Albspirit

Media/News/Publishing

Ikja që bashkon të majtën? Xhelili, i papëlqyer nga LSI. Edhe PD në krizë përçarjeje

Ikja që bashkon të majtën? Xhelili, i papëlqyer nga LSI. Edhe PD në krizë përçarjeje

Në pritje të vendimit të gjykatës, të gjithë përfitojnë kohë. Në një situatë të zakonshme, Bashkia e Dibrës nuk ka ndonjë peshë në zhvillimet politike në vend. Por këtë herë nuk është ky rasti.

Votimi në Dibër për një kryetar të ri bashkie do të jetë një test domethënës, një vit përpara zgjedhjeve politike të 2017-s. Do të jetë një test për opozitën, e cila ndodhet në një moment delikat, sepse ka Degën e Dibrës në riorganizim dhe praktikisht demokratët atje janë pa kryetar.

Në zgjedhjet e fundit lokale demokratët dolën të përçarë dhe, për shkak të kandidimit të një të pakënaquri nga radhët e saj, i cili mori 2.000 vota, Partia Demokratike humbi zgjedhjet në Dibër. Kjo do të thotë se demokratëve u duhet jo vetëm të riorganizohen, por edhe të bashkohen, një mision i vështirë në një moment të papritur.

Zgjedhjet në Dibër do të jenë një test për mazhorancën, e cila ndodhet në një moment të vështirë në zonë, për shkak të opinionit publik, i cili rëndon më shumë te socialistët, përfaqësues i të cilëve është Shukri Xhelili.

Me qetësi, por pa dashuri e ka trajtuar këtë situatë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ende nuk ka dërguar përfaqësues të saj në zonë për t’u bërë gati për zgjedhje.

Shukri Xhelili nuk kishte nevojë për një video, për të qenë i papëlqyer për LSI-në, e cila për shkak të tij dhe mbështetësit të tij kryesor, Ulsi Manja, disa muaj më parë bëri koalicion me PD-në për kryetarin e Këshillit të Qarkut. Video e Xhelilit, ama, mund të ketë kështu një efekt pozitiv: largimi i tij mund të ribashkojë në Dibër të majtët e përçarë.

*** Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015, në Bashkinë e Dibrës kishin të drejtën e votës 56.322 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 30.690 votues, sa 55.29% e zgjedhësve.

Please follow and like us: