Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Ledian Droboniku: Ka ardhur koha për një Kushtetutë të re

Intervistë/ Flet Përgjegjës i Departamentit të së drejtës civile pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit “Marin Barleti”

 

Dr. Ledian Droboniku: Ka ardhur koha për një Kushtetutë të re

 

 

 

Gerjola Çaushi

 

Kush është Dr. Ledian Droboniku

Pedagog, Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti i të Drejtës Private dhe Përgjegjës i Departamentit të së Drejtës Private. Është lektor i “Elementëve të së Drejtës Publike”, “E Drejta Romake” dhe “E Drejta Kushtetuese” në Fakultetin e Drejtësisë. Fushat e kërkimit fokusohen në “E Drejtë Publike”, “E Drejtë Kushtetuese” dhe “E Drejtë Ndërkombëtare dhe Europiane”. Droboniku është Përgjegjës i Departamentit të së drejtës civile pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit “Marin Barleti”. Ka mbaruar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin “La Sapienza” të Romës në periudhën 1999-2004. Ka realizuar studimet pas-universitare për Drejtësi në Universitetin “Tor Vergata”, Romë 2005 për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Gjatë viteve 2005-2007 ka marrë diplomën magjistrale 2 vjeçare në Fakultetin e Shkencave Politike, drejtimi “Marrëdhënie Ndërkombëtare” pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë. Ka mbrojtur doktoraturë në “E Drejtë Kushtetuese dhe Publike”, Universiteti ‘La Sapienza”, Romë,  2012, Titolo di avvocato, Republicca d’Italia dhe titullin avokat në Republikën e Shqipërisë. Ka botuar një sërë artikujsh shkencorë, mes të cilave: Instrumentet ligjorë në Kushtetutën e re Europiane, Menaxhimi i konfliktit dhe të drejtat e Njeriut, Gjeopolitika ballkanase dhe problemi i Kosovës pas Konferencës së Berlinit dhe shpërthimit të Luftës I Botërore; Pozicionimi i diplomacisë shqiptare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara – revista Polis, 2006; La violenza amminstrativa e la regolalizzazione dell’immigrazione illegale, revista “Stranieri in Italia” 2003; Processo di trasfusione legale nei paesi post-communistici – collana del dipartimento di diritto pubblico, La Sapienza, Roma; – Analiza të tjera të përjavshme në kursin e doktoraturës pranë “La Sapienza”, etj.

Referime në konferenca: Vështrim krahasues të sistemeve zgjedhorë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës – Konferenca organizuar nga UMB mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Pjesëmarrje në projekte: Pjesëmarrës në projektin, me të cilin La Seconda Universitò di Napoli edhe Universiteti Marin Barleti do të përfshihen në programin e mobilitetit të docentëve mes tyre.

 

Pse keni shkruar krejtësisht një Kushtetutë të re?

Shoqëritë e civilizuara dhe shtetet moderne ngrihen mbi Kushtetuta demokratike dhe funksionale. Kushtetuta e sotme nuk i ka këto veti. Kushtetuta e sotme, nuk është ajo që shqiptarët votuan me referendum në 1998. Ajo është e kompromentuar në ADN prej klasës politike dhe arnimet që po i bëhen përditë e tregojnë këtë gjë, ajo nuk është më në shërbim të demokracisë, por të një grupi njerëzish që kanë bllokuar politikën, ekonominë, median, akademinë e më tej. Shqipëria ka nevojë për normalizim dhe kjo vjen vetëm mbi themele të reja, mbi një kontratë të re sociale, ku populli nuk delegon qorrazi pushtetin, por e ushtron vetë në atë formë që sot po fiton terren e quhet “demokraci pjesëmarrëse”.

A nuk ju duket se është herët të flitet në Shqipëri për demokraci pjesëmarrëse?

