që përdorte këto ambiente, vendoset të ndërtohet një sallë lutje shumë më e madhe dhe e dekoruar me simbole biblike. Ndërtesa e re mori formën bazilikale me një holl qendror të konsiderueshëm, me një gjerësi prej 8 m dhe anijatat anësore (veriorja) prej 4 m. Të dhënat e deritanishme nga gërmimi, kryesisht sondazhet ndërmjet anijatave, treguan se që në origjinë hapësirat midis pilastrave të nefit qendror dhe atyre anësor, kanë qenë të mbyllura duke bërë që ndërtesa të funksionojë në tre salla të ndara.
Zgjedhja duhet te jetë bërë për arsye ekonomike, pasi për të riveshur sipërfaqen me mozaikë ishte një shpenzim shumë i madh, kështu që para se të mbarohej ndërtimi i ambientit azilikal, hapësirat midis anijatave janë mbyllur dhe ndërkohë është shfrytëzuar mozaiku më i hershëm si dysheme e anijatës veriore. A mund të jetë lënë edhe bimah (vend i ngritur në sinagogë, ku lexohej Torah) që zë gati 40% të sipërfaqes së nefit qendror, e pashtruar me mozaikë për të njëjtën arsye? Sondazhet e kryera në gjysmën jug-perëndimore të saj, si dhe në anën veriore të apsidës së mëvonshme, vërtetuan se ajo s’kish qenë e shtruar me mozaikë dhe se origjina datonte që në fazën kur godina shërbente si sinagogë.
Mozaikët
Sipas arkeologes Etleva Nallbani, ka qenë pikërisht simbolika e skenave me mozaikë që shtrojnë pjesë të ndryshme të kompleksit, e cila çoi drejt mendimit të ekzistencës së një sinagoge, në një periudhe më të hershme se sa ndërtesa kristiane. Megjithë mendimin e hedhur mbi konvertimin e ndërtesës së kultit hebraik në atë kristian, shumë të dhëna sqaruese u përftuan gjatë gërmimit të realizuar atë periudhës dy javore shtator – tetor 2003. Ne do të japim në mënyrë të përmbledhur disa nga skenat me mozaikë, pasi të dhëna të tjera pas studimit të thelluar do të sqarojnë më mirë ikonografinë në të ardhmen. Kështu, elementët më domethënës në simbolikën hebraike, janë shandani shtatë krahësh nienorah. Në vend të bashkësisë, shofar, (briri i dashit, që përdoret gjatë disa festave fetare), etrog (qitro), lulav (dega e palmës) dhe një kaci hiri, në rastin e sallës së lutjes së sinagogës së Sarandës, ai është i rrethuar vetëm nga një etrog në të djathtë dhe një shofar (i fragmentuar) në të majtë. Të gjitha këto elemente, simbole hebraike, shfaqen në përgjithësi në kontekst sinagogash, duke filluar nga Antikiteti i vonë. Duke filluar nga shek IV dhe gjatë periudhës së hershme bizantine, simbolet hebraike shfaqen rregullisht,138 në ndërtesat e kultit.
Një pjesë e kuadratit në të cilin është integruar menorah, është i dëmtuar, duke mos mundur të kuptojmë nëse shandani ishte i rrethuar nga elementë të tjerë. Menorah është e realizuar me linja të thjeshta, duke mbartur mbi çdo hark të saj llampa qeramike. Në krah të djathtë është paraqitur një vazo me një bimë me gjethe dhe më lart sa j një shpend. Kuadrati me menorah ka sfond të bardhë, ndërkohë që është i integruar në një panel luspash peshku. Pjesa tjetër e dyshemesë është e mbushur me motive gjeometrike dhe florale. Ndërsa në ndërtimin e formës bazilikale, simbolet më të spikatura janë paraqitja e Harkut të Unitetit, aron hakodesh (tre herë në nefin qendror), sikurse dhe një rreth që rrethon tetë rreze, të cilat dalin nga një sferë qendrore. Ky i fundit mund të paraqesë fare mirë simbolikën e diellit, Sol Invictus, i cili pas shekujve të parë të erës sonë fitoi një popullaritet të madh duke arritur kulmin nën Aurelianin (270 – 275). Në Antikitetin e vonë, Helios, zinte një vend të rëndësishëm të paraqitur në forma nga më të ndryshmet. Edhe në dyshemetë e sinagogave, ai është një simbol që gjen shtrirje të konsiderueshme. Kështu në mozaikun e sinagogës së Sepphoris, Hammath-Tiberias, apo të Beth Alpha, ai është i paraqitur në figurë njerëzore dhe i hipur në një karrocë me katër kuaj (quadriga). Paraqitjen më të ngjashme me atë të sinagogës së Sarandës, e gjejmë në mozaikun e dyshemesë së sinagogës në Naro (Hammam Lif) në Tunizi.
Një sërë panelesh të tjera mozakësh, në dyshemenë e sinagogës së Sarandës janë në proces rindërtimi dhe studimi ikonografik dhe është akoma herët të prononcohemi për domethënien e tyre.
Arkitektura
Bonifikimi me ujë, që në besimin hebre prezantohet si një karakteristikë rituale, mund të jetë bërë në rezervuarin e ujit të shënuar me shkronjën B në plan. Kjo korrespondon me fazën kur dhoma me menorah funksiononte akoma në formë L-je. Ndërkohë që më vonë është ndërtuar dhe një tjetër (duke i ndryshuar kështu edhe planin dhomës me menorah), e shënuar me germën A në plan. Të dyja këto mund të kenë shërbyer për këtë qëllim, pra si mikva’ot. Për momentin kjo mbetet akoma një hipotezë e hedhur me shumë kujdes, duke shpresuar që gërmimet e ardhshme do të mund ta sqarojnë përfundimisht, ashtu sikurse dhe funksionin e një sërë ambientesh që ndodhen në veri të kompleksit, në anën lindore të dhomës me menorah.
Struktura apo rregullime më të vona
Disa nga panelet me mozaikë të nefit qendror (gati 40% e sipërfaqes), janë zëvendësuar nga panele me paraqitje ikonografi të re, gjatë kthimit të ndërtesës në kishë. Komuniteti që përdorte kompleksin ose është konvertuar në fenë kristiane, ose një komunitet tjetër kristian i ka zënë vendin atij hebraik. E rëndësishme është të shënohet se nuk janë vënë re shenja të ndryshimeve të dhunshme.
Janë dy elementë të dukshëm të periudhës së përdorimit të ndërtesës si kishë. Një panel me mozaikë që mbart dy mbishkrime. Sipas Kosta Kalos, njëri i organizuar në pesë radhë dhe i paraprirë nga një kryq me karakter dedikimi, si dhe një tjetër në fund të panelit në dy fjalë të organizuara në dy rreshta por që janë në gjendje të dëmtuat dhe s’mund t’i lexojmë. Të kësaj faze janë dhe disa rregullime brenda dhe jashtë kishës, të gjitha strukturat në ngjyrë gri të planit. Në periudhën e përdorimit si kishë është vendosur dhe një pllakë ikonostasi e gdhendur në njërën faqe me kryq me krahë të zgjeruar, ripërdorur ‘në bazamentin e sintrononil. Mbi bazën e material të përftuar gjatë gërmimit dhe sondazheve, sikurse dhe nga analiza e mozaikut kompleksi hebraik duke filluar që nga faza e parë, kur dhoma me menorah përbënte vendin e lutjes dhe duke vazhduar me ndërtimin e bazilikës dhe konvertimin e saj në kishë, ka qenë në funksion për një periudhë prej 100 deri 200 vjetësh. Duket se i gjithë kompleksi është shkatërruar nga një zjarr i fuqishëm, i lidhur ky me sulmet e sllavëve gjatë ardhjes në Peleponez në çerekun e fundit të shek. VI. Gërmime të rregullta parashikohen të realizohen në të ardhmen, për zbulimin dhe kuptimin e plotë të këtij kompleksi të rrallë për periudhën si dhe shumë të rëndësishëm, në kuptimin e organizimit të qendrës antike të Sarandës. Të dhënat e deritanishme parashikojnë vlera arkeologjike të rralla.
Studimi për sinagogën
Studimi dhe gërmimi i kompleksit sinagogë -bazilikë në Sarandë, u bë nga një bashkëpunim midis Instituti Arkeologjisë të Shqipërisë, Institutit Arkeologjik të Universitetit Hebraik të Jerusalemit dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës (Tiranë), financuar nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit. Ai u realizua në vazhdim të kërkesës së Institutit Arkeologjisë të Shqipërisë drejtuar Universitetit Hebraik të Jerusalemit. Projekti drejtohet nga Prof. Gideon Foerster, Prof. Ehud Netzer, Prof. As. Kosta Lako dhe Dr. Etleva Nallbani. Përveç autorëve, ekspedita u realizua dhe nga Agron Islami (specialist restaurator mozaikësh), Dr. Elvana Metalla, arkeologe, për ndjekjen e përgjithshme të gërmimit dhe trajtimin e materialit, si dhe bashkëpunëtorë nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit dhe arkeologë shqiptarë.
*Artikulli është pjesë nga studimi “Ndërtime të veçanta të arkitekturës kristiane në Sarandë dhe Gjirokastër”.