Albspirit

Media/News/Publishing

Irani: Terroristja është arrestuar në Shqipëri

Interpoli, sipas zëdhënësit të policisë iraniane, ka arrestuar në Shqipëri një pjesëtare të organizatës Mojahedin e Khalq.

Ndalimi i gruas, nga sa i shpjegoi gjeneral Saeed Montazer-al-Mahdi agjencisë së lajmeve “Tasnim”, është bërë pas vendosjes së saj në “njoftim të kuq”, një mandat arresti i cili parashikon masa për identifikimin e vendndodhjes dhe arrestimit të personit të kërkuar nga një juridiksion gjyqësor apo një gjykatë ndërkombëtare me qëllim ekstradimin e tij.

E ndaluara akuzohet për përfshirje në shpërthimin e një bombe në selinë e Partisë së Republikës së Iranit në 1981-shin. Shpërthimi ndodhi 28 qershorin e atij viti, në kohën kur anëtarët e kësaj partie ishin në ndërtesë duke mbajtur një mbledhje. Më vonë u tha se pas epipisodit të dhunës qëndronte Mojahedin e Khalq.

72 oficerë iranianë u vranë në atë sulm, përfshirë kreun e Drejtësisë, ajatollahun Mohammad Beheshti, katër ministra kabineti, 27 anëtarë të Parlamentit dhe disa zyrtarë të tjerë qeveritarë.

MKO-ja e listuar dikur si organizatë terroriste nga disa shtete të botës, përcaktim ky i hequr më vonë, u largua nga Irani në 1986-n e u zhvendos në Irak, në një kamp që iu dha asaj nga ish-diktatori Sadam Husein.

Në Republikën Islamike ajo kujtohet si organizatë që luftoi në krah të Sadamit gjatë luftës Iran-Irak e konsiderohet përgjegjëse për vdekjen e mijëra civilëve dhe zyrtarëve iranianë pas fitores së Revolucionit Islamik në 1979-n, përmes akteve terroriste që përfshinin shpërthime bombash në vende publike dhe ekzekutime.

Please follow and like us: