Bota, e kërcënuar nga uji. Deri në 2060-n zhduken disa superqytete
Deri në vitin 2060, më shumë se një miliard njerëz nëpër botë do të jenë duke jetuar në qytete që rrezikojnë përmbytje katastrofike, për shkak të ndryshimeve klimatike.
Një studim i realizuar nga organizata bamirëse britanike, Christian Aid, del në përfundimin se Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India janë ndër vendet më të kërcënuara. Më të cënueshëm në Indi janë Mumbai dhe Kalkuta, 8 qytete të tjera janë që të gjitha në Azi, e pas tyre vjen Miami në Amerikë.
Më të vështirë, situatën – sipas autores së raportit, Alison Doig – do ta kenë njerëzit që jetojnë në qytetet e mëdha bregdetare.
“Mendoj se më të rrezikuara nga ekspozimi ndaj rritjes së nivelit të detit dhe shirave të rrëmbyer do të jenë qytete si Kalkuta, Dakari; disa qytete të mëdha në jug, por dhe ekonomi në zhvillim. Përmbytjet atje mund të shkaktojnë dëme masive, e mbase dhe të kërcënojnë jetë njerëzore”, tha Dr. Alison Doig.
Florida, – sipas tij, – ka shumë mundësi të përjetojë përmbytje ekstreme.
“E gjithë Florida është e cënueshme nga kjo situatë. Ai qytet është një vend i ulët dhe rritja e nivelit të detit do të gëlltiste pjesë të tëra të saj. Ndryshimet klimatike janë të forta e mund ta rrisin me gjysmë metri nivelin e ujit këtë shekull”, tha më tej Doig.
Raporti i nxit qeveritë të hidhen në veprim për frenimin e ngrohjes globale, e të investojnë më shumë në programet e reduktimit të katastrofave.