Albspirit

Media/News/Publishing

Zbardhet gjyqi i Lef Nosit, momentet e tij të fundit

Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat Frashërit

Elefter Nosi u lind në Elbasan më 9 prill 1877. Mësimet e para i mori fillimisht në vendlindje e më pas shkoi në Athinë, për të përfunduar arsimin e mesëm dhe kryer arsimin e lartë, në “Farmaci”. Aty kreu vetëm 2 vjet shkollë, dhe, për shkaqe që nuk shpjegohen, u kthye në vendlindje, ku filloi të merrej me njohjen e kulturës shqiptare. Pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell punës për njohjen e gjerë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdhetar i tij, qenë shtysat që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt Lef Nosin objekt ndjekjeje për autoritetet osmane. Në 1902 shpëtoi pa u dënuar sepse nuk iu provua fajësia.
Më 1907, Lef Nosi, së bashku me Faik Konicën ideuan një projekt-program politik për shtetin e ri shqiptar, të cilin mundën ta shtypin në Londër. Lëvizja e tyre politike u quajt “Ana Kombëtare”, programi përmbante 24 pika, pikë së pari zgjidhnin monarkinë si forma qeverisëse për katër vilajetet e perandorisë osmane, Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës, në një shtet laik, etj. Elefteri pati korrespondencë të dendur me shume patriotë e burra të shquar të kombit, ndër të cilët ka qenë edhe Fan Noli. Në një letërkëmbim ndërmjet tyre kuptohet se Nosi, duke qenë në Londër, i ka bërë ftesë Noli që të shkonte në Elbasan, por Noli e konsideroi të pamundur për disa shkaqe.
Lef Nosi ishte një nga figurat qendrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit, në tetor 1909, si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend, më 1 dhjetor 1909. Në këtë kohë ai ishte mësues i shkollës shqipe të mbrëmjes. Gazeta “Liria” e Selanikut, ku ai ishte korrespondent që nga viti 1908, shkroi: “U hap një mësonjëtore nate dhe mësimi po ecën rregullisht. Mësimet e natës janë këto: mësim gjuhe, histori dhe shkronjë, letërkëmbim, e cila mësohet nga ana e z. Lef Nosi, Fot Papajani dhe Josif Haxhimima”.
Më 1909, ai u zgjodh kryetar i Klubit “Vllaznia” në Elbasan, në të njëjtin vit themeloi shoqërinë “Afërdita”, duke qenë edhe kryetar i saj. Kjo shoqëri krijoi edhe bandën muzikore të Elbasanit me emrin e shoqërisë në fjalë, çfarë ndikoi në gjallërimin e jetës qytetare. Nosi bashkëpunoi në shoqërinë e drejtuar prej tij me miqtë elbasanas, ndërmjet tyre kolegu i shkollës Fot Papajani, Petro Dodbiba, Hysen Ceka, Dhimitër Deliana, Myrteza Demeti, etj.
Një vit më vonë, më 1910, botoi gazetën “Tomorri”, duke pasur si bashkëpunëtorë atdhetarët Luigj Gurakuqi, Aleksadër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Josif Haxhimima, etj. Kjo gazetë, me shkrimet e saj u bë një orientim për çështjen e pavarësisë, madje u cilësua “fletore e nershme qi filloi në kërthizë të Shqipnis”. “Tomorri” doli vetëm në disa numra duke u mbyllur prej qeverisë osmane. Gazeta “Korça”, në përshëndetjen e saj për daljen e kësaj gazete, shkroi: “…bashkëqytetari ynë, atdhetari i Elbasanit, z. Lef Nosi sot mbushi një nga detyrat e tij, e cila kaq kohë rrinte në zemrën e tij e mbyllur; po nxjerr gazetën “Tomorri”, e cila sot për sot do të dali tri herë në muaj. Nga të thellët e zemrës i lutemi përparim e mbrothësi në mbushjen e programit të tij patriotik” . Edhe gazeta e drejtuar nga Mit’hat Frashëri, “Liria” e Selanikut, në përshëndetjen e saj shkroi: “…z. Lef Nosi, i cili ka punuar prej shumë kohësh me mundime e po punon pa prajtur për mbrothësinë e gjuhës shqipe e për përhapjen e ndjenjave kombëtare, një lule që ka kohë që e ka mbjellur në zemër të tij, e rriti me shpejtësi edhe sot ky burrë pati fatmirësinë me këtë lule; fletën “Tomorri”, të na gëzojë gjithë qytetin dhe mëmëdhenë tonë Shqipëri” .
Lef Nosi u bë i njohur për shkrimet e spikatura dhe artikujt e përkthyer nga shtypi evropian, ku fokusoheshin çështjet e aktualitetit dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi evropian bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital. Në paraditen e 7 gushtit 1910 kur ekspeditat ndëshkimore të Shefqet Durgut Pashës mblodhën armët, rrahën e vranë njerëz e dogjën fshatrat, kapën Lef Nosin, drejtorin e dëgjuar të gazetës “Tomorri” dhe mbyllen shkollën normale të Elbasanit. Katër ditë më vonë “patriotin veteran Lef Nosi, lidhur me zinxhir, prej Elbasani e dërguan në gjyqin ushtarak të Manastirit”, ku u dënua nga një gjykatë ushtarake dhe u internua në Bursë të Turqisë. Ndërhyrjet e patriotëve bënë që dënimi të kthehej me internim në Bursë të Turqisë, prej nga do të lirohej 9 muaj më vonë, për t’u gjendur përsëri në Elbasanin e tij në mesditën e 9 marsit 1911, pikërisht në momentet më të rëndësishme për kombin shqiptar.
Pas lirimit nga burgu u bë më atdhetar e më aktiv në përhapjen e gjuhës shqipe dhe rritjen e veprimtarisë patriotike. Ai shtoi bashkëpunimin me klubet atdhetare të kolonive shqiptare të Janinës, Stambollit, Manastirit, Bukureshtit dhe klube të tjera brenda trojeve amtare. Në vijim punoi dhe hartoi “Abetare për shkolla fillore meshkujsh e femrash”, të cilën e botoi në bashkëpunim me klubin e Manastirit.
Këto vite pati korrespondencë të vazhdueshme me Fan Nolin që i kërkonte mendim për hapjen e shkollës normale të Elbasanit në Zvicër, ku ishte gati të shkonte e të jepte mësim së bashku me Faik Konicën. Po kështu, ka pasur korrespondencë me Ismail Qemalin dhe Fuat Toptanin, të cilët e ftuan “të bashkohet me lëvizjen për pavarësinë e kombit shqiptar”. Nuk kishte mundësi që patrioti i ri të mos i përgjigjej pozitivisht plakut të urtë, ndaj në prill të vitit 1912, Lef Nosi porositi bashkëpunëtorët e tij për të siguruar materiale për administratën e shtetit të ri shqiptar që pritej të shpallte pavarësinë.  Gjatë vitit 1912, kur kryengritja shqiptare po zgjerohej, në cilësinë e kryetarit të “Klubi Shqiptar i Elbasanit”, Lef Nosi ndodhej në malet përreth Elbasanit dhe si përgjegjës për pothuajse gjithë këtë zonë, komunikonte me të të gjitha çetat me luftëtarë shqiptarë që qëndronin në këtë zonë.
Mori pjesë në mbledhjen që shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, duke qenë delegat i Elbasanit dhe ishte nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Sipas dokumenteve të botuara më vonë prej Lefterit, merret vesh se ai ishte zgjedhur delegat për në Vlorë nga populli. Delegatët “…nga ana e popullit të Elbasanit, u sgjodhën edhe u dërguan: Dervish be (Biçakçiu-H.L.), Shefqet Daiu, Lef Nosi, Midhat Frashëri” , ka njoftuar Aqif pasha.
Nga Vlora ka njoftuar Elbasanin: “Nesër në mëngjes Kongresi do të shpalli Independencën e Shqipniës edhe do t’i a u komunikojë Shteteve të Mëdha: do të formohet Qeverria e Përkohshme e do të zgjidhen pjesëtarët e sajë. Austria, Gjermania, Italia e Rumania janë zotua t’a njohin Qeverriën Shqiptare, si të shpallet Independenca. Edhe Anglia po këtë rrugë po ndjek. Nga lajmet e ardhuna këtu, merret vesht se në shumë qytete të Shqiniës asht shpallë Independenca…”. Nosi ka komunikuar me tone të ashpra me Ohrin , ku po vonohej ngritja e flamurit atje: “…na vjen keq qi ju pritni të shtyme prej këndei për ngritjen e flamurit. Ngrini-e sa më shpejt. Mbë nj’anë i dërgoni ushtriës serbe komision të posaçëm e me tjetër anë flamurin nuk e ngrini. Si bahet kjo punë?
Lef Nosi u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë në Kuvendin e Vlorës, në mbledhjen e Dytë, më 30 nëntor 1912. Në votimin e kuvendit për ministrat nuk fitoi që në raundin e parë, mbasi mori vetëm 20 vota, renditur i dhjeti, ndërsa në raundin e dytë mori 37 vota, duke u renditur i treti.
Nosi me Daklin iu bashkuan Luigj Gurakuqit e Mustafa Krujës, madje që në shpalljen e pavarësisë, dhe krijuan kuadrumviratin, thjesht prej gegësh, të cilët ushqyen teorinë se gegët duhet të sundojnë toskët .
Më 28 nëntor 1913, ditën e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, nga Vlora iu drejtua nëpunësve të zyrave “Postare e Telegrafike” të Beratit, Fierit, Lushnjës, Skraparit, Mollasit, Elbasanit, Qukësit, Starovës, Lezhës, Shëngjinit e Shkodrës: “Dita e sotme e indipendencës tonë kombëtare të cilën të huajt na e kishin grabitun që nga sot pesëqind vjet asht me e shenjta e ma e lumëta ditë për gjithë kombin shqiptar. Sot stërgjyshënit tonë qi derdhën gjakun pa kursim për të mos humbur atë, çojnë kryet nga varret edhe marrin pjesë në këtë kremtim të ngazëllyem, edhe vlleznit tonë qi mbetën ndën zgjedhën e anmiqëvet, kremtojnë me zemër bashkë me ne tyke pritur qi sot mot mot të jenë bashkuar me amën Shqipënië. Tyke i lutun Zotit qi të mbushi gjithë shpresat e dëshirët tona ju uroj mot gëzuar ditën e sotme”.
Nga ish-qeveritarët e përkohshëm në delegacionin prej 34 shqiptarëve, që morën pjesë në përmortjen e Franc Jozefit kanë qenë: Imzot Nikollë Kaçorri-përfaqësues i Durrësit; Lef Nosi-përfaqësues i Elbasanit, Hasan Prishtina përfaqësues i Durrësit. Po kështu, Elefteri ka qenë delegat i Elbasanit në grupin e shqiptarëve që shkuan në Nojvid, të mbreti (16 vetë), për të takuar princ Wied-in dhe uruar me rastin e caktimit të tij princ i Shqipërisë, ku ishte edhe ish-qeveritari tjetër i Vlorës, Hasan Prishtina, si përfaqësues i Durrësit .
Lef Nosi, më 1914 ka burgosur në Durrës, ndihmësin e tij, Xhemal Deliallisi, caktuar pranë tij nga qeveria e Vlorës. Ka qenë në delegacionin e Elbasanit që u caktuan për pritjen e princ Wied-it, kur erdhi në Durrës, në mars 1914. Pas largimit të princit dhe zhurmës që po krijonte Esad Toptani, ka shkuar në Shkodër më 1914, ku ishte edhe Aqif pashë Elbasani, për arsye të rrezikimit të jetës nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme por dhe nga represioni serb.
Më 26 shkurt 1918 ka nënshkruar dokumentin e protestës kundër Dr. Rizofit, ministër i Bullgarisë në Berlin, i cili në një libër që botoi shkaktoi trazim të madh për copëtimin e Shqipërisë. Ka qenë në Romë, më 1918, kur Italia kishte ftuar disa shqiptarë italofilë, si Mustafa Kruja me shokë, për të krijuar qeverinë proitaliane të Durrësit. Lef Nosi ka qenë një nga delegatët e Elbasanit, së bashku me Shefqet Vërlacin, në kongresin e Durrësit dhe ka propozuar një falënderim “për qeverrin italiane, për ndihmën qi asht tyke i bamë Shqipniës”. Lef Nosi, u zgjodh sekretar i kongresit, dhe u caktua delegat (ministër) i Ushqimit të Popullit dhe për Çështjet Ekonomike e Shoqërore.
Në vitet 1918-1919 Nosi ka qenë njëri ndër drejtuesit e të përkohshmes “Kopështi Letrar”, e cila botohej në Elbasan. Nosi ka qenë edhe në delegacionin shqiptar në konferencën e Paqes në Paris më 1919. I ndodhur jashtë vendit ka përshëndetur me telegram Kongresin e Lushnjës. Nga Parisi u kthye me Luigj Gurakuqin, Mehdi Frashërin e monsinjor Bumçin, kur dërgata shqiptare u nis të takonte Esad Toptanin. Mbërriti në Durrës më 14 maj 1920 dhe prej aty ka shkuar në Elbasan më 18 maj, së bashku me Mehdi Frashërin që kishte familjen te Dervish Biçakçiu.
Ka përkrahur Aqif pashën, së bashku me Ahmet Daklin gjatë gjithë kohës. Edhe më 1922, pas rrëzimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, kur Ahmet Zogu urdhëroi dëbimin në emigrim të pashës dhe shpërndarjen e fuqisë së tij të armatosur, Nosi i qëndroi përkrah, si këshilltarë i përhershëm i tij.
Në vitet 1921-1923 ka bashkëpunuar me miqtë e tij, në federatën “Atdheu”, ku bënin pjesë Ahmet Dakli, Avni Rustemi, Halim Xhelo, Karl Gurakuqi, Koço Grameno dhe kosovari Bedri Peja. Lef Nosi, me mikun e tij, Ahmet Daklin, kanë qenë në grupin politik “As i beut as i pashës”, të cilët dështuan në zgjedhjet e viti 1923, ngaqë grupi i Shefqet Vërlacit, i lidhur me Ahmet Zogun, prishi procesin zgjedhor. Sejfi Vllamasi ka shkruar se Zogu mori masa kriminale për të siguruar fitoren në zgjedhje, madje u vranë Jusuf Kazazi e Adem Gjinishi, ky ka qenë senator i Peqinit në kongresin e Lushnjës. Nosi pati kontribut edhe në kongresin e bashkimit të shoqërive patriotike, ku u zgjodh kryetar i kongresit.
Në vitin 1924, Lef Nosi ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen me 26 deputetët e opozitës, si përfaqësues i prefekturës së Elbasanit, mbledhje që u organizua pas varrimit të Avni Rustemit dhe kur situata në vend ishte shumë kritike. Ka mbështetur lëvizjen demokratike të qershorit 1924 dhe pas ardhjen në fuqi të Fan Nolit mori postin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, të cilin e mbajti deri më 24 dhjetor të atij viti, kur “hyri Legaliteti” dhe Ahmet Zogu filloi përndjekjen politike të kundërshtarëve të rij.
Më pas iu përkushtua gjurmimit të dokumenteve historike, materialeve folklorike, etnografike, botimeve me vlera albanologjike, u shqua si arkivist, folklorist, etnograf, arkeolog, etj. Dokumentin e Pavarësisë, pavarësisht mungesës së origjinalit, e kemi dhuratë nga Lef Nosi, studiuesi, intelektuali, politikani dhe atdhetari i shquar.
Lef Nosi është krijuesi i filatelisë shqiptare. Familjarët e të afërmit e Lef Nosit, saktësojnë se në drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”. Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar “British Muzeumit” 65 ekzemplarë të pullave postare, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre. Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz .
I dituri i vlerave dokumentare historike, Lef Nosi, arkivoi e ruajti si gjënë më të shtrenjtë dokumente të rralla postare, të cilat i botoi në fletoren “Dokumente historikë”, një thesar i vyer, botuar në 12 numra serial, në periudhën 1924-1925, në të cilat prezantohen në origjinal dokumente themelore të lidhura me ngjarje vendimtare të zhvillimeve në Shqipëri.
Më 1937 botoi një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912. Sipas Skënder Kosturit: “Ka qenë 25-vjetori i Pavarësisë, kur dajë Lefi, për të bërë të pamundur falsifikimin dhe manipulimin e dokumentit, e fotografoi dhe e shtypi në qindra kopje, duke ua dhuruar së pari familjarëve të nënshkrueseve. Falë këtij kontributi, jo vetëm u bë e mundur ruajtja e tij, i vetmi që kemi nga akti i Pavarësisë, por u shmangën e dështuan përpjekjet e sundimtarëve të ndryshëm për të shtuar si nënshkrues të afërm të tyre”.
Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i lëvizjes anti-komuniste Balli Kombëtar. Asambleja e vitit 1943, e mbledhur në Tiranë, rikrijoi Këshillin e Naltë të Regjencës, i cili do të luante rolin e kryetarit të shtetit, deri kur të zgjidhej forma e regjimit pas Lufte, sipas idesë së Këshillit të Naltë të dalë nga kongresi i Lushnjës i viti 1920. Me ligjin nr. 42, datë 22 tetor 1943, “Formimi, atributet dhe funksionimi i Këshillit të Naltë”, normohej se: “Askush n’mund të zgjidhet si mis i Këshillit të Naltë pa qenë shqiptar me racë e me gjuhë, pa qenë nënshtetas shqiptar, pa pasë mbushun moshën tredhjet’e pesë vjetsh, pa gëzuem të drejtat civile e politike dhe pa pasun të gjitha cilit e tjera të lypuna prej ligjës”. Neni 2 i kësaj ligje përcaktonte rotacionin në krye të këshillit, sipas radhës alfabetike të emrave, duke qëndruar nga tre muaj në kryesim, por kjo nuk u respektua, për shkak se Fuad Dibra qëlloi i sëmurë dhe Patër Anton Harapi ishte i tërhequr, drejtoi vetëm Mehdi Frashëri. Lef Nosi u zgjodh regjent më 25 tetor 1943, nga Kuvendi Kombëtar, së bashku me Mehdi Frashërin, Fuat Dibrën dhe klerikun, Padër Anton Arapin. Vdekja e F. Dibrës krijoi nevojën për plotësimin e funksionit të mbetur bosh. Pasi Ibrahim Biçakçiu kishte refuzuar të zinte vendin vakant, Këshilli i Naltë i Regjencës emëroi më 25 qershor 1944 pa pëlqimin e Parlamentit, ish-kryeministrin Rexhep Mitrovica, i cili vazhdonte të mbetej në detyrë deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri. (Kryeregjenti Mehdi Frashëri pranoi dorëheqjen e kryeministrit Rexhep Mitrovica më 16 qershor 1944. Pak ditë më vonë, kryeministri Rexhep Mitrovica mori pjesë në kongresin e Kryqit të Kuq Shqiptar ku u rizgjodh kryetar Koço Tasi.) Situata në fjalë krijoi një acarim institucional midis Regjencës dhe Parlamentit, aq sa detyroi Rexhep Mitrovicën të jepte dorëheqjen nga regjenca, më 10 korrik 1944, për t’i shërbyer në këtë mënyrë zgjidhjes së shpejtë të krizës. Në këto rrethana, Cafo Ulqinaku u zgjodh nga Parlamenti më 10 korrik 1944 anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës në vend të Fuat Dibrës, duke pasuar në fakt Rexhep Mitrovicën për disa kohë si anëtar të Këshillit. Kriza në parlament dhe në qeveri vazhdoi për shumë ditë dhe përfshiu edhe Këshillin e Naltë, duke shtuar mosmarrëveshjet brenda tij, ku Padër Anton Harapi dha dorëheqjen dhe Lef Nosi kërkoi letërdelegimin e kompetencave deri sa të pranohej dorëheqja e tij. Regjenti i parë nuk pranoi të rikthehej më në detyrë, ndërsa Lef Nosi vazhdoi detyrën pasi letërdelegimi u cilësua si i paligjshëm. Megjithatë Parlamenti vazhdoi t’i kërkojë pa sukses patër Anton Harapit rikthimin e tij në detyrë , por ai nuk u kthye kurrë më pas.
Meqenëse ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, u quajt “kolaboracionist”, gjë që u shfrytëzua nga pushteti i pasluftës, nga regjimi komunist që e ekzekutoi me pushkatim më 1946. Për këtë ndëshkim të pamerituar, të një patrioti të moshuar, që la gjurmë në historinë e kombit shqiptar, i përfshirë me vetëdije në veprimtari, të vlerësuara prej tij në të mirë të atdheut, lexuesi të gjykojë “krimet” e tij, duke u njohur me akuzën e paraqitur në gjyq, si më poshtë. Gazeta “Bashkimi” njoftoi se më 1 fruer 1946 hapet gjyqi kundër regjentëve dhe kryeministrit, duke përmendur Patër Anton Harapin, Lef Nosin dhe Maliq Bushatin. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarak. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues kryesohej nga major Irakli Bozgo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska. Të nesërmen gazeta vijoi me njoftime propagandistike: “Krerët e Tradhtisë japin llogari”, “Lef Nosi në bankën e të akuzuarve”. Sipas reporterit të kronikës së gjyqit, Lef Nosi u paraqit në gjyq i drobitur, i lodhur dhe me zor nxirrte fjalët nga goja. Referuar dosjes hetimore-gjyqësore dhe procesit të gjykimit, zhvilluar më 1 shkurt 1946, rezultoi se Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj.
Gjatë zhvillimit të gjyqit, presioni ndaj Nosit, nga prokurori dhe gjykatësit ka qenë i madh. Gjithsesi ai është përpjekur të mbrohet, duke shpjeguar se ka qenë patriot; se ka qenë i internuar shtatë muaj në Romë nga Italia fashiste; se ka qenë i njohur dhe madje mik me Mit’hat Frashërin për shkak të prirjeve në fushën e letrave; se u bashkua me Ballin Kombëtar, mbasi ajo organizatë iu afrua më herët se lëvizja komuniste në Shqipëri dhe se për krimet e bëra kur ai ka qenë regjent, faji nuk është as i Nosit e as i Regjencës, por i Qeverisë dhe posaçërisht i Xhafer Devës. Justifikimin e fundit e ka përdorur gjerësisht në përgjigjet e pyetjeve për kohën që ka qenë në Këshillin e Regjencës, duke shtuar: “ne i hiqnim vërejtje qeverisë”. Kur u larguan gjermanët, Lef Nosi gjendej në Shkodër, u ftua nga Patër Anton Harapi, i cili e strehoi disa kohë në institucionet fetare të Shkodrës, në pritje dhe me shpresë për ndonjë zgjidhje për falje duke gjetur ndërmjetësues pranë qeverisë komuniste. Disa kohë ka qëndruar i fshehur në Kir të Shkodrës, pastaj, kur situata po vështirësohej ai erdhi fshehurazi në Elbasan, duke qëndruar i fshehur te miqtë e vjetër. Në vijimin, erdhi në Tiranë, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit, por më 8 gusht 1945 u arrestua, mbasi ra në kurthet e forcave të ndjekjes. Në gjyq u mbrojt nga avokati Zoi Xoxe, i cili paraqiti mbrojtjen më 12 shkurt 1946, duke u përballur me akuzën që dha pretencën “dënim me vdekje, pushkatim”, më 10 shkurt. Edhe mbrojtja nuk pati fuqi ta shpëtonte nga ndëshkimi i parashkruar e i paravendosur, vendim që u shpall më 13 fruer 1946, për ekzekutim me pushkatim. Lef Nosi u pushkatua së bashku me miqtë e tij Anton Harapi dhe Maliq Bushati, diku në kodrën e Priftit, afër Varrit të Bamit, në Tiranë.
Lef Nosi ka qenë njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit (1880-1949), një figurë tjetër e qëndresës anti-komuniste. Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit, madje që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe. Ai blinte rregullisht libra të shkruara për Shqipërinë dhe ia dhuronte bibliotekës, ndër të cilën mbajnë vulën e tij: “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”; “Banka Kombëtare e Shqipnis”; “Albania the master Key to the Near East” i botuar më 1919; “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915. Pasionin e Nosit për librat e ka përshkruar me hollësi Dora D’Istria në librin “Gli Albanesi in Rumenia”.
Lef Nosi, gjërat më të vyera i depozitoi në Bankën e Shqipërisë dhe çelësin ia besoi mikut të ngushtë, Aleksandër Xhuvanit. Për jetën e Lef Nosit kanë lënë dorëshkrime me kujtime, i ndjeri Stiliano Nosi, dhe e ndjera mbesa, Adelina, si dhe nipi Vasili. Të afërmit e tij kanë prezantuar një letër të heroit të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, heroi të popullit Qemal Stafa, dërguar Lef Nosit, në kohën kur ky ishte i internuar në Itali, e cila daton më 15 mars 1941, ku në fillim shkruhet: “I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”.
Pas vitit 1990, u nderua si patriot i shquar, në një ceremoni organizuar në vendlindjen e tij, me pjesëmarrjen e veçantë të familjes Nosi, mbesës së tij, Adelina Kosturi (Nosi) dhe birit të saj, Skënder Kosturi. Lef Nosi është dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit. Është cilësuar nga miq e të afërm të tij “akademik” dhe “personalitet kombëtar”, më shumë një “filolog” se sa një “politikan”.
Sot Lef Nosi, ky monument i vlerave kombëtare, është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Elbasanit dhe në të ardhmen do të ketë edhe bustin e tij në mes të qytetit. Emri i Lef Nosit, pas vitit 1990, përkujtohet edhe me një emër rrugë, në qytetin e Elbasanit dhe në një shkollë të mesme në Prizren, Kosovë. Elefter (Lefter) Nosi, ka mbi 1200 letra në AQSH, të ardhura në adresën e tij. Margaret Hasluck, etnografia dhe sociologia skoceze njihet si mikja e Lef Nosit . Ajo pati ardhur në Elbasan, më 1923, ku bleu tokë e ndërtoi shtëpi, dhe qëndroi aty deri më 1939, kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë. Në vitin 1946, skocezja Margaret Hasluck, i shkroi një letër Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës për t’i falur jetën Lef Nosit. Ndër të tjera, në letër thuhet: “Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë. Me nderime të nalta, Shkëlqes Margaret Hasluck d.v.” .
Hebreu Marko Menahemi, i ndihmuar nga dr. Stiliano Nosi, në qershor 1944, kur ushtria gjermane kërkonte hebrenjtë në Elbasan u strehua në familjen e tij në lagje “Kala”, më pas në fabrikën e alkoolit të familjes Nosi, derisa u arrestua dhe u lirua falë ndërhyrjeve të kësaj familje te gjermanët, duke e punësuar në prag të çlirimit në fabrikën e tyre. Ai ka shkruar një letër me kujtime për ditët e arrestimit të Lef Nosit, ku ndër të tjera ka kujtuar: “Mbaj mend se një ditë (pas Luftës) më vjen Vasili, djali i Stilianos (doktor), dhe më kërkon ndihmë që të fshihnim xhaxhain e tij, Lef Nosin, pasi e kërkonin komunistët. Unë, Vasili dhe babai i tij, Stiliano, shkuam në Tiranë te një mësuese, emri i së cilës ishte Fahrie Averiqi, në Rrugën e Kavajës. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim te Nako Spiro, (sekretar organizativ i Rinisë Komuniste pas vrasjes së Qemal Stafës) që Lef Nosi të dorëzohej vullnetarisht, sepse, duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje. Edhe pse nuk isha dakord, kërkuam Nako Spiron por ai nuk ishte, kishte shkuar me shërbim në Moskë. Në këtë situatë, Lef Nosi kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. I thashë Vasilit se nuk e besoja këtë njeri, por pavarësisht, rreth mbrëmjes e çuam Lefin tek ky njeri. Vasili shkoi dhe kontaktoi personin në fjalë, i cili i qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. E përcolla unë, Marko Menahemi. Personi në fjalë, duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha “mos u bëj merak tani Vasil”. Po atë natë Lef Nosin e arrestuan, dhe siç na tregoi vetë në burg, ku shkuam dhe e vizituam, vetëm pak minuta pasi e kishte futur në shtëpi, ky person i kish thënë: “Lefi, të kërkojnë te porta”, ai sa hapi portën, e arrestuan. Po atë natë do të arrestohesha edhe unë, bashkë me Vasilin dhe Stilianon .
Lef Nosi ka banuar në shtëpinë e tij në lagjen “Kala” në Elbasan deri në shtator të vitit 1943 kur u zgjodh regjent dhe erdhi të banonte në Tiranë, në hotel “Dajti”. Miku i hershëm Fan Noli, i pati dhuruar Lef Nosit violinën e Fishtës dhe qenin e tij, para largimit nga Shqipëria.

Please follow and like us: