KLSH rekomandon rishikim të skemës së ciklit doktoral
KLSH rekomandon rishikim të skemës së ciklit doktoral në institucionet publike arsimore
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer disa auditime në fushën e arsimit të lartë, gjatë të cilave ka konstatuar se cikli doktoral është një ndër fushat që duhet përmirësuar, me qëllim vendosjen, plotësimin dhe mbajtjen e standardeve të larta dhe unifikuese.
KLSH i rekomandon Ministrisë së Arsimit, përcaktimin e qartë të kompetencave monitoruese të saj, duke synuar forcimin e rolit të këtij institucioni në mbarëvajtjen e programeve të ciklit të tretë të studimeve, i cili në gjykimin e autoritetit auditues, fillimisht duhet të jetë cikël studimi me kohë të plotë.
Gjithashtu, KLSH ka kërkuar krijimin e një database të veçantë, të unifikuar dhe përditësuar ku të jepen të dhëna për udhëheqësit, temat e doktoraturave dhe reçencat, i cili të jetë publik dhe i aksesueshëm nga të gjithë të interesuarit.
“Duhet të ketë instrumente kontrolli publik të 32 shoqëruara me identifikim/përcaktim përgjegjësie individuale dhe institucionale për proceset e fitimit/miratimit të titujve akademik, duke synuar rregullimin e plotë dhe afatgjatë të kërkimit shkencor dhe etapave/kushteve të përparimit në karrierën akademike.”- thuhet në raportin e KLSH drejtuar Ministrisë së Arsimit.
Në funksion të përmirësimit dhe rritjes së efektivitetit të performancës së Institucioneve Publike apo Private të Arsimit të Lartë, KLSH rekomandon përcaktimin e kompetencave të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, për marrjen e masave për monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të standardeve apo kritereve të detyrueshme në këto institucione të arsimit të lartë.