Falë Zotit, Shqipëria është shumë pranë Europës dhe kjo erë po fryn sot kudo në Europë dhe ngadalë po vjen edhe në Shqipëri. Ne po shkurtojmë këtë kohë dhe po punojmë së bashku me miqtë tanë evropianë si movimento 5 stelle. Pra, kudo po fryn një erë kundër sistemeve aktuale, kundër strukturave hierarkike, masonike që kërkon që qytetari i epokës së informacionit të vendosë më shumë për komunitetin e tij. Kjo do të realizohet gjithmonë e më shumë, falë magjisë së internetit që nuk ka nevojë për filtra e struktura, por vetëm informacion, në atë që njihet si inteligjencë kolektive. Nuk është rastësi që të gjitha regjimet janë kundër internetit, sepse ndryshe nga mediat tradicionale nuk kontrollohet dot plotësisht. Problemi është se shumë qytetarë nëpër Shqipëri janë të shkëputur nga rrjeti dhe prandaj p.sh kemi kërkuar internet falas për të gjithë qytetarët, si një e drejtë themelore e epokës së informimit.

Pse nuk iu bashkuat grupit të reformës për drejtësi, ku parashikohen dhe ndryshime kushtetuese?

Siç e thashë edhe më sipër. Nuk jemi për arnime, aq më pak kur vijnë prej atyre që kanë asfiksuar Kushtetutën dhe miqtë e tyre masonikë që sponsorizojnë këto ndryshime. Nga përmbajtja, këto arnime janë elitiste, antidemokratike e nuk duan të hapin Kushtetutën për vendimmarrje qytetare dhe komplikojnë Kushtetutën thjesht për të çpasionuar dhe larguar qytetarët nga çështjet publike. Çdo reformë që kryhet nga brenda kastës për njerëzit e kastës thjesht sa zgjat agoninë dhe shton pakënaqësinë e shqiptarëve. Ne duam që kjo pakënaqësi mos të manipulohet drejt formulave autoritariste apo fetare, por të kanalizohet në një projekt demokratik dhe afatgjatë për vendin, si është projekti SOS.

Në Kushtetutë ju keni sanksionuar vetëm dy mandate, nuk penalizon kjo njerëzit e aftë dhe të ndershëm?

Të merresh me politikë nuk është njësoj si të merresh me biznese private. Duhet të vendosësh për interesin e përgjithshëm dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në sallonet e politikës, pranë lumenjve financiarë dhe lobistëve të ndryshëm, të prish busullën drejt interesave të veçantë. Nga ana tjetër pjesëmarrja politike duhet të jetë në radhë të parë shërbim dhe pastaj një e drejtë që i garantohet sa më shumë qytetarëve që zgjidhen prej popullit dhe jo të emërohen prej partisë. Dy mandate mjaftojnë për të sjellë idetë e tua, por kontributin për komunitetin mund ta japësh edhe në vende të tjera pa zënë rrënjë në politikë. Ne duhet t’u sigurojmë brezave të rinj një rrugë të lehtë e pa pengesa për të reformuar vazhdimisht shoqërinë drejt sfidave të reja.

 

Duke mbetur tek mandati, ju keni kërkuar që populli të zgjedhë jo vetëm deputetët, por dhe Presidentin, Prokurorin dhe shumë funksionarë të lartë, madje dhe t’i shkarkojë ata?

Po e nis nga kjo e fundit. Koha kur pushtetarët premtojnë, marrin mandatin dhe bëjnë të kundërtën e asaj çfarë kanë premtuar, ndërsa qytetarët presin 4 vjet, duhet të përfundojë. Mandati i bardhë është një ftesë për të mashtruar dhe vjedhur. Mendojmë se është më pranë konceptit të kontratës sociale, një mandat që jepet dhe merret nëse përfaqësuesi humbet besimin e përfaqësuesit.

A keni gjetur mbështetje tek qytetarët deri tani?

Demokracia ka një tërheqje natyrore, sepse emancipon njerëzit dhe popujt, – thotë Habermas – kështu që nga takimet me qytetarët, (në terren se media na ka mbyllur dyert) këto ide janë mirëpritur, se janë të thjeshta e funksionale. Qytetarët janë lodhur nga lojërat e partive dhe përçarjet pa fund mbi të cilat ngrihet sundimi i kastës.

Po mbështetje të intelektualëve?

Lëvizja lindi si një lëvizje intelektuale, ku shumë prej nesh kanë mbaruar në Perëndim dhe u shtri tek studentët dhe qytetarët. Në fakt në vend kanë mbetur pak intelektualë dhe shumë pak patriotë. Shumica e tyre janë kanë një vizion elitist, antidemokratik, sepse fajësojnë popullin dhe jo kastën për tragjeditë shqiptare.

 

 

Please follow and like us: