Albspirit

Media/News/Publishing

Tokio – ikona e lashtësisë moderne

Të vizitosh Tokion do të thotë të përjetosh energjinë e një prej qyteteve më të mëdha të botës, vendin e bumit teknologjik, të kullave të larta, rrokaqiejve, artit antik e pemëve të famshme të qershive Sakura.

Megapolisi më i madh japonez, është hapësira më e madhe urbane në botë, shtëpi e mbi 37 milionë banorëve. I rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore ai është një përzierje fascinuese me traditës së lashtë dhe modernitetit, shkruan Ilire Zajmi – Rugova, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Edhe pse në shikim të parë të lë përshtypjen e një qyteti ultramodern, Tokio ruan me fanatizëm lidhjet e fuqishme me të kaluarën. Artefaktet e vjetra nga Japonia e lashtë dhe vendet e tjera aziatike ruhen në Muzeun Kombëtar të Tokios, njëri ndër muzetë më të mëdha në botë. Muzeu ruan dhe përkujdeset për 87 thesare kombëtare japoneze dhe mbi 110.000 objekte të tjera të çmuara.

Në ethe të një modernizmi drithërues, teatri Kabukiza, në Tokio të kthen prapa në kohë, te një kulturë e lashtë japoneze, skenat dramatike teatrale të dashurisë, tradhtisë e hakmarrjes. Përveç lojës së kultivuar teatrale, aktorët që lozin në shfaqjet Kabuki përdorin grim të veçantë.

Dëshmi e vazhdimësisë së traditës është edhe Pallati i Perandorit, rezidencë zyrtare e perandorëve japonezë me shekuj. Me historinë e perandorëve lidhet edhe ndërrimi i emrit të qytetit, kur nga Kyoto kryeqyteti i atëhershëm i Japonisë u zhvendos në Edo, i cili u pagëzua me emrin e sotshëm Tokio. Me ndërtesat dhe kopshte që e rrethojnë ai ka një bukuri përrallore. Pallati hapet për vizitorë vetëm dy herë në vit, me rastin e urimit të Vitit të Ri Ippan Sanga, më 2 janar, dhe në datëlindjen e Perandorit, më 23 dhjetor

Please follow and like us: