Uashingtoni ngre disa cm stekën për Metën, kësaj here takime edhe në administratën amerikane
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vijon vizitën e tij të gjatë në SHBA duke shënuar një ngritje protokolli me atë të disa muajve më parë.
Kryetari i Kuvendit u prit kësaj here edhe në zyrat e administratës amerikane si në departamentin e Drejtësisë dhe atë departamentin e Shtetit, natyrisht nga zyrtarë të mesëm por shumë më mirë se mos të pritej fare.
LSI financon prej disa kohësh një kompani lobimi në SHBA e cila ka arritur të gjejë shtigje në Uashington përmes të cilëve të rehabilitojë sadopak profilin e Ilir Metës.
Në vizitën e mëparshme ai pati takime vetëm në Kongres dhe Senat ndërsa në fund të takimit zhvilloi një intervistë të vështirë për Zërin e Amerikës që i rrënoi frytet e pritshme të asaj vizite në opinionin publik shqiptar.
Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvilloi disa aktivitete me disa institute ‘think-tank’ prestigjioze si Qendra Woodrow Wilson, Qendra Truman për Çështjet e Sigurisë dhe me Fondacionin Heritage.
Gjatë këtyre aktiviteteve, Kryetari i Kuvendit Meta e njohu auditorin me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit, me efektet rajonale të krizës së refugjatëve dhe përgatitjet e Shqipërisë për një fluks eventual, si dhe diskutoi mbi axhendën politike në Shqipëri, me theks të veçantë tek reforma në drejtësi, si kyçe për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Meta shoqërohet në këto vizita me deputetin socialist Anastas Angjeli i cili ka ndikim në lobet greke në SHBA. Angjeli ishte edhe personi që ndihmoi në takimin e tij të parë dhe të vetëm në Shtëpinë e Bardhë kur Meta ishte kryeministër i qeverisë socialiste në vitin 2001.